Balla pas ndërprerjes së seancës: Nuk bëjmë pazar me Kryeprokurorin

547
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se opozita i ka kërkuar një pazar, që ai e quajti të pistë, për të mbajtur në detyrë prokurorin aktual.

“Ne nuk bëjmë pazar në kurriz të drejtësisë. Për ne drejtësia është gjëja më e rëndësishme që qytetarët na kanë votuar. Ata kërkuan që ne të bëjmë pazar të pisët për të lënë në detyrë prokurorin aktual. Ne nuk jemi tërhequr dhe të jeni të sigurt, që drejtësia po vjen. Fakti që bërtasin kaq shumë tregon se ka filluar t’iu fillojnë dhimbjet”, u shpreh Balla.

Më tej kreu i grupit parlamentar të PS e lidhi protestën e PD-së me marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës.“Shqiptarët e shohin se kush janë bërë bashkë. Janë bërë bashkë ata që prej 2014 kanë qenë bashkë kundër reformës në drejtësi. Në 22 korrik 2016 nuk mundën ta bllokonin reformën në drejtësi. Shqiptarët në 25 qershor na dhanë një mandat për të çuar deri në fund reformën në drejtësi. Ky debat nuk mund të zhvillohet me dhunë, as bomba, goditje, bidonë me ujë e gjithçka pati mundësi Luli e Monika bash nën dirigjimin e Berishës. Debati bëhet në institucione dhe, nëse ata kanë kontestim për vendimin e Kuvendit është Gjykata Kushtetuese që e ndan. Nuk mund ta ndajë PD-ja dhe simotra LSI procedurën për zgjedhjen e prokurorit të përkohshëm. Kuvendi sot ka përcaktuar një prokuror të përkohshëm të përgjithshëm, ata që bërtasin atje kanë probleme të theksuara me drejtësinë. Ne jemi zgjedhur për të bërë detyrën që na kanë ngarkuar shqiptarët”, tha Balla.
Sigal