Bamir Topi: Qytetarët të mos gënjehen nga ekranet, të votojnë me bindje alternativën e besueshme

505
Alma Çuka
Ish–Presidenti dhe kryetari i FRD Bamir Topi flet për gazetën “Telegraf” lidhur me situatën aktuale, gjuhën e përdorur në fushatë dhe fatin e qeverisjes së vendit pas 25 qershorit
Ish- presidenti i Republikës dhe kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi në një intervistë dhënë për gazetën “Telegraf”, flet për situatën e krijuar, pas marrëveshjes Rama-Basha. E konsideron marrëveshje të errësirës dhe që aktualisht po shpërndan errësirë. Për Topin, Rama-Basha kanë tradhtuar besimin e qytetarëve. Madje ai e cilëson të tepruar faktin se ekranet televizive i japin hapësirë të tepruar vetëm kryeministrit, duke mos e bërë një gjë të tillë me partitë e tjera më të vogla që janë në garë. Thotë se ka hyrë në këtë garë me dinjitet dhe fton qytetarët që të votojnë programin më të besueshëm e të mos gënjehen nga ato që dëgjojnë nëpër ekrane. Madje i fton të gjithë qytetarët që të mbyllin ekranet deri në 25 qershor, të mos dëgjojnë asnjë politikan. Për Bamir Topin, politikanët kujtohen për qytetarët vetëm në muajin e fushatës, më pas ata harrojnë premtimet, madje mbyllin telefonin dhe shikojnë interesat e tyre personale. Flet edhe për gjuhën e urrejtjes, e cila ditët e fundit është shtuar së tepërmi mes liderëve të partisë kryesore. Ndërkohë që koalicionin PS-LSI tashmë e konsideron një portë të mbyllur. Kreu i FRPD thotë se këto zgjedhje nuk mund të quhen të barabarta për të gjitha partitë në garë, për aq kohë sa ai që i organizon është edhe arbitër. Topi ka frikën e numërimit. Thotë se votat e partive të vogla janë në duart e numëruesve të partive të mëdha. Megjithatë ka bindjen se termin parti e vogël ose e madhe nuk e përcaktojnë partitë, por votuesit. Për aq kohë sa nuk ka një Kod Zgjedhor, për Bamir Topin, edhe zgjedhjet do të jenë një rrezik, ndërsa shton se në fushatë nuk bëhet fjalë fare për programe, por bëhen vetëm llogari në numra. 
Ju garoni i vetëm përballë një skeme, e cila favorizon partitë e mëdha. A do të jenë në gjendje qytetarët të dallojnë mesazhin e vërtetë nga gënjeshtrat?
Nuk besoj se njerëzit në Shqipëri do arrijnë ta bëjnë dallimin, ndryshe nga popuj të tjerë rreth nesh. Kemi një shoqëri të indoktrinuar, që nuk sheh interesa serioze për të ardhmen, por ndjek me ëndje, si një argëtim e në mjerim aktorët e ‘Portokallisë’ politike. E trishtueshme por e vërtetë. Nëse do të kishte një ndërgjegje minimale, dita e zgjedhjeve nuk do të ishte moment gallate për politikanët që kanë qeverisur, por do të ishte dita e gjykimit publik. Pas zgjedhjeve e quaj të pakuptimtë që njerëzit të fillojnë të ankohen sërish. Këtë pamje e shohim prej shumë vitesh. Termi parti e madhe apo e vogël nuk përcaktohet, kur nuk ka rregulla loje, kur lojtari është edhe arbitër. Është rregulli i tregut të lirë edhe në politikë që përcakton madhësinë e një partie. Unë si përfaqësues i FRD nuk influencohem nga deklaratat. Ne garojmë me dinjitet dhe program shumë shkencor .Uroj që shqiptarët normale ta votojnë. 
Shohim se situata në fushatë elektorale është tensionuar për sa i përket gjuhës që përdorin liderët e partive kryesore për njëri-tjetrin. Akuza dhe kundër-akuza, keni një koment?
Situata politike në vigjilje të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit është, sipas meje, e pazakontë, madje e çuditshme. Deri 3 javë të shkuara kishte një preokupim se si mund të bëhen zgjedhje pa opozitën dhe raportet PS -PD po shkatërronin skemën tradicionale, pasi për herë të parë nuk do të ishin përballë në betejë. Çuditërisht, janë këto dy parti që po prishin skemën duke paralajmëruar një simbioze për të shkatërruar çdo faktor që qëndron midis tyre. Ky besoj është produkti i një marrëveshjeje që u realizua në errësirën e natës, duke i errësuar më tej rrugët për të dalë nga kriza. Unë mendoj, së pari, se ajo që prisnin të gjithë, sikurse ishte reformimi i Kodit Zgjedhor, jo vetëm nuk u realizua, por përkundrazi shtoi shanset për rritjen e tensioneve ndërmjet të gjithë aktorëve në lojën politike të zgjedhjeve. Së dyti, niveli i komunikimit politik publik është në rënie dramatike, sepse përveç gënjeshtrave ka shumë tallje me njerëzit. 
Pas 25 qershorit si i shihni koalicionet…a ka një lojë në gjithë këtë betejë? 
Gjithçka që po shohim dëshmon një pasiguri të madhe nga partitë kryesore për rezultatet, pavarësisht sondazheve krejtësisht të pabesueshme dhe të porositura. Nga ana tjetër, shikoj një marrëdhënie të prishur e pa kthim PS -LSI. Kjo aleancë e deklaruar nga Rama për ta vazhduar, jo vetëm nuk duhet të ndodhë, por në një situatë kur PS-s do i duhet një bashkëqeverisje me PD, kjo nuk është me çudi. Kjo vërteton se programet e partive nuk vlejnë më. Ajo që del në plan të parë është garantimi i qeverisjes me çdo çmim politik. 
Rama pretendon 71 mandate, Basha thotë “Republikë e Re” dhe LSI forcë e Parë….
Unë e vlerësoj objektivin e Kryeministrit, por kush do të garantojë arbitrimin. Pyetja është, se kush do t’i mbrojë votat e partive që nuk kanë komisionerë. Pse koha televizive shkon pa fund tek kryeministri. Nuk është normale. Kjo do të thotë, se ka frikë nga rezultati dhe kërkon të mpijë me shfaqje e propagandë. Sigurisht i shikoj dhe objektivat e të tjerëve dhe, kuptohet, secili bën bilancin e tij. Nëse do të jepja një këshillë për votuesit do t’i thosha të ndërrojnë kanalet televizive ku dalin politikanët dhe të shkojnë të votojnë me bindjen që ata kanë krijuar tashmë për besueshmërinë e tyre. Politikanët nuk njihen në muajin e premtimeve. Ata njihen shumë mirë pas zgjedhjeve, kur fikin celularët dhe shohin vetëm interesat e tyre.
Sigal