Aurel Plasari: “Le Monde” një mijë e njëqind

324
Sigal

Uromëni. Sepse sot kam fituar një bast me katër miq. Fluturonin nga gëzimi kur e përditshmja pariziane “Le Monde”, e paraqitur për lexuesit shqiptarë si “prestigjiozja”, kishte botuar një artikull në të cilin e quante prishjen e Teatrit Kombëtar nga qeveria një akt barbar: “En Albanie, le Théâtre national détruit par le gouvernement, un acte barbare”.

Isha jo vetëm pa pikë dalldie, por krejt shpërfillës. Më detyruan t’ua shpjegoja miqve atë shpërfillje duke i sqaruar që mund të ishte fjala për një rrëshqitje momenti të “prestigjiozes”, artikull pa kurrfarë pagese, me sa dukej. Ndërsa afërsisht mbas një jave, u premtova, do të lexonin po në atë “prestigjioze” një artikull të prishësit të të ndërtesës kulturore me vlera disafish historiker. Aty do t’u tregohej francezëve historia me-kokë-poshtë, duke argumentuar vërtetësinë e gënjeshtrave.

Çudi e madhe! Si ka mundësi që u desh përpikmërisht një javë sa artikulli me-kokë-poshtë të shfaqej te “prestigjiozja”?

Qysh kur kam pasur rast të bëj të njohur me të përditshmen franceze “Le Monde” e pata mësuar që ajo funksiononte si njëfarë pike referimi e së majtës pariziane, madje më sak e inteligjencies franceze “të haviarit”, siç quhet ajo inteligjencie që, nga njëra anë, qan hallet dhe zavallet e klasës punëtore, ndërsa nga tjetra jeton për vete në luks e në zdërhallë. Hipokrizi e gjallë. E beson kush që nuk u paguaka për shërbime të vyera një e përditshme e tillë?

Pyetjes që bëra nuk ka nevojë t’i përgjigjem unë, sepse në Francë ia kanë dhënë një përgjigje dy autorë, gazetarët Pierre Péan dhe Philippe Cohen, me një libër që tronditi opinionin publik i cili, jo rrallë, edhe i zinte besë me tërë mend “objektivitetit” të së përditshmes pariziane me “prestigjin” e madh. Libri titullohet “La face cachée du Monde” (Fytyra e fshehur e “Le monde”-it), i botuar më 2003 me një sukses të jashtëzakonshëm: vetëm ditën e parë të daljes 60 000 kopje të shitura, ndërsa më shumë se 200 000 në tërësi.

Libri ishte rezultat i investigimit të dy gazetarëve, të cilët ia nxirrnin në publik të lintat e palara “pretigjiozes”: duke filluar nga lidhjet financiare që ia tjetërsonin gazetës “asnjanësinë” aq të pretenduar, te lobingjet përkundrejt pagesave, te përdorimi i asaj që në Francë quhet “pouvoir d’intimidation” dhe me radhë. Ç’mund të them unë më shumë? Asgjë përveçse të nxis – ndonjë të interesuar – t’ia hedhë një sy këtij libri.

Ja pra se përse e prisja kthesën e “prestigjiozes”, duke e ditur që, për ç’i takon “objektivitetit”, “asnjanësisë” e dokrra kësi lloji, ajo nuk është aspak “e virgjër”. E virgjër në atë kuptim që arvaniti i madh Marko Boçari, në Fjalorthin e tij të ndershëm për konsullin frëng Pouqueville, ia përktheu atij thjesht “e paqirë”. Nuk është e tillë “Le Monde”-i dhe prandaj mban: ku ka vatur mija, le të vejë edhe qindi.