Azilanti politik në Suedi, Urim Gjata: Misioni i dështuar i një ambasadoreje

1243
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Sot ju e nderuar ambasadore, postuat në FB, CV-ë tuaj. Megjithëse si CV, ishte për t’u admiruar, ne shqiptarëve se si na duket… Na duket sikur ajo CV-ja e juaj në këto kohë turbullta për ne, (masakra zgjedhore, dhe kombin, Kosova), na ngjan një me ato llamarinat ngjyra- ngjyra kineze a ruse, që venë në gjoks këta ’ish- luftëtarët’ shamikuqtë-veteranët tanë, apo miqtë e tyre në Rusinë e Putinit. (Ata që luftuan dhe i kishin hak, ka shumë kohë që prehen të qetë në altarin e lirisë). Flas për këta, këta që kanë  “vrarë” me qindra gjermanë, me llastiqe zoqsh. Këta që me llamarina pazari, mbushin gjokset e tyre, në ditëlindjen dhe ditëvdekjen e diktatorit.

“Zj.Ambasadore, Ju dështuat! Veç mijëra shqiptarëve që po i degdisni azileve të botës, ju vendin tim po e dorëzoni në duart e ‘miqve’ tuaj, bosët e drogës dhe ‘Mafies Mavi’ në pushtet”

E kam fjalën për këta shokët e barba Takut… Eh, sikur t’i nxjerrin, apo t’ua shohësh atyre CV-në, si hetues, në spiunllëqet, hetimet, dhunimet, persekutimet, internimet, burgjet dhe vrasjet, e atij populli për 45- vjet, e kanë më të pasur nga ju…(Le që ju i njihni mirë, i njihni, sepse disa prej tyre i keni staf ambasade…!) Ndaj askujt në Shqipëri, nuk i hyn më në punë sot CV-ja, por puna e juaj. Zj.Ambasadore, Ju dështuat! Veç mijëra shqiptarëve që po i degdisni azileve të botës duke ju humbur dhe identitetin, njëlloj si dikur pushtuesit ndër shekuj.

Hoyt Brian Yee (majtas) me autorin, Urim Gjata (djathtas)

Ju vendin tim po e dorëzoni çdo ditë e më shumë, në duart e ‘miqve’ tuaj, bosët e drogës, krimit të organizuar dhe ‘Mafies Mavi’ në pushtet, njëlloj si dikur, mbas vitit të zi ‘45. Masakra Zgjedhore! Vjedhja dhe blerja e hapur e lirisë së ndryshimit të sistemit, me votë të lirë. SPAK. Gojët e “liga” thonë se SPAK, nuk është ëndrra e shqiptarëve për drejtësi pa kufi, por zgjatim i gjyqeve popullore dhe i SPAÇIT; luftë jo kundër krimit dhe mafies, por kundër kundërshtarëve politikë të partisë shtet… Nuk besoj se ky mision i juaji, është politika dhe misioni i SHBA-së, të Presidentit Willson, por as dhe ëndrra e thyer në mes e shqiptarëve … E vërteta është se: Shqipëria ka rënë në duart e mafies; Shqipëria po vidhet; Shqipëria po varfërohet; Shqipëria po shpopullohet.