Babëzia me pronat në bregdet, KLSH ka dërguar dosjet në prokurori dy vite më parë

1016
Arrestimet e djeshme nga prokuroria e rrethit Lezhë për 23 funksionarë të Bashkisë, Këshillit të Qarkut, Hipotekës, ALUIZNI-t , kompani , persona të tjerë juridikë dhe fizikë, tregoi më në fund se shteti ka filluar të funksionojë dhe se raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë marrë më në fund në konsideratë për të mirën e përbashkët, por edhe detyrimin ligjor për të luftuar korrupsionin dhe abuzuesit me pasurinë kombëtare dhe, sidomos, atë bregdetare. Edhe pse u mundua të kalohej në heshtje nga organet e krimit ekonomik pranë Policisë së Shtetit dhe prokurorisë së rrethit, faktet e bëra publike nga gazetarët në konferencat e shtypit tregojnë se këto abuzime kanë mbi 2 vjet që janë bërë publike nga KLSH. Madje organi i KLSH i ka dërguar një kopje të denoncimit organeve përgjegjëse sipas linjës, prokurorisë , medias, shtypit dhe publikuar në faqen zyrtare të KLSH-së. Edhe vetë policia ka marrë indicie nga ky kontroll dhe rasti i Kavajës, Rrogozhinës, Vlorës, Lezhës, Durrësit, Divjakës, Pogradecit janë prova të pakundërshtueshme të babëzisë me pasurinë kombëtare. Nga ana tjetër marrja parasysh e këtyre provave janë edhe një lloj reflektimi, se vetëm kur organet shtetërore bashkëpunojnë, rezultatet në luftën ndaj krimit japin rezultatin e duhur duke i hapur rrugën integrimit të vendit në BE. 
Ja disa nga kontrollet e kryera nga KLSH dhe bëra publike nga media dhe shtypi vite më parë

Abuzuan me tokat në bregdet, KLSH kallëzon 7 ish-zyrtarë të Kavajës (Panorama)
Janë 17 raste abuzive të regjistrimit fillestar të tokave në bregdet, të cilat janë bërë duke mos plotësuar kushtet dhe as dokumentacionin e nevojshëm. Këto procedura janë kryer nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kavajë, duke u dhënë tokë në Golem, Spille, Karpen dhe Kryemëdhenj personave që nuk plotësojnë kushtet. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar këto, por edhe një sërë shkeljesh të tjera të kryera nga kjo zyrë gjatë auditimit që i bëri periudhës nga janari 2011 deri më 30 shtator 2014. “Në 17 raste është kryer regjistrimi fillestar i pasurive në zonë bregdetare, të përfituara me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), të cilat rezultojnë të jenë pa numër e datë, përfituesit janë pa certifikatë të gjendjes familjare të vitit 1991, pra jo objekt i ligjit, si dhe me ndryshim zëri kadastral në zonat Karpen, Kryemëdhenj, Golem dhe Spille, pra akte të pa aplikueshme për regjistrim pasi janë përfituar në kundërshtim me ligjin e kohës”, thuhet në njoftimin e KLSH-së. Po kështu, në 11 raste të tjera është konstatuar se janë përfituar toka në bregdet si tokë bujqësore në rast të përsëritur. Pra përfitimi është bërë një herë me ligjin e vitit 2000 dhe një herë me atë të vitit 2001. Kallëzimet: “Kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës si regjistrues, juristë e hartografë, duke regjistruar në emër të personave privatë pasuri të paluajtshme të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe duke tjetërsuar afro 50 000 m2 tokë bujqësore e truall në zona bregdetare, pronë shtetërore”, thuhet në raportin e KLSH pas kontrollit. Për të gjitha shkeljet që kanë sjellë një tjetërsim dhe regjistrim pronash që shkon në mijëra metra katrorë tokë, janë çuar në Prokurori kallëzimet për 7 ish-zyrtarë të ZRPP-së të Kavajës. Mes tyre janë katër ish-drejtues të këtij institucioni me inicialet XH. D., R. Rr., F. M. dhe A. Q., si dhe tre ish-specialistët juristë e inxhinierë, K. K., H. K. dhe H. S. ( Botuar më 2016)
“Gropa e zezë” e pronave, KLSH: Në 4 vite, dëmi ekonomik 2.4 miliardë lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përmbledhur rezultatet e auditimeve të zhvilluara në ALUIZNI dhe ZVRPP, përgjatë viteve 2013 – 2017. Në total, për periudhën 4 vjeçare nga auditimet është konstatuar: një dëm ekonomik (i matshëm) në vlerën 2,4 mld lekë, ndërkohë që janë rekomanduar: 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, si dhe janë kallëzuar penalisht: 196 punonjës dhe drejtues të ALUIZNI dhe ZVRPP. Krahas dëmit ekonomik të matshëm në këto institucione ekziston edhe një dëm ekonomik i fshehur dhe i pamatshëm, shumë herë më i lartë se i pari, sipas raportit të KLSH. Ky dëm lidhet me një zinxhir të stërzgjatur pasojash sociale, mjedisore, ligjore dhe njerëzore, të shkaktuara si pasojë e paligjshmërive të kryera ndër vite nga ana e punonjësve dhe drejtuesve të ALUIZNI-it dhe ZVRPP-ve. Përgjatë periudhës 2013 – 2017, KLSH-ja bën me dije se ka realizuar në këto institucione 40 auditime nga të cilat 22 në ZVRPP dhe 18 në Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI-t. Sipas KLSH-së nga 40 auditime (në total), të zhvilluara nga KLSH në këto institucione (ALUIZNI dhe ZVRPP), përgjatë periudhës 2013 – 2017, në 36 prej tyre (90%) KLSH ka hartuar dhe depozituar pranë organeve përkatëse të prokurorisë në rrethe kallëzime penale për 196 punonjës të këtyre institucioneve të nivelit: ish-Drejtues, Përgjegjës Sektori dhe Specialistë (mesatarisht janë kallëzuar rreth 5 persona për çdo subjekt të audituar). Nëse i referohemi edhe problematikave të proceseve gjyqësore shteti shqiptar duhet që të paguajë një faturë të papërballueshme si pasojë i vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.( Telegraf, botuar më 2017)

KLSH kallëzon 8 zyrtarë të ALUIZNI-t, Lezhë, ja dëmi ekonomik 
Datë 6 Maji 2017
Kontrolli i Lartë të Shtetit ka përfunduar auditimin në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë, me objekt:“Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për vitin 2014-2016”. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të dispozitave ligjore në fuqi, duke cenuar interesin publik , që konsistojnë në regjistrime e tjetërsime të pronave nga shteti në persona privatë në mënyrë të paligjshme, për të cilat KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për : E K, me detyrë ish-arkivist, E.L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E.J me detyrë jurist, E.Z me detyrë hartograf, K.M ish-juriste, B. RR ish-juriste dhe N.N me detyrë hartograf, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për shkeljet: – ZVRPP Lezhë nuk ka marrë masat e nevojshme për ndjekjen e problemit në rrugë administrative e ligjore deri në kallëzim penal, për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj personave përgjegjës, për mungesën e 1045 praktikave dokumentare (referenca), pasi nuk janë zbatuar kërkesat ligjore të marrjes dhe dorëzimit të detyrës nga punonjësit e arkivit, në kundërshtim me ligjin nr. 9154, datë 06.11.2003 “Për Arkivat”, Rregulloren nr. 184, datë 8.4.1999 “Për Punën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” me ndryshime dhe Rregulloren e ZQRPP nr. 2079, datë 11.06.2007. Në 5 raste, sipas dokumentacionit në ZK nr. 2568, fshati Mali i Rrencit Lezhë, në emër të trashëgimtarëve të familjes I, rezultoi se sipas vendimit nr. 55, datë 28.02.2002 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit Pronave Qarku Lezhë, është njohur sipërfaqja 395 ha dhe kthyer 100 ha. Nga Gjykata e Shkallës së Parë, Rrethit Gjyqësorë Lezhë me vendimin nr. 227, datë 16.07.2002, në mungesë të të paditurit KKK Pronave dhe Avokaturës së Shtetit, në pjesën vendimore ka vendosur ndryshimin e vendimit, për mënyrën e kompensimit, duke u kthyer në natyrë pronësinë 5 paditësve me sipërfaqe prej 295 ha. Në sipërfaqet e regjistruara në ZVRPP Lezhë, ndodhen pasuri në zërin kadastral rrugë, shkëmb, rezervuar, ledh dhe “ranishte”, etj., që nuk përshkruhen në vendimin e KKKP, apo në vendimet e gjykatave respektive, ndërkohë që sipas tyre janë njohur dhe kthyer zëri kadastral “pyll dhe kullota”. Në lidhje me këtë pasuri del se nga bashkimi i tyre në pasurinë nr. 1073, në zërin kadastral “pyll”, përbëhet sipas këtyre zërave kadastral: shesh, sipërfaqe 209 m2, në zërin kadastral rrugë, me sipërfaqe 650 m2, në zërin kadastral ranishte, sipërfaqe 8.37 ha, në zërin kadastral rezervuar, sipërfaqe 6442 m2, në zërin kadastral shkëmb sipërfaqe 2587 m2, pasuri si ledh etj, veprimet e regjistrimit të këtyre pasurive janë në kundërshtim me ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994 i ndryshuar dhe nenin 193 të Kodit Civil – Në 24 raste me sipërfaqe 332097 m2(33,2 ha) në zonë e Ishull Shëngjin, kanë regjistruar pasuri të llojit “Tokë Bujqësore”, që nuk figuron si e tillë në regjistrat përkatës deri 1.08.1991, për rrjedhojë ZVRPP Lezhë nuk duhet të regjistronte pasuri të llojit “arë”, duke e tjetërsuar nga pronësia “shtet” tek poseduesi i AMTP-së, pasi këto sipërfaqe në parcelat përkatëse rezultojnë të jenë të llojit pyll, kënetë apo ranishte, veprim në papajtueshmëri me ligjin nr. 33, datë 29.04.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 , të ligjit nr. 8337, datë 30.04.1998 dhe ligjin 7501, datë 19.07.1991, i ndryshuar dhe konkretisht: – Janë përfituar në ZK nr. 1987 fshati Ishull Shëngjin, me referencë nr. 6060, regjistruar tokë bujqësore arë me sipërfaqja 26.500 m2, parcela nr. 79, sipas AMTP nr. nr. 4064, datë 28.04.1995, në zërin kadastral “arë”, ndërsa sipas Njësisë së Menaxhimit dhe zërit kadastral para vitit 1991, ndodhet në zërin kadastral “pyll”, pajisur me certifikatë datë 10.07.2015 për sipërfaqen 26.500 m2. Gjithashtu del se nuk janë verifikuar elementët e formës dhe të përmbajtjes së AMTP-së, pasi qytetari ka përfituar më tepër 10.000 m2 se norma ligjore për frymë. – Në ZK nr. 31266 qyteti Shëngjin, me referencë nr. 883, T.M sipas AMTP-së nr. 2514/1, datë 13.09.2001 ka përfituar sipërfaqen 5473 m2 e ndarë në 2 parcela, duke ndryshuar nr. e pasurisë dhe zërin kadastral nga ranishte në arë, si dhe dokumentacioni bën fjalë për në fshatin Ishull Shëngjin, ndërsa regjistrimi është kryer në ZK nr. 3126 qyteti Shëngjin. KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, konkretisht, E. K, me detyrë ish-arkivist, E. L me detyrë ish-arkivist, F. Z, me detyrë specialist jurist, E. J detyrë jurist, E.Z me detyrë hartograf, K.M ish-juriste, B.RR ish-juriste, dhe N.N me detyrë hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë me shkresën nr. 1330/11, datë 02.05.217, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 18.664 milionë lekë dhe shkelje të ligjit në regjistrimet e paligjshme të pronave, tjetërsimin e tyre në kundërshtim me ligjin etj., për pasojë kanë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse. I është kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë që në materialin e paraqitur të vlerësohet dhe përgjegjësia e personave të tjerë dhe ish punonjës të tjerë të ZVRPP Lezhë, që kanë kryer shkelje ligjore dhe që janë trajtuar nga ana jonë në pjesë të materialit, që është objekt i hetimit (Telegraf )


Sigal