Arben Ahmetaj zyrtarisht nën hetim për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash

139
Sigal

Afera e plehrave vijon të fundos zyrtarë të lartë të shtetit. A u hoq nga detyra Ahmetaj për t’u bërë kurbani i radhës, që do shkojë në pranga, si i përfshirë në skandalin me inceneratorët? Agjentët e hetimit zbarkuan në shtëpitë e Ahmetaj, zbuluan dokumente vilash nga Green Coast, në Vala Mar dhe 30 mijë euro.

Tashmë ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj është vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas disa muajsh verifikime, SPAK i ka nisur hetimet dhe ka marrë nën hetim Ahmetaj për veprat penale: “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. Hetimi ndaj socialistit ka nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit; e këtij të fundit i është shtuar edhe kallëzimi i bërë nga gazetari Adriatik Doçi, i cili ngrinte dyshime për disa shkelje nga ish-zv/kryeministri. Për çështjen e parë, Ahmetaj po akuzohet për procedurën e ndjekur për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje. Disa ditë më parë, efektivët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen kontrolle në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt dhe partneres së tij të tanishme. Lidhur me kontrollet, Ahmetaj bëri ankesë, duke u shprehur se janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh, që lidhen me këtë ndërtesë. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.