Apostol Kotani:Politikanet dhe pushtetarët serbë të studiojnë mirë historinë pa të flasin për gjerësinë gjeografike të trojeve s

547
Sigal

Intervista/ Historiani dhe Publicisti z.Apostol Kotani flet mbi gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në kohë

 Z.Apostol! Juve keni studiuar dhe shkruajtur shumë për ngjarjet historike, të së kaluarës dhe të sotmes dhe keni botuar një serë librash. A mund të na thoni diçka për kufijtë tradicionalë dhe gjerësinë gjeografike të Shqipërisë? Por së pari deshëm të dimë se cili ka qenë qëndrimi i shqiptarëve ndaj të huajve si dhe i të huajve ndaj Shqipërisë dhe trojeve shqiptare.

Populli shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore nuk i ka rënë kurrë më qafë ndonjë populli apo shteti tjetër, përkundrazi ka ndihmuar popujt e tjerë për t’u çliruar nga sundimi i huaj.

Kështu luftëtarët shqiptarë kanë luajtur një rol të madh në fitoren e Revolucionit grek më 1820 dhe më vonë për çlirimin e krahinave të tjera që mbeten ende nën sundimin otoman. Ishin forcat shqiptare me në krye Heroin legjendar Haxhi Mihal Dajlani, për te cilin shkruan Niko Kazanzaqi. Janë shqiptarët me në krye Gjergj Kastriotin që ndihmuan Venedikun apo mbretërinë e Napolit për t’u çliruar nga sundimi Francës etj. Mbrojti krishterimin evropian. Populli shqiptar e dënoi dhe e sabotoi agresionin fashist kundër Greqisë. Për të ndihmuar popujt Jugosllavë për t’u çliruar nga pushtuesit nazistë u dërguan nga Shqipëria 20 mijë partizanë që luftuan heroikisht, nga Kosova, Metohia e gjer në Vishegrad dhe u kthyen triumfatorë në fillim të vitit 1945, pasi lanë jetën e dhjetëra partizanëve. Populli shqiptar strehoi dhe shpëtoi nga gjenocidi nazist mijëra hebrenj. Ai strehoi dhe mbajti si pjesëtarë të barabartë të familjeve, 25 mijë ushtarë italianë, pas kapitullimit të ushtrisë fashiste për t’i shpëtuar nga ndjekjet e nazistëve, nga uria dhe sëmundjet, duke hedhur pas krahëve gjithë të këqijat që kishin bërë gjatë viteve të pushtimit. Por krejt ndryshe janë sjellë të tjerët me popullin shqiptar, përfshi këtu edhe Serbinë. Kufijtë tradicionalë të banuara nga shqiptarët janë shtrirë jo vetëm në Mitrovicë por shumë, shumë më gjerë. Ja ç’shkruajnë dy lord anglezë për kufijtë tradicionalë dhe gjerësinë gjeografike të trojeve shqiptare në vitin 1880. Lordi Golschen, burrë shteti anglez, me 26 korrik 1880 ndër të tjera shkruan: “Midis Adriatikut dhe Pindit, vargut të maleve të Ballkanit dhe Alpeve Dinarike, në vijën që ndan Lindjen nga Perëndimi, ku historia ka parë me sytë e saj, ndeshjen e kaq e kaq popujve dyndës dhe kaq qytetërimeve të reja, qëndron Shqipëria si një kështjellë”. Kurse Lordi tjetër Fitzmaurice, me 22 korrik po të vitit 1880 ndër të tjera shkruan: “Vendi që përshkruhet nën emrin gjeografik Shqipëri, përfshihet në të dy Vilajetet, të Shkodrës dhe të Janinës, por shtrihet edhe në drejtim të Lindjes, përtej vijës së ujit të maleve që ndajnë lumenjtë që derdhen në Detin Adriatik, nga ato që derdhen në Detin Egje, dhe përfshijnë pjesë të vilajeteve të Manastirit dhe të Kosovës”. Kjo, shkruan më poshtë Lordi, vihet në duke edhe nga hartat gjeografike të kohës, si ajo e Kieperit, megjithëse përkrahës i elementit sllav dhe hartës së Strasfortit. Sipas tyre pjesa më e madhe e Kosopoljes, e Metohise, por edhe deri në vijën e Bistricës e të Drinit dhe rrethi i Lumës me Pejën  dhe Prizrenin, shënohen si troje shqiptare dhe jo sllave.

Edhe  z. M.Hanh prirej nga mendimi se banorët origjinalë kanë qenë shqiptarët, të cilët u përzunë që andej nga serbët, në një kohë të mëparshme të historisë”.  (Sipas librit “Ismail Qemal Vlora “Toronto-Kanada 1968 faqe 249-250). Le t’u referohemi disa fakteve historike rrëqethëse. Në vitet 1912-1913 serbët pushtuan jo vetëm trojet shqiptare të Kosovës, Shkupit e Manastirit por edhe krahinat e Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Matit e Dibrës.

Po çfarë ndodhi më pas me këto troje shqiptare?

Leo Aleksander Freundlich, një hebre me shtetësi Austriake, anëtar i Parlamentit Austriak dhe studiues, duke studiuar gazetat më prestigjioze të Europës si: “Frangfurten Zoitung”, “Dely Cronikle”, “Rigel”, “Reichseport”,  “Daily Telegraph”, “THe Albaniche Correspodent” etj., si dhe një sërë aktesh diplomatike, grumbulloi disa të dhëna për barbaritë serbe dhe malazeze kundër shqiptarëve dhe i përmblodhi në librin e tij me titull:”Albanies Golgatha” dhe e botoi në Vjenë në vitin 1913. Libër që u zhduk nga të gjitha libraritë dhe bibliotekat e botës nga serbët dhe filo-serbët. Ashtu siç u zhduk nga koleksioni i Gazetës “Vullneti” fleta e datës 23 prill 1930 që shkruante me germa të mëdha “Leo Aleksandri një mik i madh i Shqipërisë në Tiranë”, ku jepej një informacion i gjerë mbi veprimtarinë e tij pro-shqiptare. Por për fat, një nga këto libra u gjet në vitin 1930 nga Safete Juka, mbesa e Musa Jukes në SHBA dhe u ribotua. Në parathënien e librit të tij, ai shkruan: “Në anën Lindore të Adriatikut, gati tri ditë rrugë nga Vjena, jetojnë shqiptarët, një popull autokton, që prej shekujsh ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vet kundër armiqve dhe pushtuesve të çfarëdolloj monstre. Historia e këtij populli është një vargan i pandërprerë betejash shumë të përgjakshme kundër armiqsh nga më mizorët. Terrori i pashembullt për nga përgjakja që është ushtruar ndaj popullit shqiptar, por që nuk ka mundur t’a shfarosë racën e tij të fort”. Dhe më poshtë: “Gjatë tronditjeve masive që shkaktuan luftërat ballkanike, ëndrra e vjetër për liri dhe pavarësi e këtij populli ishte pothuajse në prag të realizimit të saj, dhe superfuqitë evropiane vendosën që të pohonin pavarësinë shtetërore të Shqipërisë. Por serbët të nxitur nga makutëria e tyre e pakufishme përcaktuan një metodë të tyre kriminale për të shkatërruar ëndrrën e mrekullueshme të këtij populli trim dhe liridashës….Trupat serbe pushtuan Shqipërinë me hekur dhe zjarr, me shkatërrime dhe kasaphanë”. Koncepti i Serbisë se: “Ne duhet t’i shfarosim shqiptarët” u bë koncept mbizotërues….Zgjidhje tjetër nuk ka”. (Fq. 38 e librit). Dhe më 18 tetor 1912 Mbreti serb Peter botoi manifestin e tij drejtuar popullit serb me anë të të cilit ndër të tjera shpalli:”Meqenëse Turqia nuk është më në gjendje të sundojë popullsinë evropiane, kam urdhëruar ushtrinë time trime të nis luftën e shenjtë me qëllim që të fitojë lirinë”.

-Po ç’ndodhi në të vërtetë!?

Pa kaluar as gjysmë viti, mijëra njerëz të vrarë burra, gra, fëmijë e pleq të torturuar për vdekje, fshatra të djegura, të rrafshuara për tokë, apo të zhdukura fare; gra dhe vajza të reja të përdhunuara; një tokë e tërë e shkretuar e rrënuar dhe e mbytur në gjak”. Megjithëse Konferenca a Ambasadoreve në Londër kish sugjeruar që bordurat (Kufijtë. shën im) e Shqipërisë të përcaktoheshin mbi bazën e statistikave të nacionaliteteve dhe besimeve, serbët nxituan dhe përgatiten statistika me flakët e mitralozave dhe tehet e bajonetave. Krimet e tyre është e pamundur të përshkruhen”.

Për muaj të tërë gazetarë nga shumë popuj kanë parë veprat e tmerrit të serbëve dhe kanë ngritur ankesa të zjarrta kundër tyre. Një ndër këta është edhe Pjere Loti, i cili u sul me aq furi sa askush në botë, duke u shprehur ndër të tjera se: “Një popull trim, një popull të shquar, po e torturojnë, të mbërthyer në kryq përpara syve të gjithë botës. Por Evropa e civilizuar nuk po flet, qoftë edhe një fjalë për këtë..” (Faqe 39). Leo, duke bërë fjalë për qëllimin e këtij botimi ndër të tjera shkruan se dëshiron: “Të ngrejë peshë ndërgjegjen e popullit Evropian, duke përmbledhur raportet dhe artikujt e gazetave më prestigjioze. Ai kritikon qeveritë evropiane që heshtin në këto situata tragjike. Ato duhet të urdhërojnë qeverinë serbe dhe malazeze të pushojnë menjëherë masakrat dhe të tërheqin trupat e tyre nga trojet shqiptare. Ai gjithashtu propozon ngritjen e një komisioni për hetimin dhe ndëshkimin e shkaktarëve. Ai u bën thirrje edhe qeverive të Anglisë dhe Francës, si më të moderuarat e kohës, që edhe ato të ushtrojnë ndikimin e tyre për t’u dhënë fund këtyre tragjedive të tmerrshme. Në fund të parathënies Leo shtron pyetjen: “A do t’a dëgjojë Evropa këtë klithmë!?

-Ç’fakte rrëqethëse sjell ky për barbaritë serbe dhe malazeze kundër shqiptarëve?

Më poshtë Leo sjell fakte rrëqethëse nga korrespodentë të ndryshe. Kështu gazeta “Frankfurter Zietung” shkruante se, 300 shqiptarë të paarmatosur nga Luma u pushkatuan nga serbët dhe se serbët kanë deklaruar se, ne do t’i shfarosim shqiptarët”. Kurse Profesor Schieman në gazetën “Grusading” ka shkruar se: “Serbët po zhvillojnë kundër shqiptarëve një luftë gjenocidi. Ata do të dëshironin me shpirt që të shfarosnin këtë komb me rrënjë e me degë”. Kurse gazeta “Deily Cronicle” me 12 nëntor 1912 shkruante: “Thirrjet masive të shqiptarëve prej serbëve janë një fakt që nuk mund t’a kundërshtojë askush dhe më poshtë: “Pranë Shkupit 2000 shqiptarë, dhe jo fort larg prej Prizrenit 5000 të tjerë janë therur pa mëshirë”. Korrespodenti i luftës i gazetës së Romës “Messaggero” jep një numër masakrash të tmerrshme në Vilajetin e Kosovës, në qytetet Ferizaj, Lipjan, Babush etj., ku janë shkretuar krejtësisht dhe shumë nga banorët e tyre janë vrarë”. Korrespodenti Danez Frio Magnussen i gazetës “Reget” ndonëse me ndjenja dashamirëse për serbet, shkruante nga Shkupi, “në Semlin (Zemun) makina serbe e luftës, në Maqedoni ka si tipar kryesor vrasjen e popullatës shqiptare dhe ka shpërthyer një luftë e llahtarshme gjenocidi. Tremijë shqiptarë janë masakruar në zonën midis Kumanovës dhe Shkupit, pesë mijë të tjerë përqark Preshevës. “Reichsepost” shkruante: “Qyteti i Shkupit me rrethinat u përshkua nga një masakër e llahtarshme mbi shqiptarët” dhe më poshtë: “Për tre netë me radhë kam parë me sytë e mi qiellin të skuqej nga flakët e fshatrave të djegur, kurse Honi në anën e kalasë së Shkupit ishte mbushur me mbi njëqind kufoma shqiptarësh”. (Faqe 44). Në Tetovë (Kallkandele) u kapën dhe u vranë 85 shqiptarë shoqëruar me plaçkitje dhe përdhunime grash e vajzash 12-13 vjeçare. Edhe në qytetin e Prizrenit, megjithëse nuk gjeten rezistencë, serbët vranë mbi katërmijë banorë pa dallim. Kurse ata që i zunë të gjallë i detyruan, nën kërcënimin e jetës, që të nënshkruanin një deklaratë ku ushtrinë serbe t’a quanin si  “Ushtri Çlirimtare”. Nëpër shtëpitë e boshatisura u vendosën familje serbe. Gazeta Parisiane “Humanite” shkruante: “Numri i qendrave shqiptare të shkatërruara krejtësisht, apo pjesërisht, arrin shifra rrëqethëse. Shembujt nuk kanë të sosur dhe masakrat serbe u shtrinë edhe më në thellësi të Shqipërisë. Në Shkodër, Lezhë, Mat, Tiranë dhe Durrës. Dhe, të gjitha këto kishin si qëllim të vetëm shfarosjen e popullsisë shqiptare, shkretimin e fshatrave e krahinave dhe vendosjen e familjeve serbe, për të pushtuar trojet e tyre dhe për të dalë në Detin Adriatik.

A nxorën mësime serbët nga këto demaskime?

Megjithë këto demaskime publike në gjithë gazetat e Europës, qarqet sunduese Europiane, jo vetëm që bënin sehir, por më në fund, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1913-ën, Kosovën, Manastirin, Shkupin etj., ja dhanë Serbisë, për të zgjeruar dhe forcuar shtetin Serb që u formua pas Luftës së Parë Ballkanike. Po serbet nuk u kënaqën me kaq. Ata vazhduan përpjekjet e tyre edhe në vitin 1918 për të zgjeruar territoret e pushtuara me trojet e Shkodrës, Dibrës dhe Matit. Pasi nuk ja arritën dot qëllimit me rrugën e armëve, në gushtin e vitit 1924, kryeministri serb Pashic ndihmoi Ahmet Zogun, që në atë kohë ndodhej në arrati në Vjenë e më pas në Serbi, për t’a rikthyer në fron duke e ndihmuar me para, armë dhe mercenarë, duke nënshkruar me të një marrëveshje skllavëruese, sipas së cilës gjithë institucionet civile dhe ushtarake, deri edhe kisha viheshin nën vartësi të Serbisë dhe e detyronin Zogun të hiqte pretendimet nga trojet shqiptare të aneksuara. Pra nën vartësinë e Serbisë vihej gjithë politika e jashtme dhe e brendshme.(Shih Marrëveshjen Arkivi Qendror Shtetëror, Fondi 253, Dosja 105…fleta 2,4-5.)

Sikur të mos mjaftonin këto, gjatë Luftës së Dytë Botërore, me idenë e “Konfederatës Ballkanike” deshën t’a bënin Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Për të vazhduar më tej mbas Luftës me akte të tjera çnjerëzore kundër popullsisë së Kosovës, për të realizuar ëndrrat e vjetra të shfarosjes dhe shpopullimit të këtyre trojeve nga banorët shqiptarë dhe për të vendosur aty banorë serbë. E megjithë këto të këqija, populli shqiptar dhe udhëheqja e tij kanë ditur të dallojnë qëndrimet e qarqeve shoveniste serbe nga ato të popullsisë së thjeshtë dhe asnjëherë nuk u kanë rënë më qafë serbëve apo nacionaliteteve të tjera, aq më pak nuk kanë tentuar kurrë çlirimin e tyre nga sundimi serb me forcën e armëve, por janë përpjekur në rrugë diplomatike sipas Kartës së Atlantikut për të drejtën e kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje. Akuzat që janë bërë dhe bëhen nga politikanë shovinistë dhe proserbe se: “Shqiptarët u bashkuan me pushtuesit fashistë dhe nazistë për të realizuar ëndrrën e Shqipërisë së madhe, janë kategorikisht të pavërteta dhe dashakeqëse. Dihet botërisht se pas Konferencës së Dytë Antifashiste NACL në Labinot, në shtatorin e vitit 1943, me porosi të udhëheqjes së luftës, Baba Faja Martaneshi, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Këshillit të Përgjithshëm, në fillim të tetorit 1943, i drejtoi një thirrje popullit të Kosovës dhe letra të veçanta besimtarëve të Dibrës, Prishtinës dhe Prizrenit ku u shkruante që të mos mashtroheshin nga parullat e pushtuesve për “Shqipërinë Etnike”, por të ngriheshin në luftë kundër tyre, të krijonin formacionet partizane dhe këshillat e pushtetit dhe të bashkoheshin me popujt e tjerë të Jugosllavisë në luftë për t’u çliruar nga pushtuesit nazistë. 20 mijë partizanët shqiptarë që u dërguan para përfundimit të çlirimit të Shqipërisë përtej kufijve shtetërore për të ndihmuar popullsinë e Kosovës, Metohisë dhe atë jugosllave deri në Vishegrad, patën për mision të vetëm ndihmën për t’i çliruar nga pushtuesit nazistë dhe kurrë për aneksimin e trojeve shqiptare të grabitur, dhe me të kryer këtë mision në vitin 1945 u kthyen në Shqipëri pasi lanë dhjetëra dëshmorë, sikurse u përmend edhe më sipër. Por përpjekjet e serbëve nuk morën fund me synimet e tyre për të vënë nën vartësi gjithë Shqipërinë. Ata pas çlirimit u përpoqën me gjithë mënyrat për t’a shndërruar Shqipërinë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë duke pasur edhe përkrahjen e agjenturës së tyre të Koci Xoxës me shokë duke i imponuar fillimisht marrëveshje skllavëruese si bashkimin doganor, parifikimin e monedhës dhe konventën ekonomike. Dhe më në fund kërkuan edhe sjelljen e forcave të armatosura në rangun e një divizioni gjoja nën rrezikun grek. Por këto përpjekje dështuan në sajë të vigjilencës dhe patriotizmit të udhëheqjes me në krye Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Nako Spiron etj., që kundërshtuan me vendosmëri planet skllavëruese të Beogradit. Udhëheqja dhe populli shqiptar dënuan fuqishëm edhe masakrat e Rankovicit kundër popullsisë shqiptare në vitet ’50 dhe ato të vitit 1998 që gjithashtu ishin nga më mizoret. Edhe sot e këtë ditë vazhdojnë qëndrimet e tyre shoviniste deri në veprime agresive të hapura siç është bllokimi u rrugëve, rrëzimi i monumentit të UCK-së etj.

Rol negativ në këtë drejtim ka luajtur edhe Rusia dhe ndonjë vend tjetër proverb. Por për fat erdhi një ditë kur politikanët e Amerikës, Evropës dhe më gjerë, u ndërgjegjësuan për atë që kish ndodhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe të korrigjojnë mendimet dhe veprimet e paraardhësve të tyre të ndërhyjnë ushtarakisht kundër gjenocidit serb në Kosovë dhe të njohin pavarësinë dhe mëvetësinë e saj. Përjashto këtu Rusinë dhe ndonjë vend tjetër që me kalimin e kohës shpresojmë që edhe ata të korrigjojnë qëndrimet e tyre sepse kjo dhe vetëm kjo është në të mirë të popujve të tyre. Populli shqiptar do t’u jetë për jetë mirënjohës SHBA-ve, Anglisë, Francës, forcave të NATO-s dhe gjithë vendeve që njohën pavarësinë e Kosovës, pas një maratone të gjatë bisedimesh. Shpresojmë që edhe masat e gjera popullore serbe do të ndërgjegjësohen së shpejti dhe do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi politikanët shovenë, ashtu siç duhet të ndërgjegjësohen dhe politikanët e disa shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në të mirë të stabilitetit në Ballkan, të paqes dhe të bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë. Nga Shqipëria dhe shqiptarët asnjë populli, aq më pak fqinjëve nuk do t’i vijë kurrë ndonjë e keqe. Ai di të hedh pas krahëve të këqijat e së kaluarës, siç beri edhe me ushtritë italiane pas kapitullit, të ushtrisë fashiste, kur ngelën keq dhe rrezikoheshin nga nazistët, uria dhe sëmundjet, u zgjati dorën e miqësisë, u hapi dyert dhe zemrat, i strehoi dhe i mbajti si pjesëtarë të barabartë në gjirin e familjeve të tyre deri në mbarim të luftës. Dhe, këta nuk ishin pak, por 25 mijë vetë.