“Asnjë votë për Kserën, tradhtoi çështjen tuaj”

470
Sigal

Kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Derviçanit, fton minoritetin grek

Në vijim të turit elektoral në qarkun e Gjirokastrës, Kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Derviçanit, ku është njohur nga afër me shqetësimet e tyre. Rama në fjalën e tij ka drejtuar një thirrje të qartë ndaj minoritetit grek në Gjirokastër për të refuzuar me votë kandidatin e PD për deputet, aktualisht Ministër i Punës, Spiro Ksera, duke deklaruar se ai e ka tradhtuar dhe diskretituar çështjen e tyre. “Mos i jepni asnjë votë atij Spiro Kserës, këta lloj tradhtarësh i kam zët, që përfaqësojnë një interes më të madh se një parti, që morën votë për të mbrojtur interesat e minoritarëve dhe e katandisin besimin thjesht në një kartëmonedhë për të bërë pazar, për të zënë një karrige që i bën fresk Saliut e për të shtuar ca kile më shumë. Nuk e di pse duhet ta votoni Spiron, 8 vjet nuk ka bërë asgjë për ju. Tani që PD do humbasë, ç’ju duhet Spiro juve? Pse ta hidhni votën dëm për një personazh qesharak, e ka diskretituar kauzën tuaj. Interesi juaj shkon përtej partive”, tha Rama. Duke shpalosur projektin e PS-së për qeverisjen e ardhshme, shefi i opozitës ironizoi deklaratat e Kryeministrit Berisha se “Do ta bëjë Derviçanin si Zvicra”. “Nuk do bëjë premtime të tipit, “Do ta bëjmë Derviçanin si Zvicra”. Ne nuk tregojmë përralla, e dini vetë ju kush i tregon, gjyshi 70 vjeç me antiplumb, me roje, me qen, me snajperë del edhe tregon përralla. Keni vetëm një zgjidhje, Ose mbani Spiron e Saliun në qafë o qeverinë në krah dhe unë ju zotohem se problemet tuja do jenë edhe të miat”,-theksoi Rama. Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga bashkëbiseduesit në “këndin e fjalës”, ka qenë mungesa e ujit të pijshëm, për të cilën kreu i PS-së premtoi zgjidhje. “Më vjen shumë turp të them që do sjellim ujë për fushatë. Ne ujin e kemi, të thonë pse nuk e lënë ujin të vijë. Nga Saharaja duhet thënë do biem ujë, Shqipëria është vendi i dytë më i pasur me ujë në Europë. Ne do ta bëjmë me patjetër betejën përfundimtare me ujin, pa çuar ujin në çdo rubinet, kot themi që jetojmë në Europë. Uji mungon për të pirë, për tu larë, kur duhet të vaditet toka, por për përmbytje është me tepri. Kjo çështje mjafton për ta ndëshkuar këtë qeveri, Saliu thotë e kemi sjellë, asgjë nuk ka sjellë prandaj edhe do largohen, ne do bëjmë betejë ditë e natë që të garantohet uji në rubinet e parcela, ne i vetmi vend i NATO-s që nuk ka ujë. Kjo e ujit është betejë për civilizim. Ne do investojmë 160 milionë dollarë për të çuar ujin kudo që ka tokë dhe për t’i dhënë mundësi njerëzve të fitojnë nga përdorimi i tokës” përfundoi ai.

Rama në Përmet: “Shqipëria, i vetmi vend në botë me Kryeministër 70 vjeç”

Kryetari i PS-së, Edi Rama prezantoi kandidatët për deputetë në qytetin e Përmetit. Rama u premtoi banorëve të kësaj zone se do të jetë gjithmonë në krah të problemeve të tyre, ndërsa shpalosi disa pika të programit të Parisë Socialiste për pas 23 qershorit. Rama u ndal edhe tek kreu i qeverisë Berisha, i cili siç tha ai, është kryeministri më në moshë në të gjithë botën. Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka një kryeministër 70 vjeç. Jo më! E dini ju që Presidenti Klinton që ka gati 15 vjet që e ka lënë detyrën, është më i vogël se ky katragjyshi me antiplumb që vjen vërdallë me 200 rojë dhe me qen që kërkojnë nëpër turmë se mos ka ndonjë bombë e me snajpera nëpër pallate”,-tha Rama. “Unë besoj që shoqëria mund të ripërtërihet dhe ne do ta ripërtërimë. Unë besoj se demokracia mund të vendoset, dhe ne do ta vendosim, ne besojmë se Shqipëria evropiane mund të të bëhet dhe ne do ta bëjmë brenda vendit. Unë nuk ju premtoj asnjë mrekulli, por ju betohem këtu, në Përmetin e vëllezërve të mëdhenj të këtij kombi, se hallet tuaja do të jenë edhe të mia, dhe problemet e juaja do të jenë të miat, unë ju premtoi se do të jem në krahun tuaj, PS-ja do të jetë në krahun tuaj’ -nënvizoi Rama.

ILIR META NË KUVENDIN E LGI-SË: “ME NDIHMËN E GRAVE LSI SYNON 26 MANDATE NË KUVEND”

Shoqëria shqiptare nuk mund të ecë përpara pa shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave në vend. Kështu është shprehur kreu i LSI, Ilir Meta, ndërsa iu drejtua grave të kësaj force politike në Konventën e mbajtur në Pallatin e Kongreseve. “Sfida jonë në fund të 4 viteve është të dyfishojmë numrin e grave dhe vajzave që dyfishojnë drejtimin dhe menaxhimin e bizneseve në vend”, nënvizoi Meta. “Unë ju falënderoj të gjithave ju që keni besuar tek LSI, që jeni angazhuar përgjatë këtyre 8 viteve. Jam krenar që LGI sot përfaqëson një realitet shpresëdhënës politik në të gjithë Shqipërinë, ju gra e vajza me energji për të përçuar mesazhe emancipuese për shoqërinë e politikën. Angazhimi i gruas në politikë. Ne kemi bindjen se shoqëria nuk mund të përparojë më shpejt pa u emancipuar me ritmin e duhur. Ne kemi besuar për një pjesëmarrje sa më aktive të gruas dhe vajzës në politikë dhe vendimmarrje, pjesëmarrja e tyre i shërben rritjes së përgjegjshmërisë së klasës politike në vend që të përqendrohet tek hallet e përditshme të shoqërisë, si varfëria papunësia e përjashtimi social. Revolucioni ekonomik i grave është lokomotiva e suksesit të shoqërisë”tha ai. Fuqizimi i grave, shtoi më tej Meta, nuk mund të ndodhë pa krijimin e shanseve për punësimin e tyre, për të cilin sipas tij LSI vjen me një plan konkret. “LSI ka prioritet të veçantë forcimin e vlerave familjare, fuqizimin ekonomik të grave, synojmë punësimin e tyre për të zbutur problemet sociale me të cilat ato e familjet shqiptare ndeshen çdo ditë. Mbështesim bizneset që punësojnë gratë. Sfida jonë në fund të 4 viteve është të dyfishojmë numrin e grave dhe vajzave që dyfishojnë drejtimin dhe menaxhimin e bizneseve në vend”, nënvizoi Meta. Duke vlerësuar rolin e grave në LSI, Meta u shpreh se partia e tij synon fitoren e 26 mandateve në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. “Me ndihmën e grave në zgjedhjet e 23 qershorit LSI do t’i japë fund tranzicionit politik, për të ecur drejt integrimit dhe modelit, që siç tha ai, sjell më shumë vende pune për gratë. Me ndihmën e tyre synojmë të fitojmë 26 mandate deputetësh në zgjedhjet e 23 Qershorit”, deklaroi kreu i LSI.