Artur Metani zgjidhet kreu i ILD-së, motra Eglantina Gjermeni ish-ministre, nuk e voton në parlament

1505
Sigal

Artur Metani është votuar nga parlamenti si kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për 9 vitet e ardhshme.

Partia Socialiste në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar propozoi që Metani të bëhej Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Metani ka marrë 98 vota pro dhe 8 kundër. Ajo që bie në sy është se motra e tij, ish-ministrja socialiste Eglantina Gjermeni, ka zgjedhur të mos votojë.

Parlamenti gjithashtu votoi Milva Ekonomin në krye të komisionit të Ekonomisë me 84 vota, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn, tashmë ministër i Rindërtimit.

Artur Metani është vëllai i ish-ministres Eglantina Gjermeni. Ai mban aktualisht postin e Avokatit të Shtetit ndërsa më parë ka qenë Drejtor i Departamentit të Legjislacionit dhe Anti-Korrupsionit në Kryeministri.

Artur Metani ka mbajtur postin e Këshilltarit Ligjor në legjislaturat e tre Presidentëve, Rexhep Meidanit, Alfred Moisiut dhe Bamir Topit. Metanit i duhet një shumicë prej 84 votash për t’u emëruar në krye të ILD.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është drejtuesi i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, me një mandat 9 vjeçar dhe është përgjegjës për inspektimin e organeve të drejtësisë.