Avokati i Popullit: Marrja dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve është e paligjshme

243
Duke marrë shkas nga shqetësimet e një numri të madh qytetarësh lidhur me akuzat për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të tyre personale nga një subjekt politik, konkretisht Partia Socialiste e Shqipërisë, Institucioni i Avokatit të Popullit thekson se marrja dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve nga cilado parti politike është i paligjshëm, me përjashtim të rastit, nëse vetë qytetarët kanë dhënë një autorizim të posaçëm me shkrim për përdorimin e tyre për qëllimin e lejuar, apo për raste të tjera të veçanta të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Nga të dhënat paraprake dhe komunikimet publike nuk rezulton që mbledhja e të dhënave të ekspozuara publikisht të plotësojë këto kushte.
Mbledhja e të dhënave personale të shtetasve pa pëlqimin e tyre, lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre private. E drejta për mbrojtje të të dhënave personale bën pjesë tek të drejtat e mbrojtura nga neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cili garanton të drejtën për respektim të jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës dhe përcakton kushtet sipas së cilëve lejohen kufizimet e kësaj të drejte, e për të cilën Gjykata Europane e të Drejtave të Njeriut ka një jurisprudencë të pasur.
Edhe Konventa nr.108 e Këshillit të Europës, si akti ligjor detyrues në nivel ndërkombëtar trajton në mënyrë të posaçme mbrojtjen e të dhënave të individëve.
Asnjë autoritet publik nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyjë ndaj ushtrimit të kësaj të drejte, përveç rasteve të parashikuara nga ligji, si për shembull në interes të sigurimit kombëtar, sigurisë publike, ose mirëqënies ekonomike të vendit, për parandalimin e çrregullimeve ose krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve.
Kjo e drejtë themelore është e sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe më konkretisht në nenin 35 të saj parashikohet qartë se askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit, bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, përjashtime të cilat nuk lidhen në asnjë rast me sa është bërë publike përmes medias por edhe pranuar në qëndrime publike nga përfaqësues të ndryshëm politikë gjatë kësaj jave.
Edhe më shqetësues është fakti që si argument për të mohuar marrjen apo rrjedhjen e këtyre të dhënave nga institucione shtetërore, përfaqësues të kësaj force politike deklarojnë se këto të dhëna janë mbledhur për vite e përditësuar ndër vite pa u shqetësuar për faktin se ligji e ndalon një gjë të tillë.
Mendimet dhe bindjet politike, hyjne tek të dhënat sensitive dhe thellësisht konfidenciale ku përfshihet çdo informacion për individin, që ka të bëjë me origjinën e tij racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale.
Por përpunimi i të dhënave personale, të përcaktuara në kuadër të veprimtarive të parandalimit dhe ndjekjes penale, për kryerjen e një vepre penale kundër rendit publik dhe të veprave të tjera në fushën e të drejtës penale, apo edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, mund të kryhet vetëm nga autoritetet zyrtare të përcaktuara në ligj.
Institucioni i Avokatit të Popullit dëshiron të qartësojë opinion publik se ka një mandat të kufizuar në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, pasi me miratimin e ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” mbikqyrja dhe monitorimi i mbrojtjes së të dhënave personale i ka kaluar Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucion i posaçëm i pavarur.
Avokati i Popullit vijon ta ketë garantimin e kësaj të drejte si pjesë të mandatit të tij promovues në kuadrin e të drejtave themelore të njeriut dhe në çdo rast do të kërkojë nga çdo institucion shtetëror të garantojë zbatimin e kësaj të drejte në standardin më të lartë të saj.
Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet shtetërore dhe ligjzbatuese të marrin çdo masë të nevojshme për të ndalur çdo përdorim të paligjshëm të të dhënave personale dhe nga çdo forcë politike të distancohet në mënyrë të qartë nga të tilla praktika që cënojnë të drejtat e njeriut. Çdokush që ka mbledhur, përpunuar apo ruajtur të dhëna personale është përgjegjës për të shpërblyer dëmin që u vjen qytetareve sipas nenit 17 të ligjit Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Së fundmi, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin se liria e medias duhet të garantohet thelbësisht dhe se hapësira demokratike në vend nuk duhet të cënohet.
Sigal