Arrestimet e dosjes 339/ Salianji: Ja pse duhet votimi biometrik

255
Sigal

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ishte i ftuar në një studio televizve. Ai komentoi fillimisht arrestimet në kuadër të dosjes 339, duke thënë se ka një përpjekje për të shitur propagandë sikur të arrestuarit janë nga të gjitha palët.

“Propaganda po bën që të duket sikur janë të përfshirë të gjitha palët,” tha ai.

Sipas tij, ka një intimidim deri në kërcënim me armë ndaj komisionerëve, por edhe blerje të tyre. “I detyrojnë komisionerët për të hedhur vota për PS. Po votojnë emigrantë që nuk janë në sistem. E gjitha është një skemë e organizuar nga fillimi në fund nga Edi Rama dhe zbatuesit kryesorë janë Vangjush Dako dhe dy deputetë, të cilët kanë dalë në përgjime si të emëruar drejtpërdrejt nga banda e Shijakut,” tha Salianji

Sipas tij, pikërisht marrëveshja e 5 qershorit do e zgjidhte këtë problem. “Identifikimi biometrik nuk lejon më të votohet në emër të personave që janë në Shqipëri,” tha Salianji.

Sipas tij, Rama nuk arriti të pengonte identifikimin biometrik dhe nuk iu lejua që të vendoste nëpër komisione militantët e tij në administratë.

“Në këtë dosje dhe në dosjen e Dibrës ka dalë e gjithë kupola e PS e përfshirë. Ky është një hap fillestar nëse shkon në mënyrë të shpejtë te kupola,” tha Salianji. “Larg o Zot sikur të jetë një operacion propagande për të treguar se këtu ndëshkohet krim zgjedhor”.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese, Salianji tha se opozita do i fitojë zgjedhjet dhe do të marrë 84 ose 86 mandate. Ai tha se Rama do të fitojë në këtë mënyrë ndonjë mandat nga votat e partive të vogla, por shtoi se problemi është te nisma e tij.

“Nuk mund të bëhen ndryshime kushtetuese të njëanshme dhe me politikën e faktit të kryer. Rama nuk i shpëton ndëshkimit nga drejtësia. Kjo është vetëm një ëndërr vere,” tha Salianji.