Askush nuk është i pazëvendësueshëm në PS

432
Sigal

“Telegraf” zbardh të plotë replikat Rama – Dogjani në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së

Edi Rama dhe deputeti socialist, Asllan Dogjani shkëmbyen replika të forta me njëri-tjetrin gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së. Deputeti i Kukësit akuzoi Ramën se po shkatërron strukturat e PS-së dhe se po ndërmerr emërime dhe shkarkime brenda PS-së pa u konsultuar me strukturat e partisë. Dogjani ka arritur deri aty sa t’i shprehë në sy të të gjithë deputetëve socialistë se Rama nuk është i pazëvendësueshëm në postin e kryetarit, madje ai e ka akuzuar atë deri në kërcënime direkte drejtuar socialistëve kuksianë. “Telegraf” jep të plotë dialogun Rama-Dogjani, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

 Dogjani:- Mendova që ky problem duhej të ishte ngritur në këtë takim nga ana juaj, mendoj që nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të zgjidhet me heshtje, por meqenëse nuk e ngritët në këtë mbledhje grupi problemin e emërimit të kryetarit të partisë të Kukësit, atëherë po e ngre unë. Është emëruar nga ana e juaj kryetari i partisë së rrethit Kukës pa u pyetur dhe pa u marrë mendimi i strukturave të Partisë Socialiste, pa u dëgjuar dhe marrë opinioni i tyre.

 Ndërhyn Gramozi: – Nuk është vendi për të diskutuar në mbledhjen e grupit për partinë, ka vende të tjera.

Asllani: – Ju ma dhatë lejen dhe unë ju pyeta dhe ju ma dhatë fjalën për jashtë rendit të ditës. Sa herë i keni kërkuar anëtarët e partisë së Kukësit nëpër protesta, demonstrata, ju kanë ardhur, ndërsa, kur është koha për t’ju zgjedhur kryetarin, ju nuk i pyesni dhe nuk u merrni mendimin. Këtë vendim e kanë kundërshtuar pothuajse të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e partisë dhe për këtë kanë firmosur një peticion, ku kanë kërkuar të rishikohet vendimi për emërimin e tij. Ndërsa ju, në vend që të reflektonit dhe të rishikonit vendimin, i keni marrë në telefon dhe i keni kërcënuar ata që kanë firmosur.

 Ndërhyn Rama:- Kush i ka kërcënuar?

Asllani: – Ju i keni kërcënuar dhe ata djemtë që kanë kontribuar dhe kanë qenë edhe në grevën e urisë, më kanë kërkuar që të dilnin para partisë dhe të digjnin bluzat që kishin ruajtur nga greva e urisë.

 Ndërhyn Rama: – Jo, unë kam komunikuar me ata që më kanë dërguar mesazhe dhe jo me ata që keni firmosur, por ju i keni manipuluar, kur keni shkuar në Kukës:

 Asllani:- Manipulimin ua keni bërë ju, i keni kërcënuar me telefon, ju keni premtuar dhe i keni thirrur dhe në Tiranë dhe ju keni thënë se, Asllani ka hallin e vet dhe mos e ndiqni mbrapa. Sigurisht, që ata edhe mund të manipulohen nga ana e juaj, por unë kurrë nuk do të mërzitem me ata dhe nuk do i marr inat ata socialistë që kanë tetë vjet që vetëm kanë kontribuar dhe mezi presin që të vijnë në pushtet për t’u punësuar, se sot vuajnë për bukën e gojës dhe këtë manipulim jua keni bërë ju. Pas kësaj kërkese, unë ju kam bërë një letër kryesisë dhe juve dhe kjo letër ka dalë në media, për të cilën kemi biseduar në telefon dhe pas kësaj kam shkuar në Kukës, ku kam dhënë një konferencë për shtyp dhe kam kërkuar që të rishikohet vendimi për caktimin e kryetarit dhe të mos nëpërkëmben të drejtat dhe dinjiteti i socialistëve. Ju keni telefonuar një drejtuesi partie dhe e keni detyruar që të dalë në media dhe të më sulmojë mua . Kështu nuk bashkohet partia, vetëm përçahet, unë jam socialist dhe deputet i PS-së dhe nuk mundeni të m’i kundërvini dhe nuk duhet ta bëni një gjë të tillë. Mos i anashkaloni strukturat, se kështu po e shkatërroni PS-në. Të nesërmen kam kërkuar që të bëj një takim me strukturat për t’i informuar për të njëjtën gjë dhe ju përsëri i keni telefonuar dhe kërcënuar anëtarët e drejtuesit e partisë që të mos merrnin pjesë në takimin e organizuar nga unë, a thua se unë isha me ndonjë parti tjetër. Në fakt erdhën, pavarësisht presioneve së kuksianët nuk i durojnë padrejtësitë dhe nuk pranojnë të shkelen me këmbë, pavarësisht se janë të varfër. Ju nuk dini t’i vlerësoni njerëzit, që punojnë kur hidhni poshtë kontributin tim që përfundova në spital me pericardit dhe bëra dhe koronaren për zemrën, si mund t’i vlerësoni ata njerëz, që kanë tetë vjet në Kukës që kanë bërë maksimumin dhe janë të dhunuar nga pushteti. Këto kemi kërkuar dhe ju akoma nuk keni dhënë përgjigje. Dhe tani të flasim për kandidatin: më keni thënë se do shkoni në Paskuqan, Bathore dhe Kamzë dhe nuk do jeni në Kukës. Unë nuk e shikoj vendin e punës deputet, por kërkoj të respektohen parimet, të kam kërkuar të më testosh në popull dhe në struktura dhe unë t’i bëhem krahë atij që fiton me mua, se kam tetë vite që jam me ata socialistë, me qytetarët e Kukësit dhe nuk mund t’i le në rrugë.

Ndërhyn Rama: Ju nuk jeni i pazëvendësueshëm.

 Asllani: Sigurisht, që nuk jam i pazëvendësueshëm, por dhe ju nuk jeni i pazëvendësueshëm në atë karrige, prandaj duhet të reflektosh, se nuk mund të vendosësh ti, nuk mund të vendosni ju në mënyrë individuale për të gjithë këta burra e gra, që janë këtu, por duhet të konsultoni me anëtarët e kryesisë.

 Ndërhyn Rama: Nuk ke punë këtu me të tjerët fol për vete.

Asllani: Mos më ndërhy, më lë të flas, kështu po i anashkaloni dhe shkatërroni PS-në, nuk mundesh gjithçka ta bësh vetëm dhe mos të vlerësosh punën e të tjerëve se dhe fëmijëve të mi, kur jua vlerësoj punën që kanë bërë të nesërmen, bëjnë edhe diçka tjetër më të mirë. Unë nuk jam fëmijë, por po kërkoj që të vlerësosh kontributin dhe punën e atyre socialisteve kuksian, që kanë tetë vjet që vetëm i japin PS-së dhe duhet t’i pyesni kur ju caktohet kryetari.

Rama:- Në lidhje me caktimin e kryetarit të partisë unë jam konsultuar me grupin e strategjisë dhe komunikimit dhe deri më 23 Qershor kryesia na e ka deleguar këtë kompetencë dhe ne kemi vendosur kryetarin e partisë Kukësit, nuk e kam vendosur vetëm dhe ti e ke kundërshtuar si vendim dhe më pas e ke pranuar.

Dogjani: Po e vërtetë, jua kam thënë në sy që nuk mund ta bashkoj partinë, por kur baza ka dalë kundër, unë i kam mbështetur ato dhe do vazhdoj t’i mbështesë.

Rama: Të kam thënë të shkosh në Bathore dhe të vazhdosh aty. Unë do iki se kam punë të tjera dhe nuk mund t’i le të më presin.

Asllani: Prit ta mbyllim këtë punë nuk vazhdohet kështu…

 Braçe kundër Ramës: “Kryesia  e PS-së cakton kandidatët për deputetë”

Deputeti socialist Erjon Braçe, ka reaguar për mënyrën sesi janë caktuar deri tani kandidatët për deputetë nga Kryetari i PS-së. Kujtojmë se Kryetari i PS-së, Edi Rama ka prezantuar Alfred Pezën dhe Parid Cara si kandidatë për deputetë, ndërkohë, kur kryesia e PS-së nuk është pyetur fare. Ndaj në rrjetin e vet social, Erjon Braçe reagon, duke i treguar Ramës, se është Kryesia ajo që cakton kandidatët për deputetë, madje duke i (ri)kujtuar edhe statutin e PS-së, Nenin 29, pika 14. Ja se ç’thotë Braçe, midis të tjerave,  në rrjetin e vet social: “Ka disa rregulla! Ju lutem, mos më pyesni më për lista deputetësh dhe emra të posaçëm. Nuk kam ç’ju them individualisht. Ky është statuti  Neni 29, i vetmi ku flitet për kandidaturat për deputet, pika 14. Besoj mjafton për secilin.