Artur Zheji: Pse vetëm zyrtarët e LSI qenkan të korruptuar?!

560
Sipas Zhejit, Arta Marku po bën një gjëmë të madhe, duke arrestuar vetëm zyrtarë të LSI-së. “Tanimë është e qartë, filloi lufta e arrestimeve. Për habi prokuroria po e lufton krimin sipas ngjyrës politike, nga ku edhe kuptohet sinjali i alarmit, që u dha në protestën e 18 dhjetorit, kundër zgjedhjes së zhurmshme të Arta Markut, protestë e cila fillimisht m’u duk e sforcuar. Kjo që po ndodh është një film i vjetër dhe bardhë e zi, që brezi im dhe i Edi Ramës, e ka përjetuar në 1973-81, ku në harkun e 8 viteve, diktatori bëri një shfarosje të brendshme, nga parandjenja e vdekjes së tij fizike. Padyshim Shqipëria është një vend i korruptuar thellë, mirë dhe në çdo qelizë. Dhe lufta kundër korrupsionit real është e mirëpritur, qoftë nga kryeprokurorja e re dhe nga kushdo tjetër. Porse të radhisësh një sërë arrestimesh njëngjyrëshe, duke peshkuar në radhët e funksionarëve të një partie të vetme ose në radhët e funksionarëve të opozitës, ndihur nga pushteti i sotëm, është një akt korruptiv edhe më i thellë. Dhëntë Zoti, që zonja Arta Marku, të mos jetë pjesë e një loje të tillë dhe dhëntë gjithashtu Zoti që kryeministri ynë, te jetë duar jashtë kësaj gjëme, që quhet persekutim politik. Nuk ka mënyrë më të mirë se sa kjo, për të sabotuar reformën në drejtësi, nuk ka mënyrë më të mirë se sa “Rastësia e pazakontë”, që të “korruptuarit” të kenë vetëm një ngjyrë të caktuar politike, ndërsa të “ndershmit” të jenë edhe ata, vetëm ngjyrë rozë. Kjo e hedh në erë Reformën në Drejtësi dhe nuk është trumbetimi i fillimit të saj, por fillimi i Fundit të kërkesës së vërtetë të shqiptarëve për një Drejtësi të Drejtë. Është kjo rruga e duhur? Sigurisht të gjithë duhet të presin provat, por askush nuk merr dot përgjigjen bindëse, nëse ky është byreku i Tepsisë së re, të pushteti të ri. Ku është parë që “mëkatarët” përcaktohen nga tesera e partisë dhe të “ndershmit” përcaktohen përsëri nga tesera e partisë? Ky është një film bardhë e zi, i kohërave të kaluara, që nuk ka Piktor që e ngjyros dot me ngjyra bindëse…”, shkruan Artur Zheji në portalin që drejton.
Sigal