Atdheu nuk mbahet me pallavra dhe banda por me sakrifica dhe punë

217
Sigal

Analizë nga Prof.Dr. Enver Bytyçi: Ti mundesh të lirosh kriminelët e kapot e bandave nga burgjet për interesat personale me shpresën e manipulimit të zgjedhjeve, mundet të burgosësh edhe njerëz të varfër se nuk paguajnë dot energjinë, mundesh të shpopullosh vendin dhe në fund justifikohesh se kjo ndodh kudo në botë.Ti mund të bredhësh nga Rinasi në Stadium me trajstën në dorë për dhjetra vaksina, por ti je i kapur nga mafja, bandat dhe korrupsioni. Dhe për të gjitha këto, tre milion shqiptarë në 25 prill nuk do të besojnë më

Është bërë epike kjo shprehje në diskursin e rrjeteve sociale në Kosovë. Edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh. Perlë! E përkthyer në fjalorin tradicional shqiptar, kjo aksiomë do të thotë se e nis diçka, një punë, një veprim, por ngecesh e një ditë dështon! Pra nuk mundesh ta çosh deri në fund. As të keqen nuk e çon dot deri në fund, sepse nuk mundesh! Vjen një moment dhe dorëzohesh. Nuk ke më forcë, as argument ta justifikosh keqdashësinë e keqbërësinë tënde. Kjo do të thotë se nuk mundesh gjithashtu të mashtrosh për gjithmonë. Nuk mundesh të imponohesh gjithnjë. Nuk mundesh të inagurosh 27 herë të njëjtin kopësht fëmijësh, pa u tallur me ty.

Ti mundesh të bredhësh sa nga Rinasi te Arena Kombëtare me trajstën e disa dhjetra vaksionave anti-Covid në dorë! Por nuk mundesh t’i ushqesh me iluzione gati tre milion banorë të këtij vendi

Ti edhe mundesh të shfaqësh filma dhe projekte në tredimensional, por në fund zbulohesh dhe të del boja. Edhe mundesh të premtosh po në tredimensional katër aeroporte, por kur e përsërit rrenën çdo vit, atëherë vjen një moment e nuk mundesh të jesh më i besueshëm! Ti edhe mundesh të thuash çdo katër vjet se në fund të mandatit do të keni 24 orë ujë dhe në fund të të mëshirojnë me rrenën tënde. Ti edhe mundesh që të premtosh shëndetësi falas, por vjen korona dhe ta nxjerr bojën. Ti edhe mundesh të hiqesh si babai i kombit, por vjen tërmeti e të zbulon se kush je e se sa vlen. Ose vijnë përmbytjet dhe ta pshurrin gjithë propagandën tënde të shpifur. U deshën tetë vite të mësojmë se mund të premtosh arsim të lartë falas. Por pastaj nuk mundesh dhe në vend që t’i ulësh, i rrit tarifat për studentët. Dhe të gjithën e justifikon me aksiomën se “Nuk ka shërbime falas!”.

Ti mundesh të premtosh heqjen e TVSH për bujqësinë e për ushqimet bazë, por pastaj nuk mundesh t’i heqësh, sepse të bëjnë presion oligarkët që duan të ndërtojnë porte jahtesh dhe të duhet që këtë lloj takse ta heqësh për ata. Ti mundesh të bredhësh sa nga Rinasi te Arena Kombëtare me trajstën e disa dhjetra vaksionave anti-Covid në dorë! Por nuk mundesh t’i ushqesh me iluzione gati tre milion banorë të këtij vendi, të cilët e dinë se me strajcën e rrenave tua nuk bëhet vaksinimi në këtë vend! Ti mundesh të thuash se e ke luftuar korrupsionin. Por pastaj del Departamenti i Shtetit e të thotë se korrupsioni ka kapur të gjithë kapilarët e qeverisjes! Ti mundesh se e ke luftuar mafien. Por pastaj del prokuroria italiane e të thotë se ti vetë, kryebashkiaku yt i Tiranës dhe politikanë të rëndësishëm në qeverisje janë të lidhur me Ndraghetën! Ti mundesh të thuash se nuk i jep post ministror Tomë Doshit. Por pastaj edhe nuk mundesh, sepse ai të detyron ta bësh deputet e t’i japësh tendera pafund! E ka thënë me zë e me figurë: “Përveç Berishës, të gjithë të tjerët (d.m.th edhe ti) janë në thesin tim”. Ti mundesh, por pastaj edhe nuk mundesh. Nuk mundesh sepse je i kapur nga bandat, nga mafia, nga korrupsioni. Nuk mundesh se e ke ves tëndin të mashtrosh këdo, pavarësisht pozitës dhe hierarkisë në sistemin kombëtar, europian e global. Nuk mundesh, sepse ti bën pazare, nuk bën marrëveshje parimore me partnerët, me sipërmarrësit e fuqishëm dhe me aktorët politikë të brendshëm!

Ti je zhytur në kaosin e vorbullën e kundërt, të blerje-shitjes dhe manipulimit të zgjedhjeve elektorale. Ti je monstër që mundesh

Nuk mundesh, sepse të marrin në telefon nga qelia e burgut dhe të kërcënojnë me të palarat! Ti mundesh ta çosh në qeli një mjek, të cilit i gjen në shtëpi 500 milion lekë. Madje mundesh ta arrestosh në sallën e gjyqit, si në kohën e qoftë largut. Ti mundesh ta anonçosh në media këtë lajm çdo gjysmë ore. Sepse mjeku është kritik i juaji. Por ti nuk mundesh që ta largosh nga puna në partinë tënde dikë që ka fshehur dyfishin eshumës së këtij mjeku, jo pak, por një milion euro. Ti mundesh të lirosh kriminelët e kapot e bandave nga burgjet, mundesh edhe të burgosësh njerëz të pafajshëm, pse ata janë të varfër dhe nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë p.sh energjinë elektrike. Por ti nuk mundesh ta nëpërkëmbësh dinjitetin njerëzor. Mundesh t’i detyrosh shqiptarët të ikin nga ky vend. Pastaj mundesh të thuash se kjo ndodh gjithkund. Por nuk mundesh ta mohosh se zgjedhjet i ke fituar duke premtuar jo ikjen, por kthimin e shqiptarëve në këtë vend. Ti mundesh të flasësh 24 orë për Kosovën. Por nuk mundesh ta mohosh se je miku e vëllai më i mirë i armikut të Kosovës, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ti mundesh ta bindësh dikë në Kosovë për të realizuar planet e Beogradit, por nuk mundesh ta bindësh politikën dhe shoqërinë kosovare për këtë. Ti mundesh ta injorosh e mos e përmendësh asnjëherë faktin që Kosova bën zgjedhje të lira e të ndershme, njësoj si Gjermania. Mundesh edhe të mos e pranosh këtë fakt. Por nuk mundesh më kurrë, sa kohë të jesh në skenën e politikës shqiptare që të bësh të njëjtin proces zgjedhor në Shqipëri si ai i Kosovës. Sepse ti je zhytur në kaosin e vorbullën e kundërt, të blerje-shitjes dhe manipulimit të zgjedhjeve elektorale. Ti mundesh të thuash se nuk je autokrat. Por nuk mundesh ta fshish faktin se ti e ndërron kushtetutën brenda natës, se ti ke manipuluar dhe kontrollon legjislativin dhe gjyqësorin. Nuk mundesh të bindësh njeri se qeverisja me dekrete qeveritare nuk është autokraci. Nuk mundesh të bindësh njeri se ti përcakton në këtë vend se kush duhet të jetojë e kush duhet të vdesë! Mos e dhëntë Zoti këtë! Ti je monstër që mundesh, por vjen një ditë që edhe nuk mundesh! Nuk do të mundesh më pas 25 prillit që të tallesh, të fyesh dhe të ushqesh me energji negative dëshpruese këtë vend e këtë popull!