Babëzia e 12 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme

414
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin në Ministrinë e Punëve të Brendshme me objekt “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare” për periudhën shtator 2013-dhjetor 2014. Rezultatet e këtij auditimi janë miratuar me kreu i KLSH, Bujar Leskaj dhe i janë përcjellë këtij dikasteri. Në raport janë evidentuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh në procedurat e prokurimeve publike, të cilat kanë sjellë një dëm për buxhetin e shtetit në vlerën 85,038,494 lekë (607 500 euro). Nga auditimi u konstatua se nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në procesin e vlerësimit dhe kualifikimit të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë është përdorur standard i dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tender. Gjithashtu në disa prej procedurave të tenderimit të audituara, Njësia e Prokurimit, në formulimin e kritereve për cilësinë dhe origjinën e mallrave, ka lënë vend për interpretime të gabuara nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ku Operatorët Ekonomikë kanë paraqitur deklarata personale duke u shprehur së “mallrat e ofruar nga ne janë të cilësisë së parë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e Drejtorisë së Tatimeve. Origjina e mallrave është nga Italia, Turqia dhe Kina”. Pavarësisht faktit që deklarimet personale nuk ishin Certifikata Origjine, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ka pranuar dhe i ka konsideruar si të rregullta këto deklarime personale të Operatorëve Ekonomikë. Njësia e prokurimit ka qenë e pranishme në vlerësimet që ka bërë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, por nuk ka ndërhyrë për korrigjimin e kësaj pasaktësie, e cila ka ndikuar në kualifikimin apo s’kualifikimin e Operatorëve Ekonomikë. 
Parregullsitë kryesore
– Në tenderin me objekt “Blerje pjesë ndërrimi për automjete për shërbimet profilaktike”, buxheti i shtetit ka patur një dëm në vlerën 7,526,666 lekë.
– Në tenderin me objekt “Blerje tonerë”, buxheti i shtetit ka patur një dëm në vlerën 16,102,785 lekë.
– Në tenderin me objekt “Blerje uniformash, veshmbathje dhe elementë të tjerë, përbërës të tyre”, buxheti i shtetit ka patur një dëm me vlerës 15,241,292 lekë.
– Në tenderin “Blerje automjete speciale për Ministrinë e Mbrojtjes”, buxheti i shtetit ka patur dëm me vlerë 3,174,077 lekë. 
– Në tenderin me objekt “Blerje Certifikatash për Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile”, me fond limit 14,999,999 lekë, konstatohet se është s’kualifikuar Operatori Ekonomik, me ofertë ekonomike 1,605,706 lekë më të ulët se sa Operatori Ekonomik i shpallur fitues.
– Në tenderin me objekt “Blerje Fuoristrada dhe Mikrobusë” për Policinë e Shtetit, loti i parë, me fond limit 169,596 mijë lekë, u konstatua se njësia e prokurimit me kriteret e vendosura në Kushtet e Veçanta të Kontratës, ka lënë jashtë gare një Operator Ekonomik me ofertë ekonomike 40,795,628 lekë më të ulët duke paracaktuar fituesin e tenderit pavarësisht vlerës së ofertës së paraqitur. 
– Përdorimi i Letër Kredisë në këtë institucion, është bërë në programin “Policia e Shtetit” për “Blerje automjete për QFMT”, në vlerë 372,340,000 lekë dhe për Gardën e Republikës në vlerë 6,995,000 lekë. Gjatë 2014 është realizuar me këtë formë likuidimi i 30% të fondeve për investime në programin e Policisë së Shtetit, ndërkohë në të gjitha përdorimet e Letër Kredisë nuk kishte një marrëveshje të qartë midis palëve.
– Nga analiza krahasimore e treguesve të buxhetit 2014, konstatohet se shpenzimet për investime ndryshojnë nga faza e programimit deri në realizimin e tij me rreth 2.8 herë.
Ministria e Brendshme paguan 38 nëpunës civilë të kthyer nga gjykata
Nga auditimi rezultoi që Ministria e Brendshme, si pasojë e shkurtimeve për ndryshimet strukturore, paguan 38 nëpunës civilë në listë pritje, për një periudhë 1 vjeçare, duke shkaktuar kështu një efekt financiar në buxhetin e shtetit që shkon rreth 38,1 milionë lekë. Ndërkohë nga auditimi i procedurave të zbatimit të vendimeve gjyqësore konstatohet se shumica e pagesave nuk është kryer vullnetarisht, por me ndërmjetësinë e Zyrave Përmbarimore, për të cilat janë paguar edhe vlera të konsiderueshme tarifash përmbarimore, çka përbën një shpenzim joefektiv të fondeve të buxhetit të shtetit. Nga auditimi rezultoi se skemës së sigurimeve i mungon një vlerë prej 5,132,135 lekë, për vendimet e ekzekutuara. Për të gjitha parregullsitë e konstatuara me procedurat e prokurimit është shkaktuar një dëm ekonomik prej 607 500 euro. 

KLSH kërkon shkarkimin e 12 punonjësve 
Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka përcjellë organit të Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin penal për Drejtoren e Drejtorisë së Prokurimeve Publike të Përqendruara, Valbona Kaso në cilësinë e kryetares së Drejtorisë së Prokurimeve Publike të Përqendruara si dhe 11 anëtarëve të kësaj drejtorie. Në përfundim të auditimit, i është kërkuar titullarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Saimir Tahirit që të fillojë procedurat e shkarkimit nga detyra të personave përgjegjës për shkeljet dhe dëmin financiar që i kanë sjellë buxhetit të shtetit. Siç ka ndodhur edhe me kontrolle në dikastere të tjera, edhe ky material do t’i dërgohet Kryeministrit Rama, Kryeparlmentarit Meta dhe institucioneve të tjera të larta.
Sigal