Atje ku nuk ka demokraci, automatikisht ka diktaturë  

341
Sigal

 

  • Analizë nga  Prof. Dr. Ana Leka:  E nderuar znj. Kim, ne duam demokraci dhe drejtësi. Kaq shumë po kërkojmë vallë? Atje ku ka demokraci ka shpresë. Atje ku demokracia vritet  edhe shpresa shuhet. Votimet moniste të 30 qershorit dhe  parlamenti i kastruar me 122 deputetë, janë vetëm dy nga elementët e diktaturës shqiptare.
  • Mungesa e sundimit të ligjit, kapja e të gjithë pushteteve, asfiksimi i llogaridhënies, Dvorani 100 milionësh dhe Reforma në Drejtësi nën logjikën e Makiavelit se qëllimi justifikon mjeton, duke shkelur Kushtetutën.
  • Sovraniteti i Shqipërisë, eksperimenti me shqiptarët, karriera e ambasadorëve dhe dhunimi i intelektualëve, artistëve, profesorëve, gazetarëve, mjekëve, sportistëve, fermerëve, punëtorëve, pensionistëve dhe te rinjve që po zbrazin vendin?

 

Atje ku ka demokraci ka shpresë. Atje ku demokracia vritet edhe shpresa shuhet. Votimet moniste të 30 qershorit, sikurse edhe parlamenti i kastruar me 122 deputetë, janë vetëm dy nga elementët e diktaturës shqiptare.

A e dini që errësira nuk ekziston? As vdekja nuk ekziston. Nëse pyesni një shkencëtar, ai/ajo do ua shpjegojë se errësira është mungesa e dritës, dhe vdekja është mungesa e jetës. Kështu edhe me diktaturën! Nuk është një përbindësh i shëmtuar me shumë koka që të tmerron e që dallohet prej së largu, është vetëm mungesa e demokracisë. Ndaj atje ku nuk ka demokraci, automatikisht ka diktaturë.

01

A është Shqipëria sot në diktaturë?

Përgjigja është e thjeshtë. Po. Sepse këtu mungon demokracia.

Dhe nuk ka asnjë shqiptar që nuk e ka kuptuar këtë. Madje edhe ambasadorët e vendeve më demokratike të botës në Tiranë e dinë fare mirë, por nuk bëjnë zë. Edhe Yuri Kim e di, edhe Soreca, edhe të tjerët.

Nëse u habitët me këtë arsyetim të certifikuar nga shkenca prej shekujsh, mësoni edhe diçka tjetër, që demokracia nuk është një koncept modern, përkundrazi është 2500 vjeçar. Ndaj mos e besoni gënjeshtrën e madhe që qeveria ia përçon popullit se demokracia është diçka modern, e ne si shtet i brishtë na duhet kohë ta arrijmë. Jo. Jemi të vonuar dekadë pas dekade. Dhe fatkeqësisht, sot jemi më larg saj se kurrë në këto tre dekadat e fundit.

Demokracia e ka origjinën në Athinën e lashtë në vitet  500-të para Krishtit. Ajo u përsos ndër shekuj për të arritur në atë që ne e quajmë sot Demokraci Liberale, e cila nuk mbështetet mbi sundimin e shumicës, pra 50+1, por respektimin e pakicës, sepse dy ujqër dhe një dele që hedhin me votë të lirë se kë do hanë për drekë nuk prodhon drejtësi, por vetëm diktat, tirani dhe padrejtësi.

Demokracia liberale matet me respektimin që i bëhet pakicës. Ky është parimi i shteteve të zhvilluara të botës! Ky është standardi i vendeve më demokratike të botës, të cilat nuk udhëhiqen nga arroganca e pushtetit që kontrollojnë por mbi interesat e atyre që qeverisin. Ndaj edhe shtetarët më të shquar të historisë, si përshembull Abraham Lincoln i cili tha: “Ashtu siç nuk dua të jem skllav, nuk dua as të jem pardon”, e lidhin qeverisjen me shërbimin dhe jo sundimin.

Në  Shqipëri  jo vetëm që nuk ka Demokraci Liberale, pra një shumicë që respekton pakicën, por është e kundërta, kemi një pakicë që po shtyp shumicën. Kjo është një diktaturë e pastër. Pakica kontrollon ekzekutivin, legjislativin, drejtësinë, median, dhe ekonominë. Madje ajo i bën dhurata të majmura edhe disa burokratëve ndërkombëtarë. Një dorë e vogël njerëzish shtrëngojnë fort në grushtin e tyre një popull të tërë. Dhe gishtat e kësaj dore të vogël kontrollojnë ekonominë e të gjithë vendit.

02

Nostalgjia për  diktaturën:  Pushtet 100 % , si në atë Vendor dhe Parlamentar !

Pakica kontrollon  90%  të gjithë pushtetit në vend, 100% atë qendror dhe 100% atë vendor  përfshirë edhe 100% të këshillave  bashkiakë. Ky pushtet bazohet vetëm mbi votat e administratës shtetërore, e cila  e kërcënuar me largimin nga puna, siç evidentohet nga raporti i OSBE/ODIHR, u paraqit me hir e me pahir në votimet moniste të 30 qershorit  2019,  votime me një kandidat  që as në Athinën e lashtë  nuk do njiheshin si legjitime, e që edhe pse pas 27 ditësh nxorrën rezultatin përfundimtar, nuk i dhanë qeverisë as 40 deputetë, nëse do përkthehej në mandate parlamentare. Votimet moniste  të 30 qershorit, sikurse edhe parlamenti i kastruar me 122 deputetë, janë vetëm dy nga elementët e diktaturës shqiptare.

03

Raportet e përvitshme të SHBA dhe BE për mungesat e sundimit të ligjit

“Demokracia nuk është një formë qeverisjeje se sa është një paketë parimesh” -tha presidenti amerikan Ëoodroë Ëilson. Ndër parimet e saj më themeltare është fjala e lirë, sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve. Të gjitha këto parime janë shkelur dhunshëm në Shqipëri gjatë viteve të fundit, me një ritëm dhe urrejtje të paprecedentë ndaj tyre, sikur të ishin një obsesion, makth dhe fobi e kësaj qeverie. Sikur Kushtetuta e vendit të ishte armikja më e përbetuar e saj. Ligje pas ligjesh antikushtetuese, siç është paketa anti-shpifje, janë hartuar nga qeveria për ta shtypur fjalën e lirë, pavarësisht  kundërshtimeve  të institucioneve  më të rëndësishme europiane, organizatave botërore të të drejtave të njeriut apo atyre të medias. Mungesa e sundimit të ligjit përmendet në çdo referencë të Bashkimit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që bëhet për Shqipërinë. Mungesa e sundimit të ligjit është e përhershme tek kushtet e përvitshme që BE i vendos Shqipërisë për procesin e negociatave të pranimit. Dhe ja me një arrogancë të shfrenuar, qeveria jo vetëm që shpërfill kushtet e shtuara me 300%  për procesin e integrimit, kritikat e vazhdueshme të Raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Transparency International, Freedom House, Doing Business, Reporters Ëithout Borders, Bundestag-ut gjerman, Parlamentit Hollandez, etj, ajo këmbëngul në marrëzinë e saj duke mbyllur televizione, duke paditur e dhunuar gazetarë, duke prishur Teatrin Kombëtar, duke shkelur të drejtat themeltare të shqiptarëve, duke shkelur Kushtetutën në çdo ligj e çdo aksion, duke krijuar kriza  artificiale dhe konflikte civile, e duke asgjësuar tërësisht llogaridhënien, me pretendimin se mund të bëjnë çdo gjë, deri sa populli të jape verdiktin e tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por ky pretendim nuk qëndron! Asnjë vend demokratik i botës nuk lejon një qeveri të përdhosë Kushtetutën dhe shkelë popullin e saj deri në gjykimin me votë në fund të katër vjeçarit. Në një vend me demokraci liberale, jo vetëm që ndërgjegja e qeverisë është tejet e lartë ndaj shqetësimeve të atyre që ajo qeveris, por ajo është e limituar nga parimi i ndarjes së pushteteve, parim i njohur si “check and balance”: pra nëse ekzekutivi (qeveria) kalon caqet kushtetuese, shkel të drejta apo kapërcen fuqinë e autoritetit që ka, legjislativi (parlamenti) dhe drejtësia (gjykatat dhe prokuroria) e sjellin atë në shinat ligjore dhe kushtetuese, madje në rast shkeljesh të rënda mund të arrijnë në shkarkime dhe arrestime të titullarëve më të lartë të shtetit, përfshirë edhe Kryeministrin.

04

Modeli i trias politica, i ndarjes së pushteteve, daton aq herët sa edhe demokracia.

 

Që nga Aristoteli në shekullin e IV para Krishtit, e më vonë me Montesquieu në shekullin e XVIII-të. Dhe ja, teksa në shumicën e shteteve të botës do ishte turp të diskutohet apo shkruhet mbi ndarjen e pushteteve, pasi konsiderohet abetarja e një shteti, parim qeverisjeje që mësohet që në klasat fillore, nën diktaturën shqiptare nuk ka ndarje pushtetesh, si rrjedhojë nuk ka llogaridhënie.

Asnjë vendim apo ligj i qeverisë nuk është kushtetues. Verifikojini znj. Kim. Llogaridhënia nuk ekziston më në këtë vend.

Kush do i kërkojë sot llogari Kryeministrit me të gjitha shkeljet e zullumet që ka kryer? Parlamenti i kastruar i cili nuk përmbush kriterin e Neni 64 të Kushtetutës, ku thuhet se duhet të përbëhet nga 140 deputetë ndërkohë që ka 122, e nuk arrin dot të plotësohet, pasi listat e kandidatëve janë shteruar plotësisht?  Kush do e çojë Kryeministrin, ministrat, apo çdo zyrtar të lartë përpara drejtësisë apo të ndëshkohet nga ligji? Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Gjykata e Lartë nuk funksionon! Pa gjykata, qeveria nuk i jep llogari askujt. Ndaj edhe u lanë qëllimisht jashtë funksionit për 3 vite rresht. Që ndërkohë drejtësia ishte jashtë përdorimi, ekzekutivi mund të kryente çdo veprim, mund të nxirrte çdo ligj, mund të miratonte çdo konçension, mund të prishte çdo godinë, e të materializonte çdo marrëzi sipas fantazisë së saj, pa i dhënë llogari askujt, e pa patur aspak frikë nga drejtësia.

Por, mos u gënjeni, kjo liri nga pandëshkueshmëria ka qenë dhe është vetëm për qeverinë dhe kokat e saj, sepse për popullin dhe qytetarin e thjeshtë, gjendet në çdo orë të ditës e natës një xhelat që ta ekzekutojë, ndaj teksa gjatë këtyre viteve pa gjykata supreme pushtetarët kanë dhunuar çdo ligj të këtij shteti, qytetarë të thjeshtë kanë përfunduar me vite në burg, për shifra qesharake të faturave të mospaguara të dritave, apo shkelje banale, të cilat në disa raste kanë rezultuar tragjikisht me vetvrasje. Dhe kjo tragjedi e madhe e drejtësisë shqiptare të kujton Fermën e Kafshëve të George Orëell ku ai flet për derrat që qeverisnin duke shtypur të tjerët të cilët në murin e plevicës së fermës shkruajtën këtë ligj: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta sesa të tjerat”. Me një kontroll të plotë mbi ekzekutivin, legjislativin, dhe me një drejtësi jo-funksionale tre vitet e fundit kanë qenë një parajsë e vërtetë për çdo plan personal apo qëllim të atij grushti me interesa ekonomike. Por duke e ditur që ky muaj mjalti do përfundojë, qeveria është vërsulur me furi për të kapur të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, duke vendosur njerëzit e saj më të afërt dhe besnikë  edhe pse në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Në tekstet shkollore thuhet se ligji është “sistemi i rregullave i një vendi ose bashkësie që rregullon veprimet e anëtarëve të tij,” por në realitet, ajo çfarë profesionistët dhe elitat politike e dinë fare mire është se ligji është ajo çfarë gjyqtari thotë apo vendos që është. Ndaj duke ditur këtë, për të krijuar një rrjetë shpëtimi nga ndëshkimi i kurdohershëm i ligjit, qeveria po bën gjithçka për të siguruar që drejtuesit apo shumica e institucioneve të saj të drejtësisë të jenë njerëz besnikë të saj. Ndaj edhe ka një insistim kaq të madh për të mbajtur në detyrë njerëz si Dvorani, të cilit i ka mbaruar mandati që prej 7 vitesh, i cili “harroi” të deklaronte  85,000 euro, apo të tjerë, që edhe pse në konflikt të hapur interesi, me lidhje politike në poste që me ligj duhet të jenë të pavarura, qeveria tenton kapjen totale të drejtësisë.

Nën emrin e Reformës në Drejtësi, nën logjikën ekstremiste të Makiavelit se qëllimi justifikon mjetin, po anashkalohen  shkelje të rënda ligjore dhe kushtetuese. Këtë e pohoi edhe Ambasada Amerikane dje: “Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme”. Pra, mjafton që  Reforma në Drejtësi të bëhet pavarësisht shkeljeve dhe mangësive. Por Makiaveli nuk ka zënë vend  kurrë në vendet perëndimore. Filozofia dhe këshillat e tij nuk janë zbatuar kurrë në vendet demokratike. As në SHBA, Angli, etj, por vetëm në diktatura. Pasi paligjshmëria nuk të çon kurrë në ligjshmëri, ajo prodhon vetëm kriza. Ndaj edhe Shqipëria është dhe vazhdon të jetë në krizë, pasi përmes paligjshmërisë së kapjes së institucioneve  të drejtësisë nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë. Por vetëm një drejtësi që i përket një grupi të caktuar, i shërben interesave të caktuara, dhe jo popullit shqiptar i cili përmes kësaj drejtësie të munguar i është hequr e drejta kushtetuese e sovranitetit.

05

Sot sovraniteti i Shqipërisë nuk i përket popullit, ndaj shqiptarët   duan  drejtësi dhe nuk u  intereson fati i karrierës suaj !

Ndaj JO, JO, znj. Yuri Kim, z. Luigi Soreca, e kompani, ne nuk duam dhimbje, ngadalësi, papërsosmëri. Ne duam drejtësi. Drejtësi siç e keni ju në vendin tuaj. Kërkojmë sovranitet siç i takon çdo vendi demokratik dhe jo sipërmarrje të rrezikshme në dëm të popullit shqiptar, e aventura që as vendeve të botës së tretë nuk i shërbejnë. Ne duam demokraci dhe drejtësi. Kaq shumë po kërkojmë vallë ?  Neni 2 paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”.  Një qytetar i thjeshtë, pa qenë nevoja të thellohet në teorinë  politike e kupton fare qartë nga ky nen, se sot, sovraniteti i Shqipërisë nuk i përket popullit. Nëse do ishte kështu, ne do ishim një vend demokratik, por popullit shqiptar i është vjedhur dhe dhunuar  ky sovranitet, pasi asnjë zë, e drejtë, vullnet, ide, dëshirë, meritë, dhe mbi të gjitha, nevojë e tij, nuk merret aspak në konsideratë, përkundrazi i privohet dita-ditës, duke i shtyrë shqiptarët të largohen përfundimisht  nga vendi i tyre. A i keni pyetur shqiptarët përse po largohen znj. Kim? A i keni pyetur nëse a i përket sot sovraniteti i vendit  tonë intelektualëve, artistëve, profesorëve, edukatorëve, mjekëve, sportistëve, fermerëve, punëtorëve, pensionistëve  dhe të rinjve? Jo. Këto sot janë kategoritë më të shtypura, ofenduara, dhe më të privuara. I keni parë vetë sesi po dhunohen dita-ditës.

06

Atje ku ka demokraci ka shpresë. Atje ku demokracia vritet edhe shpresa shuhet.

Por në këtë situatë të dëshpëruar ku ndodhemi, ka një lajm të mirë dhe një detyrë që duhet kryer në mënyrë që shpresa të rikthehet në zemrat dhe vatrat e shqiptarëve. Lajmi i mirë është se asnjë diktaturë nuk ka arritur të triumfojë. As edhe njëra në 6,000 vite të historisë së njerëzimit. Dhe detyra që i kërkohet një populli është që vetëm, dhe vetëm ai, mund t’i japë fund diktaturës. Ndaj sa më i shpejtë të jetë zgjimi i një populli, aq më i shpejtë është fundi i një tiranie. A pajtoheni me këtë znj. Kim? Dashuria për liri, demokraci dhe drejtësi është frymëzuar nga historia e vendit tuaj. Apo “Ëhat happens in America, stays in America,” e jo në vende eksperimentale si i yni ?