Artur Metani: Drejtësi në kohë sfidash

184
Sigal

 

Artur Metani
Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Institucionet e reja të drejtësisë kanë detyrën dhe detyrimin historik të mbajnë gjallë përpjekjet e atyre, që një shekull më parë hartuan dhe miratuan Kanunin e Zhurisë”, pasi janë para një sprove të fortë të besimit publik, dhe si një sfidë e bërë me zgjedhjen e tyre, nuk ka kthim pas. Për çështje që lidhen me detyrat e tyre funksionale, magjistratët janë pjesë e kritikave në një nivel të gjërë. Këtë gjë nuk mund ta ndryshojmë, pasi liria e shprehjes i jep të drejtë kujtdo, që të shprehë dhe komentojë lirisht, edhe mbi vendimet e drejtësisë. Patjetër që ka raste kur këto komente reflektojnë edhe defektet që shoqëria jonë ka. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, në një shoqëri në zhvillim, ku gjetja e kufijve nuk është pika jonë e fortë, edhe pse duhet të biem dakort të gjithë, që të paktën bullizimi i drejtësisë, nuk i shërben askujt. Kushtetushmëria, shteti ligjor, respekti për punën e tjetrit apo të asaj që quhet ndarja e pushteteve janë standarde, që duhen ushqyer çdo ditë me largpamësi, jashtë interesit të çastit, duke e mirëmenduar në vizion afatgjatë çdo fjalë të thënë dhe çdo gur të hedhur ndaj sistemit të drejtësisë.