Apeli i Afrim Qëndros: Dorëzoni letrat për shpronësim, ndryshe banesat do trajtohen si subjekte pa dokumente pronësie

505
Sigal

Drejtori i ARRSH Afrim Qëndro edhe dje u bëri apel banorëve tek Unaza që të dorëzojnë letrat e banesave të tyre, në mënyrë që të bëhet shpronësimi, ndryshe, ato do të trajtohen si subjekte pa dokumente pronësie. Afrim Qëndro tha se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përfunduar procesin e verifikimit dhe matjeve për 46 objekte që preken nga projekti i rehabilitimit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja. Pronarët e këtyre objekteve, të shtrira përgjatë tre loteve të këtij segmenti kishin dorëzuar dosjet e dokumenteve të pronësisë pranë institucionit dhe ARRSH në respektim të detyrimit ligjor ka kryer verifikimin dhe matjen në funksion të procedurës së shpronësimit. Aktualisht, ARRSH po bën gati dosjet e shpronësimit për këto objekte të para për t’i përcjellë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë e më tej në Këshillin e Ministrave ku do të miratohet shpronësimi. Ndërkohë ARRSH bën thirrje të gjithë banorëve të objekteve që preken nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës të paraqesin sa më shpejt dokumentacionin e pronësisë për të përfituar pa vonesa nga ajo çka përcakton ligji për rastet e shpronësimit. Përndryshe, ARRSH deklaron se do të zbatojë dispozitat ligjore duke i trajtuar si subjekte të cilat nuk disponojnë dokumente pronësie.