Avokati i Popullit kërkon të dhëna për gazin e përdorur nga Garda kundër protestuesve. Policia ushtroi dhunë në arrestimet e mesnatës

440
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Prokurorët burgosin 13 protestues, sekuestruan 33 mbetje në formë të fishekzjarrëve, sqepar e 29 shkopinj. Reagon Parlamenti Evropian për gazin helmues

Avokati i Popullit dje deklaroi, se protesta e 16 shkurtit ishte një tubim paqësor i qytetarëve e u krye brenda standardeve demokratike. Pra, një institucion kushtetues i pavarur në Shqipëri përgënjeshtron pretendimet e Policisë së Shtetit, se protestuesit dhunuan. Deklarata e Avokatit të Popullit, vë përpara përgjegjësisë dhe ligjit edhe urdhëruesit dhe zbatuesit që përdorën pa qenë nevoja, gaz helmues kundër protestuesve. Në mbrëmjen e 16 shkurtit Policia e Shtetit bllokoi sheshin para kryeministrisë, që bashkia të bënte pastrimin, duke prishur të gjitha provat, që mund të dëshmonin se çfarë gaze helmues përdori Garda e Republikës kundër protestuesve, ndërkohë, që prokuroria heshti. Kryeministri Rama falënderoi dje publikisht forcat e Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e rendit gjatë protestës së 16 shkurtit, ndërkohë që prokuroria ka prangosur 13 qytetarë për dhunën që ushtruan në protestë. Arrestimi i tyre u bë në bazë të pamjeve filmike të policisë si dhe ato të vendosura në Kryeministri, të cilat kanë fiksuar të gjithë veprimet e protestuesve. Identifikimi i tyre u bë në kohë rekord nga efektivat e policisë së kryeqytetit, por dhe agjentët e krimeve të ardhura nga rrethet, të cilët kanë verifikuar veprimet e tyre. Mirëpo, deri tani, askush nuk ka filluar hetime për gazin helmues që u përdor kundër protestuesve, si edhe për arrestimet që u kryen nga Policia e Shtetit në orët e vona të mesnatës, ku sipas dëshmive të të arrestuarve, të pohuara tek komisionerët e Avokatit të Popullit, policia demonstroi forcë dhe nxori armët në prani të familjarëve dhe fëmijëve brenda shtëpisë, metoda që të kujtojnë arrestimet e gestapos. Avokati Kujtim Cakrani, penalist, pohon në intervistën për gazetën “Telegraf” se policia nuk kishte mandate për arrestimet e mesnatës.

Prokuroria lë në burg 13 protestues me akuzën “shkatërrim të pronës”

Prokuroria do t’i kërkojë Gjykatës masën e arrestit me burg për 13 prej prangosurve pas protestës të opozitës. Gjatë protestës thotë Prokuroria disa persona hodhën kapsolla, shkopinj druri kundrejt policisë si dhe dëmtuan derën e kryeministrisë dhe e thyen me shufra hekuri dhe sende të tjera. Prokurorët pohojnë se pas këqyrjes në vendngjarje sekuestruan 33 mbetje në forme të fishekzjarrëve, sqepar e 29 shkopinj.

Hetimet për protestën, verifikim edhe veprimeve të Gardës dhe Policisë

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se kanë nisur verifikimet edhe për planin e masave të Gardës së Republikës dhe Policisë. Prokuroria do të verifikojë edhe veprimet e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, për planin e masave që janë marrë para dhe gjatë protestës si dhe a është zbatuar ai plan dhe a ka pasur tejkalim të kompetencave të policisë. Gjithashtu pritet edhe përfundimi i ekspertizave të policisë shkencore për lëndët e përdorura në protestë si nga ana e protestuesve dhe nga ana e Policisë dhe Gardës.

Konstatimet e Avokatit të Popullit: Protesta një tubim paqësor

Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar në mënyrë të kujdesshme tubimin e qytetarëve më datë 16.02.2019 si dhe sjelljen e autoriteteve tona ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të këtij tubimi. Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor. Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.

Pyetje për proporcionalitetin e gazit që përdori Garda

Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i Popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës. Avokati i Popullit, në datë 17.02.2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen, dhe prejardhjen e këtyre lëndëve. Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.

A.P: Arrestimet e mesnatës – Policia e Shtetit demonstroi represivitet të panevojshëm

Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë orëve të mbrëmjes në vijim. Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto arrestime. Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, qytetari F.H. ka raportuar një seri shkeljesh nga ana e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për ndalimin e tij, pamje filmike të të cilit janë publikuar edhe në disa media. Sipas deklarimeve të qytetarit por edhe pamjeve filmike të publikuara në media, një numër i madh forcash policore janë angazhuar për të kryer ndalimin në orët e mbrëmjes në banesën e tij. Sipas Avokatit të Popullit, ky raport kaq i shpërpjesëtuar angazhimi i një numri kaq të lartë anëtarësh të organeve ligjzbatuese për thjesht arrestimin e një qytetari të vetëm, mund të përbëjë një formë demonstrimi të panevojshëm represiviteti. F. H. ka denoncuar edhe se hyrja e forcave të rendit në mënyrë të dhunshme pa kërkuar më parë as akses normal në mjediset familjare është në shkelje të procedurave standarde.

A.P: Terrori i Policisë së Shtetit në familjet e të arrestuarve

Në mënyrë të veçantë ekspozimi i armëve në brendësi të banesës dhe në prani të fëmijëve të tij të mitur si dhe përdorimi i fjalëve fyese dhe degraduese ndaj tij përbëjnë shkelje të ligjit nga ana e efektivëve që kanë ekzekutuar urdhrin e arrestit. Sipas deklarimeve, bashkëshortja e qytetarit si dhe të dy fëmijët e mitur 12 dhe 5 vjeç kanë pësuar shok psikologjik nga ky manifestim i panevojshëm brutaliteti. Si nga pyetja e shtetasit F. H. ashtu edhe nga pamjet filmike të bëra publike në media, rezulton se sjellja e efektivëve që kanë ekzekutuar mandatin e arrestit është në kundërshtim me procedurat e ndalimit dhe shoqërimit dhe jo vetëm kaq, por gjithashtu rezulton se nga ana e tyre ka edhe pasur ushtrim dhune verbale e fizike. Pasi është dërguar në ambientin e shoqërimit të DVP Tiranë, qytetari është vizituar nga mjeku i këtij institucioni i cili ka rekomanduar që të dërgohet në Spitalin Ushtarak të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, sepse sipas atij goditjet në pjesën e kafkës prapa veshit ishin të rrezikshme për jetën. Pas rekomandimit të mjekut ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ka bërë ekzaminimet përkatëse ndërmjet të cilave skaner, si dhe ka marrë serum. Mbasi ka përfunduar ekzaminimet është shoqëruar në DVP Tiranë ku Oficeri i Policisë Gjyqësore në pranë të avokatit të tij i ka komunikuar arrestimin në flagrancë. Ndërkohë u konstatua se nga mjeku i institucionit të policisë ishte bërë shënimi në regjistrin e vizitave të personave të arrestuar/ndaluar duke pasqyruar pretendimet e tij për ushtrim dhune fizike, si dhe konstatimin e hematomave në pjesën e kokës prapa veshit të djathtë. Gjithashtu, sipas deklarimeve të avokatit të qytetarit F.H. dhe familjarëve të tij, në banesën e tyre është kryer edhe një kontroll (i pasuar edhe nga një i dytë në orët e natës), gjë për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion justifikues.

Parlamenti Evropian dënon përdorimin e gazit lotsjellës ndaj protestuesve

Parlamenti Evropian (PE) dënoi përdorimin nga policia të gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës ndaj protestuesve. Gazeta franceze “Le Monde” njofton se deputetët e PE-së votuan një rezolutë në datën 14 shkurt, e cila dënon përdorimin e tepërt të forcës nga ana e policisë ndaj protestuesve, veçanërisht përdorimin e gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës. Rezoluta “Mbi të drejtën për protesta paqësore dhe përdorimin e përpjesëtuar të forcës” dënon në mënyrë të veçantë “përdorimin e disa llojeve të armëve nga ana e policisë kundër protestuesve paqësorë, si ato me plumba me goditje kinetike [plumba gome] dhe të gazit lotsjellës,” si dhe “ndërhyrjet e dhunshme dhe të shpërpjesëtuara nga ana e autoriteteve publike gjatë protestave dhe demonstratave paqësore.” Rezoluta mori 438 vota pro, 78 kundër dhe 87 abstenime. 165 deputetët e majtë dhe të gjelbërt që nuk votuan pro, e bënë këtë pasi mendonin se rezoluta duhet të dënonte më ashpër përdorimin e dhunës dhe të gazit lotsjellës nga ana e policisë. Rezoluta i bën thirrje qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të përdorin forcën ndaj protestuesve vetëm kur është e domosdoshme, ta përdorin atë sa më pak të jetë e mundur, dhe të ruajnë jetën dhe shëndetin e protestuesve. “[Qeveritë] të sigurojnë që përdorimi i forcës nga agjencitë ligjzbatuese të jetë gjithnjë ligjor, proporcional dhe vetëm kur është i nevojshëm, si dhe të ushtrohet vetëm me qëllimin për të ruajtur jetët dhe integritetin fizik të personave.” Më tej rezoluta thotë se “përdorimi pa dallim i forcës ndaj turmës shkon kundër parimit të proporcionalitetit.” Kërkesa fillestare për hartimin e rezolutës u bë nga deputetë të majtë dhe të gjelbër të Parlamentit Evropian, të cilët në fund votuan kundër ose abstenuan, pasi sipas tyre teksti përfundimtar nuk e dënonte mjaftueshëm policinë për përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës ndaj protestuesve. Në diskutimin përpara votimit në PE, deputetë francezë dënuan përdorimin e këtyre armëve gjatë protestave të “jelekverdhëve” në Francë. Të ashtuquajturit “jelekverdhë”, për shkak se veshin jelekë fosforeshentë në protesta, nisën të protestonin kundër qeverisë franceze kur çmimi i naftës në vend u rrit me 8 lekë për litër dhe ai i benzinës me 3 lekë për litër.