Armëmbajtja pa leje, burg nga 2 deri në 5 vjet

461
Seanca plenare që po mbahet aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë ka në rendin e ditës 8 pika, midis të cilave dy marrëveshje konçesionare, ndryshime në kodin penal dhe ligji për rivlerësimin e pasurisë. Ndërkaq, drejtuesja e seancës plenare të Kuvendit, nënjryetarja Valentina Leskaj në nisje të punimeve të seancës njoftoi se Komisioni parlamentar po vijon punën për 7 projektligjet që janë ligjet bazë dhe që e bëjnë të zbatueshëm projektin kushtetues, të votuar me unanimitet në parlament.
Miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal që lidhen me uljen e masës së dënimit për armëmbajtjen pa leje, u cilësuan “të domosdoshme” nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë seancës së sotme në Kuvend. Riformulimi i ligjit parashikon dënimin me burg, nga dy deri në pesë vjet, për personat që mbajnë pa leje armë, bomba e lëndë plasëse në mjedise publike. I konsideruar nga Gjykata Kushtetuese si i ashpër pasi sanksiononte burgim nga 7 deri në 15 vjet, gati të njëjtë si për veprat e trafikimit, mungesa e kësaj dispozite ka shkaktuar konfuzion në gjyqësor. “Është domosdoshmëri miratimi sot dhe pa vonesë i këtyre ndryshimeve, pas vendimit të Kushtetueses, pasi çdo person që kapet në flagrancë, arrestohet dhe çohet për gjykim për armëmbajtje pa leje nuk dënohet dot, dhe ky është një vakum në ligj, që ne duhet ta plotësojmë”, u shpreh Manjani.
Sigal