Avioni ushtarak godet gabimisht një kamp refugjatësh në Nigeri, 100 të vdekur

400
Masakër në Nigeri, ku një avion ushtarak ka bombarduar gabimisht një kamp refugjatësh. Sipas Mjekëve pa Kufij, në sulm humbën jetën rreth 100 persona, ndërsa janë plagosur dhjetëra të tjerë. Mes viktimave ka edhe vullnetarë të organizatave humanitare.
Mjeti ajror po monitoronte zonën gjatë një misioni kundër rebelëve islamikë të Boko Haram pranë kufirit me Kamerunin.
Gjenerali Lucky Irabor, përgjegjës i operacionit kundër Boko Haram tha se është i papërcaktuar numri i viktimave dhe të plagosurve, mes të cilëve janë shumë punonjës humanitarë dhe nigerianë që punojnë si mjekë për organizatën “Mjekë pa Kufij” dhe për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Edhe dy ushtarë kanë mbetur të plagosur.
Gjenerali tha se kishte dhënë urdhër për misionin duke u bazuar në informacione për një rigrupim të Boko Haram pikërisht në atë zonë me ato koordinata. Ai shtoi se është herët për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një gabim taktik apo gjeografik. Në çdo rast, nënvizoi ai, avioni nuk ka marrë shënjestër vullnetarisht mbi civilët dhe kampin, por për ngjarjen është hapur një hetim.
Sigal