Prof. Dr. Aurel Plasari: Kukurrecaxhiu universal

385
Sigal

Prof. Dr. Aurel Plasari- studiues

Shënim

Njëra ndër situatat satirike politike më gërryese të Aristofanit është ajo me kukurecaxhiun në komedinë “Kalorësit”.

Dy personazhe shërbëtorë, ndërsa ndodhen poshtë shtratit të padronit të tyre për të pastruar, zbulojnë një “orakull” dhe ky “orakull” u profetizon që në rivalitetin për të qeverisur Demosin, d.m.th. popullin, e ardhmja i takon një kukurecaxhiu. Vihen të dy në kërkim të kukurecaxhiut me detyrën që ta promovojnë atë para Demosit për qeveritar.

Mirëpo ka edhe rivalë që pretendojnë të qeverisnin, prandaj zhvillohet një konkurs publik që Demosi të bindet se kush nga konkurrentët është më i zoti. Nuk e kam librin për duarsh dhe po e riprodhoj situatën nga sa mbaj mend.

Në fillim vetë kukurecaxhiu nuk kupton se ç’kërkojnë prej tij. Ngurron duke mos qenë i bindur se përse duhet ta lërë zanatin e të merret me qeverisjen: “Po ku marr vesh unë? Zanati im është të bëj kukurec!”. Mirëpo promovuesit e tij i japin zemër: “Nuk është aspak e vështirë! Ti vazhdo të bësh atë që ke bërë: përziej në kazan çështjet publike, shkartisi mirë e mirë siç bën me yçin për kukurec, lezetoji pak duke u hedhur ndonjë erzë si akçi i mirë që je… Të dhënat e tjera prej demagogu i ke: zë të tmerrshëm, prejardhje poshtanike, të sjella harbute, pra ke gjithë sa duhet për të qeverisur Demosin”.

Dhe ja ku në garën për qeverisje kukurecaxhiu rezulton aq xhagajdur i pacipë sa i mposht edhe rivalët e tij të rëndomtë, i bindur edhe vetë që qeverisja e Demosit nuk është asgjë më shumë se gatimi i kukurecit. Etj.

“Kalorësit” u shfaq për të parën herë në një festival në Athinë, në vitin 424 para erë sonë, dhe autorit iu dha çmimi i parë; ka, pra, gati 2500 vjet që ngrihet në skena si të jetë komedi e ditës.