Astrit Çerma/ Referedumi i Ramës për kreun e PS, si ai i Ahmet Zogut për t’u vetëshpallur mbret i shqiptarëve

468
Aktori i njohur i teatrit dhe kinematograsisë, Astrit Çerma, në një intervistë ekskluzive për “Telegraf analizon zhvillimet më të fundit politike, incidentet me Blushin në Elbasan dhe në Ansamblenë Kombëtare të PS, efikasiteti i Ligjit për Dekriminalizimin dhe Reformën në Drejtësi
Zoti Çerma, a ishin elbasanas ata socialistë që fërshëllyen deputetin e tyre Ben Blushin, para disa ditësh, kur historikisht ata janë shquar për etjen për dituri dhe lirinë e fjalës?

Elbasanas?! Tani, të thuash atë që ashtë “sagllam” elbasanas, ashtu si “sagllam” tiranas e “sagllam” vlonjatë e shkodranë si zor të gjesh, se në fund të fundit kjo “de-more-kraaa-ci” që erdhi pikërisht këtë “sagllamin” e “diktaturës” fshiu dhe qytetet tona, shyqyr zotit, tashmë janë kthyer në “bylyk kasabah” me tyrli lloi “yrrneqesh” nga fshati e katundi. Sa për atë historinë, ashtu ashtë: Elbasanasit janë shquar edhe për “ditunin”, por janë shquar edhe për “ndasit në nahitë”: “Ca të Beut e ca të Pashës”. Kështu që historikisht edhe sot vazhdojnë me “Ca të Edit e ca të Bashës”. Ndaj, ca shpifarakë shpifin se ata socialistët që përmendni ju, nuk janë “socialistë elbasanas”, por janë “socialistë bashkiakë”. Lal Qazimi, si kryetari i bashkisë “nuk bëzan”, megjithëse ata, për t’i rrëfyer të tjerëve se kanë mbetur ata që kanë qenë (të ndershëm), ndonjëherë, kur ua tharton ndonjë, si puna e Benit të Blushëve, atë që kanë ngrënë e që hanë, bëjnë sikur “kacafyten” edhe brenda për brenda barkut, edhe bëjnë sikur edhe vjellin. Dhe me që ajo “Liria e fjalës” në këtë realitetin tonë “de-more- kraaa-tik” është bërë kaq “e lirë” sa e ka varfërua e zhvleftësuar fjalën deri në atë “derexhe” sa e ka bërë fare pa vlerë, me te drejtë “socialistët bashkiak” përdorën britmat, ulërimat dhe fishkëllimat…

A ka vërtetësi akuza e deputetit të Librazhdit Taulant Balla, që fishkëllimat e socialistëve elbasanas u provokuan nga kritikat e Blushit kundër kryetarit të PS?

As nuk e diskutoj. Si mund të dyshohet për z.Balla?! Ai është “katunari i parë” që ka “civilizuar” Librazhdin dhe s’ka se si të gënjejë për të “katunarizuar” në sytë e botës, Elbasanin? Le që kush e le?! E le “Lalë Qazimi”?! Shët ore, Lalë Qazimi po mbush 12 vjet që për interesin e “kasabasë së Elbasanit”, siç e patë, nuk ka kursyer as “robtë e shtëpisë, gjinisë e krushqisë”.I ndigjuat? Të gjithë fërshëllyen. Dhe jo kot. Sepse Balla ka të drejtë. I pari fërshëlleu Beni. Ka kohë ai që fryn e shfryn bulçitë duke fërshëllyer vend e pa vend. Do të thuash ti: Pse, Edi, kry-ministri, nuk fërshëllen? Fërshëllen. Fërshëllen sepse ka të drejtë të fërshëllejë. Të gjithë “udhëheqësit tek ne kanë fërshëllyer, fërshëllejnë dhe do të fërshëllejnë” sepse kanë qenë dhe janë barinj që kujdesen për tufën. Or mik. Hyn “tabani kombëtar” këtu. Tradicionalisht, bariu ose i bie fyellit e delet blegërijnë ose fërshëllen për qentë që ruajnë e bëjnë zap delet…Beni s’është bari. Aaa. Kur të bëhet…bari.Eh!

Sa e Majtë, sa sociale mund ta vlerësoni Qeverisjen e “Rilindjes” të kryeministrit socialist Edi Rama, pas 3 vjetësh qeverisje?

Më falni por, kjo pyetje “Sa majtas”? Është fare pa vend. Po, po zotëri. Për derisa socialistët janë të majtë- majtas dhe vetëm majtas ecin pavarësisht se ç’farë drejtim dhe çfarë rruge marrin. Kjo botë, meqë është e rrumbullaktë, të jep mundësinë që të ecësh si të dojë palla dhe të arrish atje ku të dëshëron palla. Pse, demokratët që janë të djathtë, çfarë bëjnë? Ëëë?! I keni parë ndonjëherë që të ecin vetëm djadhtas ata?! Të gjithë, si të majtë, si të djadhtë, si të qendrës e si ato “turli”, kuturu ecin dhe dalin atje ku duhet të dalin. Sa për atë, anën “sociale”, me sa di unë…Të gjithë atyre që kanë fatin të punojnë u janë siguruar çeqet e rrogave. Apo, jo? Pensionistëve: librezat e pensioneve. Të varfërve: listat më çdo dyqan për..ndihmat. Të sëmurëve: recetat e ilaçeve. Të pa punëve- resitet nëpër klube e kafenet. Ore as për frymën që merrni e jepni nuk paguani “koqe” leku dhe askush nuk ju pengon as të gromësini, as të ofshani dhe as të pirdhni…Unë nuk e kuptoj. Ç’dreqin kërkoni tjetër tek ajo “socialja”?
Reformat e ndërmara nga kryeministri Rama, a kanë dhënë frytet për bërjen e shtetit dhe respektimin e ligjit, siç pretendon kryeministri Rama?
Or, po sa shumë kërceni përpjetë ju?! “Frytat”- pyesni. Daleni ore burra. Ku ka fruta pa pemë?! Duhet të mbillen pemët një herë, pastaj. Ja. Megjithëse Opozita edhe “Shoqatat shoqërore të pa varura nga varja” kanë kundërshtuar me të madhe me “mjetet demokratike”, qeveria ka hapur gropa dhe vazhdon të hapi gropa, sepse tabani i pemës që do të sjelli frutin është gropa apo jo? E pra…Edhe vetë Europa e ka mbështetur hapjen e gropave. Ka dhënë edhe fonde në formë borxhi. Tek tuk në ndonjë gropë është mbjell ndonjë pemë e re, por për çudi edhe pema e re prodhon frut të vjetër, sepse qeverinë e ka zënë belaja me pemët e vjetra. Nuk po i shkul dot. Kështu që “sheh rrushi rrushin edhe piqen dikasteret”. 

Zoti Çerma këto ditë doli në publik edhe vila e re në Lundër, e ministres së Arsimit. Ju dhe shqiptarët mund të bindeni që kjo vilë shumë milionë eurosh është ndërtuar nga ministrja e Arsimit, në saj të kursimeve të parave nga rroga e saj dhe e bashkëshortit të vet, që është dekan fakulteti? Prokuroria shqiptare nuk fillon hiç hetimet ndaj ministres së Arsimit, për burimin e miliona euro që ndërtoi vilën e re të saj në Lundër. Mos vallë, pritet Reforma e re në Drejtësi, që prokuroria të hetojë edhe korrupsionin e ministrave?

E para një herë. Kjo është një “risi e re” dhe “drejtësia” paksa ka mbetur e hutuar sepse në këtë rast,vërtetë ka një vështirësi për të bindur, opinionin po se po, por edhe Prokurorinë, organet e hetimit e më the të thashë, sepse akuza, dyshimi, fakti, verifikimi, dokumentimi e të tjera kanë të bëjnë me një…”grua me pozitë, por të varfër që, për çudi ka një burrë të pasur…”. Deri tani, “tradicionalisht, pa dallim ngjyre dhe ideali” kemi pasur të kundërtën: “Burra me pozita, por të varfër – me gra të pasura”. Kështu që, Prokurorisë dhe Drejtësisë i ka hasur sharra në gozhdë, aq keq sa ka bërë thirrje për “ekspertë” nga jashtë. Madje thuhet se në kuadrin e “Reformës në Drejtësi” i janë lutur dhe ambasadorit, Zotit Lu që t’i sjell hetues nga Amerika, sidomos nga Teksasi. E dyta… “Lundra” me vilat e stërvilat që janë ndërtuar në të, është kthyer ne “Vapor” edhe jo nga ato vaporet dosido, por nga ato trans-oqeaniket. Mirë se, ja…“drejtësia”, po gërmon të gjejë burimin e ca milionave, por mos shpërdhejnë pa prit e pa kujtuar edhe “burime” të tjera dhe e përmbysin fare drejtësinë, se Lundrës s’kanë ç’ti bëjnë ore, se Lundra në ujë do të notojë…
Apo shqiptarët, ndërkombëtarët dhe BE presin të miratohet në Parlament Byroja Kombëtare e Hetimit, për të hetuar edhe korrupsionin e ministrave? 
Shpresë e madhe është. Se edhe kemi mall. U rritëm me “Byro”- Biro – siç e quante Komandanti. Do Zoti merret vendim që për ata fatlumë që do të zgjidhen “anëtarë Biroje” t’u bëhen fotografi me surretërit që t’i varim si qëmoti nëpër shtëpi, se…për tjetër gjë “siç tregojnë bathët” brenda për brenda Parlamentit, edhe nga pozita edhe nga opozita po hidhet deviza:- Plumbi del me plumb. Demede. Korrupsioni luftohet me të korruptuar. 

Zoti Çerma, PS-PD dhanë duart dhe “OK” që të fillojë zbatimi i ligjit të Dekriminalizimit. Ju si thoni: Deputetët kriminelë, kryebashkiakët kriminelë, do të bien nga karrigia si mollë e kalbur? Apo do të hiqen me damkën “Të kriminalizuar”? Po lideri i Partisë, që kriminelët i bëri deputet dhe kryebashkiakë, a duhet të mbajë përgjegjësi politike, në bazë të ligjit të Dekriminalizimit?

Në Elbasan në ditën e “Festës së Verës” bëhet edhe parakalimi i “karnavaleve”. Edhe në Korçë. Edhe ne Shkodër. Pse mos të bëhen edhe në Parlament?!..E gjitha kjo më kujton emrin e një romani të Thekerit “Panairi i kotësive”. Keni për ta parë se çdo të bëhet: nje palaçollëk i ndyrë dhe asgjë tjetër. A u mor vendim për hapjen e dosjeve? Atëhere?! Hë, hë. “Korbi, korbit nuk ia nxjerr sytë”. Kështu thotë një fjalë e urtë, por pse? Bufi ia nxjerr sytë bufit? Po papagalli – papagallit? Lakuriqi i natës- lakuriqit të natës? Atëhere pse të bëjnë përjashtim deputetët?! Apo larg qofte, të na mbesin të gjithë qorra?! Kaq. Asnjë koment më tepër, sepse mund themi ndonjë budallallëk, pastaj edhe për “miletin” që këta “të zgjedhurit nga populli” nga “listat e kryetarëve” tallin bythën…

A është paradoks i demokracisë shqiptare, që Gjykata e Lartë çon nga burgu në parlament deputetin që gjuajti me armë qytetarët, ndërkohë që prokuroria ngrë padi penale kundër studentëve që gjuajtën me vezë kryeministrin dhe arrestohen qytetarët protestues kundër betonizimit të Liqenit Artificial? 

Ky nuk është “pardoks i demokracisë”, por “pardoksi i anarshisë” që për 25 vjet pushteti, sidomos “i djadhti” me “Saliun e madhërishëm” në krye, katranosi për qëllimet e veta, edhe partiake edhe vetiake çdo lloj nocioni për “drejtësi”. Tani, po bëhet “gurguleja” sepse “Gjykata e lartë, një farë deputeti që paska gjuajtur me armë, e tërti e vërti…Hë, vetëm kaq: “që paska gjujt me armë”. “Edhe, ç’farë?! Ëëëë? Natyrisht që është marrëzi ky lloj vendimi, por Gjykata e Lartë ka lënë të lirë ata që “kanë vrarë me armë”, edhe pas pritave, edhe në mes të sheshit. Ka lënë, edhe lë të lirë turlilloj kriminelësh, hajdutësh, mafiozësh, matrapazësh e dallaverexhinj të çfardo lloi kallëpi. Nëse vërtetë e quajmë këtë vend “Demokratik”, këto duhet quajtur me plot gojën jo vetëm paradokse, por edhe ndyrësi që pikërisht vrasësit, hajdutët, kusarët, matrapazët thërrasin e bërtasin për drejtësi…Sa për ata studentë, nëse vërtetë “si studentë” kanë gjuajtur me vezë kryeministrin, vërtetë është turp jo vetëm t’i arrestosh por edhe t’i qortosh. Ndërsa për ata qytetarë “protestues”, nëse nuk e dinë se protesta, çfarëdolloj e soj proteste, ka rregulla, kërkesa, detyrime dhe kufizime që nuk duhen kaluar e jo më të tejkalohen, që ruajtësi i rendi, polici, është i paprekshëm, jo vetëm arrestimi, por edhe gjobimi dhe burgimi është me vend… 

Derisa kryetari i PS nuk lejon garë të hapur për zgjedhjen e kryetarit të PS, a ka sens politik që të zhvillohet Kongresi i PS? A mundet edhe në demokraci, në pluralizëm politik, partitë në Shqipëri të ndërtohen dhe të funksionojnë me modelin e PS që udhëheq tani Edi Rama?

Në këtë rast, mendimi im është se,veprimi i Ed Ramës, Kryetarit i PS, njëkohësisht dhe Kryeministër, është tepër, “tepër pozitiv”. Ai me çiltërsi, me naivitet, pa asnjë paragjykim, por, do të thoja edhe me guxim, hapur po bën atë që fshehurazi, me djallzi, me shejtanllëqe e dallavere, e kane bërë, pa asnjë përjashtim të gjithë kryetarët e partive tona të dashura. Kujtohuni se sa e sa herë janë “përpunuar statuset dhe rregulloret” e partive për këtë “çështje”?! Më thoni nje “që ka qene dhe që s’është”? Një, vetëm një që ka rënë nga fiku? Apo Edi, meqë është “çun Tirone, le e rrit më kryqytet”, edhe nuk “merr vesh” nga punët e fshatit e katunit “o burra ta rrëzojmw prej fikut” se .nuk di të qëndroi në të”? Do thoni ju që, ja p.sh. Sala, megjithëse katunar, mbasi e rrëzuan, ra vetë prej fikut. Ai nuk ra, por zbriti dhe hipi lart një budalla, dhe sa herë dëshiron fiq e urdhëron të vjeli fiqtë dhe t’ua hudhi poshtë atij që t’i hajë .Këtë doni të bëj edhe Edi? Po kollaj ore. Kandidatë për “kllounë” gjen sa të duash dhe si t’i duash. Ja, e dëgjuat? E shikuat? Propozoi për zgjedhjen e kryetarit të partisë: referendum! Ahmet Zogu u bë mbret me referendum, pse të mos bëhet Edi…Kryetar?!… 
A mund të flasim për misionarë politikë, për të zgjedhur nga elektorati, deputetët që deklarojnë se zgjedhin Partinë, se sa Shqipërinw?
Përderisa deputetët zgjidhen nga lista, me nivelin e “listëzuesit të listëzimit” tonë, as mund të bëhet fjalë për mision e misionare kështu që është e kotë “të tjerrësh e të ç’tjerrësh” debate për “llapallosjet” e tyre.
Sigal