Apeli i Presidentit Ilir Meta: Distancohuni nga urrjejtja që provokon dhunën dhe dëmton rëndë integritetin e procesit zgjedhor

211
Sigal

 

Apeli i Presidentit Ilir Meta për shqiptarët 1 javë para zgjedhjeve parlamentare

Distancohuni  nga urrejtja, që provokon dhunën, dhe dëmton rëndë integritetin e procesit zgjedhor

Kjo javë e fundit, duhet të shoqërohet nga një klimë zgjedhore më e qetë dhe më bashkëpunuese. Por edhe më ballafaquese, në kuptimin e transparencës para qytetarëve nga të gjithë. Ftoj të gjithë qytetarët dhe politikanët, të distancohen nga çdo fenomen negativ që nxit urrejtjen, që provokon dhunën, dhe mbi të gjitha që dëmton rëndë integritetin e këtij procesi zgjedhor historik.  Të gjithë qytetarët me të drejtë vote, duhet t`u drejtohen qendrave  të votimit, për të ushtruar të drejtën e tyre, në mënyrë të qetë, të lirë dhe të fshehtë, dhe të refuzojnë çdo përpjekje që do synonte shtrembërimin e vullnetit të tyre.

Çdokush që përpiqet të blejë votën tuaj, ka për qëllim jo vetëm t’ju skllavërojë për 4 vitet që vijnë, por edhe t`ju poshtërojë për gjithë jetën, duke ju përzënë fëmijët përgjithmonë nga vendi

Blerja e votës, ju poshtëron juve dhe fëmijët tuaj

Çdokush që përpiqet të blejë votën tuaj, ka për qëllim jo vetëm t’ju skllavërojë për 4 vitet që vijnë, por edhe t`ju poshtërojë për gjithë jetën, duke ju përzënë fëmijët përgjithmonë nga vendi.  Ndaj jam besimplotë se  të gjithë ju, do bëni më të mirën për t’i refuzuar të gjithë ata që duken, por edhe ata që fshihen pas tyre, sidomos ata që lëvizin natën. Vota është më shumë se e shenjtë. Mos pranoni nënshtrimin për një shpërblesë momentale! Familja dhe fëmijët  juaj ka nevojë për siguri, për t`u ndierë të përfaqësuar dhe të përfshirë çdo ditë, kanë nevojë për shërbim shëndetësor çdo ditë, për arsim dhe për drejtësinë e vërtetë. Dhe të gjitha këto nuk mund të garantohen nga përfaqësues që arrijnë në Kuvendin e Shqipërisë,  përmes blerjes  dhe frikësimit të qytetarëve.

Edhe nëse e keni  të vështirë për të zgjedhur, mos harroni,  se vota është një mjet ndëshkimi, në mënyrë që cilido në të ardhmen të mos ju zhgënjej

Votoni të lirë

Barazia para ligjit garantohet vetëm nga vota e barabartë. Ky është themeli i drejtësisë që kërkojmë të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Çdo qytetar, duhet të votojë i lirë, për të zgjedhur atë që mendon se është më i miri, për atë që mendon se mund t`i përfaqësojë më mirë, për atë që i bind se e ardhmja tyre do të jetë më e sigurt për ta dhe për familjarët e tij. E ardhmja jonë e përbashkët si shqiptarë, për 100 vite që vijnë nuk mund të blihet, me asnjë çmim.  Ne e kemi vendosur që e ardhmja jonë është vetëm demokracia, është liria e mendimit, është e drejta jonë për të zgjedhur e për t`u zgjedhur. Dhe mbi të gjitha është llogaridhënia në çdo nivel. Ndaj këtë të ardhme, ne duhet ta ruajmë e ta forcojmë, të gjithë bashkë, duke marrë pjesë masive në votime, dhe duke shprehur vullnetin tonë, të lirë dhe guximplotë.

Çdo përpjekje për të marrë votën forcërisht përmes formave shantazhuese dhe frikësuese, sjell përdhosje, nëpërkëmbje të dinjitetit, dhe shqiptaria jonë nuk e duron dot më këtë!

Asnjë pushtet nuk është më i fortë se vota e lirë dhe referendar

Çdo pushtet, buron prej saj, dhe çdo e drejtë kushtetuese mbrohet vetëm prej saj. Sa më i plotë dhe referendar të jetë vullneti i popullit, aq më të  ndëshkueshëm janë ata, që përpiqen ta sfidojnë vullnetin e sovranit.  Të gjithë bashkë me pjesëmarrjen masive në votime, duhet të garantojmë që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, çdokush që do të rezultojë votues nga këto zgjedhje historike, të gëzojë legjitimitetin e duhur për të na qeverisur në 4 vitet që vijnë.

 

Vota, mjet ndëshkimi

Një thirrje të veçantë e kam për të gjithë ata, që prej vitesh kanë zgjedhur të jenë indiferentë, nuk duhet ta humbisni këtë mundësi. Edhe nëse e keni të vështirë për të zgjedhur, mos harroni,  se vota është një mjet ndëshkimi, në mënyrë që cilido në të ardhmen të mos ju zhgënjej.

Të gjithë drejt 25 prillit, duke verifikuar vlefshmërinë e kartave të identitetit, ose pasaportat, që të gjithë të  shkojmë të votojmë.

Policia e Shtetit të distancohet nga keqpërdorimi i politikës

Një thirrje të veçantë dhe të drejtpërdrejtë e kam për forcat e Policisë së Shtetit. Distancohuni nga çdo përpjekje e politikës, qëndroni të pavarur dhe mos u keqpërdorni si në zgjedhjet e shëmtuara të Dibrës e Shijakut, që tronditën botën dhe   po mbajnë peng çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian . Policia e Shtetit, duhet të tregojë integritet të plotë në ushtrimin e detyrës, ajo duhet të jetë plotësisht e pavarur, e pa ndikuar, dhe duhet t`i shërbejë interesave të vendit.  Ajo duhet të luftojë në këto momente edhe më fort krimin, dhe duhet të fokusohet vetëm  në ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik. Por, njëkohësisht duhet të fokusohet e të luftojë fenomenin e shitblerjes së votës, apo çdo tentativë për të shtrembëruar vullnetin e zgjedhësit dhe çdo krim zgjedhor.

Zyrtarë, hiqni dorë nga indimidimi

Të gjithë funksionarët e lartë publikë, duhet të tërhiqen nga çdo lloj intimidimi që tentojnë t`i bëjnë administratës publike, dhe familjarëve të tyre.  Çdo përpjekje për të marrë votën forcërisht përmes formave shantazhuese dhe frikësuese, sjell përdhosje, nëpërkëmbje të dinjitetit, dhe shqiptaria jonë nuk e duron dot më këtë! Ndaj ju bëj thirrje kudo qofshi, në pushtet vendor apo qendror, tërhiquni dhe refuzoni urdhëratë politikë të shefave tuaj, sepse ligji dhe mbarë populli  do të jenë të pamëshirshëm me ju.  Mos nxisni asnjë konflikt, dhe në këtë mënyrë mos provokoni asnjë reagim qytetar!

Drejtësia të veprojë shpejt kundër çdo fenomeni keqbërës

Organet e sistemit të drejtësisë duhet të veprojnë dhe reagojnë shpejt dhe me urgjencë, për çdo fenomen, për çdo ngjarje, për çdo denoncim. Drejtësia t’i bind të gjithë se  po vepron, dhe drejtësi të ndihmoj për të parandaluar fenomene të tjera negative në ditët që vijnë, apo në ditën e zgjedhjeve.