Arlind Qori rrëfen betejën me Covid-19: Për ISHP-në nuk ekzistoja, vdekja dhe mbijetesa është thjesht punë fati!

399
Sigal

Pedagogu dhe aktivisti i “Organizata Politike”, Arlind Qori, ka rrëfyer eksperiencën e tij personale, pas infektimit me Covid-19.

Qori shojegon se për autoritetet shëndetësore ai “nuk ka ekzistuar”, pasi nuk i kanë bërë asnjë test dhe se kostot për një person që sëmuret janë për një kategori të madhe njerëzish, të papërballueshme.

Postimi i plotë i Arlind Qorit:

Përpara rreth 20 ditësh më zuri Covid-19. Simptomat e para ishin dhimbja e kokës dhe pak temperaturë. Me kalimin e ditëve temperatura rritej, e shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje. Pas nja dy ditëve më të vështira, simptoma më nervozuese është humbja e shijes dhe një topitje e gjithanshme e shqisave.

Izolimi ishte dyfish i bezdisshëm: në shtëpi nga bota e madhe dhe brenda shtëpisë nga njerëzit. Më parë mendoja se në kushte të tilla do ta shfrytëzoja kohën për të lexuar, por më kot. Topitja e shqisave dhe arratisja e vëmendjes më pamundësonin kalimin në fjalinë e tretë. I kthehesha së dyti e së treti paragrafit, por ecja ishte prej breshke.

Nuk i kisha menduar më parë kostot e Covid-19. Tamponët, ilaçet, skaneri e të tjera kontrolle e kanë kapërcyer rrogën mujore të një pedagogu. Çka më bën të pyes: Nëse unë mundesha, si ia bëjnë të varfrit?! Ç’ndodh me një të papunë apo një punëtore fasonerie, rroga mujore e të cilës nuk del as për antibiotikët?! Vdekja dhe mbijetesa e tyre është thjesht punë fati.

Për institucionet shëndetësore publike unë nuk kam ekzistuar. ISHP nuk ka denjuar të më bëjë as tamponin e parë të evidentimit të virusit, as të dytin që do të më mundësonte t’u kthehesha punëve dhe fëmijët kopshtit. Mijëra të tjerë, me punë më pak fatlume se imja, lëkunden midis ankthit të infektimit dhe humbjes së punës nga zvarritja e pafundme e tamponëve.

Nejse, unë më në fund zbrita te kafeneja poshtë pallatit.