Av. Cakrani: Veprat penale të blerjes së votave nga bandat në pushtet

556
Sigal

Juristi penalist Kujtim CAKRANI: Ja veprat penale që kanë kryer eksponentët socialistë në blerjen e votave

Prokuroria trembet nga qeveria të zbardhë audiopërgjimet e blerjes së votave

 

Juristi penalist Kujtim Cakrani në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh të gjitha veprat penale që kanë kryer eksponentët socialistë që dëgjohen në audiopërgjimet e “Bild”, në blerjen e votave në 2016 dhe 2017 në Durrës dhe në Dibër. Gjithashtu Av. Cakrani shpjegon edhe arsyen pse dosjet 339 dhe 184 “flenë” në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nuk çohen në gjykatë, sepse prokurorët e guximshëm u zbuan nga kjo prokurori, ndërsa të tjerët që i kanë çështjet e hetimit, tremben nga qeveria.

Avokat Cakrani, çfarë vepre penale kanë shkaktuar me ato biseda që përmenden në audiopërgjimet e “Bild”?

Këto përgjime janë fokusuar në dy qarqe Durrës dhe Dibër dhe tashmë jemi në dijeni që procedimet penale janë të ndara në dy dosje, njëra mban numrin 339 dhe tjetra 184. Nga CD e audiopërgjimeve prokurori i çështjes ka konstatuar se: Në vjedhjen e votave kanë qenë të përfshirë që nga Kryeministri vendit Z. Rama, Ministrat e Kabinetit të tij, Z. Gjiknuri, Ulsi Manja, ish-deputeti Artan Gaçi, bashkëshorti i ministres së Mbrojtjes, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, zyrtarë lokalë, por edhe njerëz që vijnë nga bota e krimit apo, siç njihen ndryshe në gjuhën popullore, “të fortët” e zonës. Nga audiopërgjimet është konstatuar tashmë që të gjithë të lartpërmendurit, duke filluar nga kryeministri, ministrat, drejtuesit e policisë deri tek të fortët ka pasur një plan konkret të mirëorganizuar me qëllim, deformimin e votës së qytetarëve në favor të forcës politike, Partia Socialiste. Në këtë këndvështrim këta persona me në krye kryeministrin e vendit kanë konsumuar plot 9 vepra penale, duke filluar nga:

  • neni 248 shpërdorimi i detyrës,
  • neni 328-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve
  • 328/a-Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike
  • 328 b-Korrupsioni pasiv në zgjedhje
  • 329-kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
  • 330- Pengimi i zgjedhësit
  • 331-Shkelja e së drejtës së zgjedhjes
  • 331/a Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit
  • 332/a Shpërdorimi i autoritetit policor
  • 333 Organizata kriminale 333/a Grupi strukturuar kriminal dhe
  • 334 Kryerja e veprave penale nga grupi strukturuar kriminal.

Pra, nga sa kuptohet nga audiopërgjimet këta persona duke filluar nga kryeministri kanë konsumuar plot 12 vepra penale dhe, sipas kodit penal, këta bashkërisht formojnë grupin e strukturuar kriminal, me kryetar grupi Kryeministrin e vendit. Natyrisht, është një akuzë e rëndë, por ata që sot kanë mbushur burgjet e vendit dhe kryesisht burgun që kanë akuzën e grupit të strukturuar kriminal se janë përgjuar për kanabis apo kanë qenë në vendin e gabuar në momentin e gabuar nuk është se kanë bërë ndonjë gjë më shumë se këta që kanë shkatërruar sistemin zgjedhor dhe, si rrjedhojë, kanë cenuar rëndë rendin demokratik pasi me veprimet e tyre kanë bërë që qytetarët të humbasin shpresën tek sistemi që jetojmë, pra tek ai demokratik!

-Përse prokuroria nuk ka zbardhur akoma akuzën

Së pari, këto përgjime i ka nisur një prokuror që sot ka dalë jashtë sistemit të drejtësisë për shkak të vettingut! Më pas u ngarkua një prokuror tjetër, i cili ku edhe ky u transferua në një rreth larg nga Tirana. U ngarkuan dy prokurorë të tjerë për t’i hetuar këto dosje, por në këtë kohë politika, në fakt mazhoranca, ra në dijeni të këtyre përgjimeve dhe duke qenë se, ishte në panik të plotë nisi gjuetinë e shtrigave, duke u munduar të emëronte prokurorë të tjerë për t’i ndjekur hetimet me qëllim, mbylljen e këtyre dosjeve. Natyrisht që në dijeni të këtyre ra edhe opozita, e cila denoncoi për afro një vit rresht indiferencën e prokurorisë, duke e akuzuar atë të lidhur me politikën. Nga njëra anë mazhoranca në anën tjetër opozita, prokuroria ishte nën një presion për t’i shkuar deri në fund hetimit.

Së dyti, prokurorët e çështjes nuk i zbardhnin apo të përfundojnë hetimet edhe për një arsye tjetër, ata nuk kanë kaluar akoma procesin e Vettingut, kështu që mazhoranca ka një armë të fortë në dorë duke i kërcënuar ata, me largim. Të gjithë jemi dëshmitarë sepse jetojmë në këtë vend, që edhe prokurorët, kanë konflikt interesi dhe zbardhja e këtyre audiopërgjimeve do të prek edhe njerëz të afërt të tyre me lidhje gjaku, shoqërore, miqësore etj. Zbardhja e këtyre audiopërgjimeve apo dhe dosjes në përgjithësi nuk kërkon ndonjë kohë të madhe pak seriozitet dhe profesionalizëm dhe gjithçka do të ishte zbardhur dhe të gjithë personat që kanë folur më njëri tjetrin duke dhënë urdhra apo marrë urdhra me qëllimin, deformimin e votës së qytetarëve të merreshin nën akuzë dhe, natyrisht, të mbanin përgjegjësin penale sipas fajit që ata kanë bërë.