Av. Idajet Beqiri/ Kësaj i thonë «Sa për t’i gjetur opozitës punë»!

539
Sigal

 Debati për Aktin Normativ për shtyrjen në 6 muaj të ligjit “Për Nëpunësin Civil”

Akti Normativ i Qeverisë për shtyrjen e Ligjit «Për Statusin e Nëpunësit Civil» ishte veprimi i vetëm, që duhej kryer në kushtet, kur ky ligj është i pazbatueshëm. Rrugë tjetër ligjore nuk ka. Ligji «Për Statusin e Nëpunësit Civil» nëse nuk plotësohet me aktet nënligjore, të cilat duhet t’i nxjerrë Qeveria, do të mbetej vetëm një akt ligjor vetëm për në bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë, si « stoli »! Nuk janë pak, por plot 20 akte nënligjore, të cilat duhet t’i hartojnë me përgjegjësi të lartë, me këndvështrim largpamës dhe me një teknik juridike perfekte juristët profesionistë, që njohin shumë mirë legjislacionin, në fushën administrative, legjislacioni e punës si dhe që janë procedurialistë të përsosur. Këta duhet t’i bëjnë këtij Ligji edhe amendimet e nevojshme, sepse ende pa filluar zbatimi i këtij Ligji të ri «Për Statusin e Nëpunësit Civil», për shkaqe subjektive dhe objektive, disa dispozita të tij janë tejkaluar, ende pa u vënë në zbatim. Këtu ka ndikuar, pikësëpari, «puna shkel e shko» e atyre që e kanë formuluar këtë ligj, të cilët kanë dashur të plotësojnë formalisht kushtin e BE-së për miratimin e ligjit për nëpunësin civil. Ka ndikuar, gjithashtu, fakti se maxhoranca e djeshme e Berishës, duke i bërë «hesapet pa hanxhinë », kishin menduar se do të fitonin një mandat të tretë dhe u interesonte të kishin një ligj «Për Statusin e Nëpunësit Civil» sa formal, aq dhe të pazbatueshëm. Me një ligj të tillë, maxhoranca e djeshme kërkonte ta përdorte dhe ta bënte administratën publike, ashtu sikurse e bëri për plot 8 vjet me radhë, «celula të PD-së», që fitonin lekë, pasuri dhe privilegje gjithfarë llojshe, vetëm që të prodhonin vota për PD-në në zgjedhjet elektorale! Në kushtet e mësipërme, opozita aktuale, në vend që të nxjerrë përgjegjësinë tek vetvetja, për këtë mënyrë primitive të vepruari, si dhe në vend që t’a përshëndesë aktin normativ që nxori Qeveria, në bazë të nenit 101 të Kushtetutës së Republikës, si zgjidhja e vetme dhe më fatlume ligjore për të shtyrë efektet zbatuese të këtij ligji për 6 muaj, bëjnë rolin e «shpirtit të keq», duke u treguar të papërgjegjshëm me vetveten, me nëpunësit civil në përgjithësi, por mbi të gjitha me rolin, me nocionet, me konceptet dhe me parimet e normat bazë të funksionimit normal të administratës publike të një shteti ligjor dhe demokratik. Akti Normativ i Qeverisë, nga 1 tetori 2013 e në vazhdim ka tashmë fuqinë e ligjit. Ai është nxjerrë mbi një bazë ligjore solide, sikurse është neni 101 i Kushtetutës së Republikës. Nxjerrja e tij u bë mbi baza të urgjencës dhe për nevoja jetike, nën përgjegjësinë direkt të Qeverisë dhe që ka fuqinë e ligjit përkohësisht. Kjo do të thotë që Kuvendi i Shqipërisë brenda afatit 45 ditor ose do t’i thotë « po », ose do t’i thotë « jo » këtij akti normativ të Qeverisë. Pra, Kuvendi ka për detyrë vetëm të shikoj vlefshmërinë, ose pavlefshmërinë e tij dhe asgjë tjetër. Paraqitja prej Opozitës, i një kërkesë padie në Gjykatën Kushtetuese, të cilën e kanë nënshkruar 40 deputetë të saj, me anën e të cilës kërkohet që ky Akt Normativ të pezullohet dhe të shpallet antikushtetues, nën mendësinë e mbrapshtë dhe inekzistente, se gjoja «miratimi i Aktit Normativ i jep qeverisë tre muaj kohë për të bërë spastrime në administratë për shkak se ajo tashmë nuk ka më mbrojtje ligjore », është e mbrapshtë, inekzistente dhe nga pikëpamja juridike shumë profane. Ligji i nëpunësit civil i vjetri, i cili ka ende fuqi vepruese pas miratimit të aktit normativ të Qeverisë për shtyrjen e zbatueshmërisë së këtij ligji të ri, u vjen më mirë në ndihmë dhe i mbron shumë herë më mirë nëpunësit civil, se sa ky Ligj i ri i pazbatueshëm «Për Statusin e Nëpunësit Civil». Pra, halli nuk është këtu. Opozita e sotme nuk është e aftë të dal nga rrethi vicioz, ku e ka futur Berisha qysh në themelimin e saj. Ajo është krijuar, ka vepruar dhe kërkon të veprojë edhe në të ardhmen nën mendësinë e destruktivitetit, të destabilitetit, të dhunës, të shkatërrimit dhe të mos funksionimit të shtetit të së drejtës, të djegies, të vrasjeve, ose thënë më shkurt, të shkatërrimit psikik të popullit dhe të lëshimit të tij në pozitat e disfatizmit, e cila pati efekte në vitin 1992, sepse populli tha: «Jepuani pushtetin banditëve, të shpëtojmë nga kaosi», duke e kërkuar kështu daljen nga kaosi i PD-së, brenda kaosit! Pra, e ashtuquajtura « antikushtetueshmëri e Aktit Normativ të Qeverisë », « thika pas shpine ndaj konsensusit », nuk janë gjë tjetër, veç një manovër e dal boje për t’u bërë opozita « me kauz », për të justifikuar destruktivitetin dhe vandalizmat e pritshme të saj. Qeveria dhe maxhoranca aktuale duhet ta ketë të qartë këtë «strategji » të mbrapshtë të kësaj Opozite të parinovueshme, ndaj duhet t’i besoj vetëm ligjit. Mbi ligjin, mbi Kushtetutën e vendit, nuk ka «konsensus» të « deshëve përçorë », të cilët luftojnë për t’i thyer brinjtë njëri-tjetrit, në arenën e më të fortit fizikisht! Konsensusi më i mirë është mënyra se si votohet ky ligj. Pa patur 84 vota, domethënë një shumicë absolute të votave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Ligji «Për Statusin e Nëpunësit Civil» nuk mund të miratohet. Në se 84 deputetë e votojnë atë, gjithë shtetasit e vendit, nga Presidenti i Republikës e deri te fermeri më i thjeshtë, atje në majë të malit, është absolutisht i detyruar ta zbatojë këtë vullnet të organit legjislativ. Shqipërinë e rilindur, anëtare të ardhshme të BE-së, nuk do e bëjë «e drejta zakonore », por ligjet e forta të shtetit, ligjet e përshtatura me legjislacionin progresist të BE-së.