Av. Kujtim Cakrani: Mosndëshkimi i dosjeve 339 dhe 184 inkurajoi krimin dhe pushtetin që të vazhdonin manipulimin e votës së qytetarëve

140
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

– Tashmë opinioni publik është i njohur me dosjet penale 339 dhe 184, të cilat u bënë të famshme për shkak se në to, janë përfshirë personazhe të politikës qendrore dhe lokale por jo vetëm, gjithashtu në këto dosje, janë emrat e drejtuesëve të lartë të policisë së shtetit, të lidhur, që bashkë me struktura të krimit organizuar dhe falë një organizimi perfekt, shantazhuan qytetarët me qëllimin e vetëm, sigurimin e votës për forcën politike, Partia Socialiste. Këto dosje me gjithë emrat përkatës u bënë publike falë ‘BILD’ një media Gjermane, nga e cila opinioni publik mësoi skemën kriminale të vjedhjes së votës nga pushteti, dhe ku strukturat e tij të njësuara me krimin, kryen masakrën më të madhe zgjedhore të ndodhur deri atëherë. Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar (SPAK), në mënyrë të çuditshme, vendosi mos ta hetonte këtë masakër duke gjetur “kleçkën” procedurale të moskompetencës. Sipas saj, nuk ishte grupi strukturuar kriminal dhe në këtë mënyrë e zhfleftësoi këtë çështje, duke ua dërguar prokurorive të rretheve përkatëse  që të gjykoheshin prej gjykatave të këtyre rretheve. Ndërkohë që në kodin e procedurës penale, në nenin 75, janë të përcaktuar qartë dispozitat kompetencë e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit Organizuar. Natyrisht që mosndëshkimi i personazheve të këtyre dosjeve bëri që të  ripërsëriteshin  të njëjtat forma dhe mënyra edhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në këto zgjedhje partia shtet përdori forma të tjera për manipulimin e votës, në skenë dolën  të ashtëquajturit patronazhistë, të cilët kishin nën mbikqyrjen e tyre rreth 910 mijë qytetarë me të drejtë vote. Patronazhistët ishin kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ata me forma si ish Sigurimi Shtetit kujdesej, duke mbajtur nën vëzhgim qytetarët, problematikat që ata kishin dhe rast pas rasti, ata ju ofronin zgjidhjen, që ishin thesi me miell apo pakot me ushqime, legalizimet deri tek ndihma me dhënie bagëtish. Pra, mosndëshkimi në të shkuarën,  bëri që askush mos ketë frikë dhe për të vazhduar manipulimin apo deformimin e votës së qytetarëve.

-Masakrën zgjedhore të 25 prillit e kuptuan dhe panë të gjithë Shqiptarët, madje kësaj here, edhe organizatat ndërkombëtare që ishin prezente në Shqipëri e konstatuan këtë gjë, që në momentet e para. Partia dhe shteti u shkrinë në një të vetëm. Objektivi ishte një, mbajtja me çdo kusht e pushtetit. Një veçori e kësaj masakre ishte edhe alokimi i fondeve nga Ministria e Financave për banorët e zonave të dëmtuara nga tërmeti, sidomos në zonat e Durrësit, vetëm 3 ditë para votimeve. Gjithashtu, partia- shtet, për banorët e Myzeqesë, me statusin e fermerit çeli fondin e subvencionimit, dhe Drejtoritë e Bujqësive në qarkun e Fierit nisën ndarjen e tallonave me karburante ditën e shtunë, madje vazhdoi edhe ditën e dielë, pra ditën e zgjedhjeve. Punësimet sezonale në OSHEE apo Ujësjellës- Kanalizime, ishin një tjetër formë e blerjes së votave. Këto ishin vetëm maja e ajsbergut, pasi pati edhe blerje votash me lekë në dorë dhe forma të tjera. Natyrshëm që OSBE/ODIHR i konstatuan të gjitha këto paligjshmëri dhe tashmë janë pjesë e raportit të tyre dhe referimit në instancat më të larta vendimarrëse të BE-së. Shqipëria ngelet i vetmi vend në Evropë, ndoshta dhe në botë, që nuk po arrin të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Organet ligjzbatuese si SPAK etj, duhet të kishin vepruar menjëherë me qëllim që personat përgjegjës të manipulimit të votës, deformimit të saj, duke shfrytëzuar pozicionet politike, të ndëshkoheshin dhe opinionit publik  t’i kthehet besimi tek zgjedhjet, dhe Shqipërisë imazhi, si vend demokratik.