Anti-KÇK-ja ,lavatriçja që nuk e pastron dot Ramën

472
Sigal

Nga Gentian Çala

Që në momentin që e shpalli iniciativën Anti-KÇK, mendova se Rama po bën propagandë dhe kishte për qëllim heqjen e njollës si i përzier me krimin dhe trafiqet nga vetja dhe Rilindja. Por, ai paska përllogaritur edhe diçka tjetër, që jo vetëm “të pastrojë” veten, por duke i dalë kundër një iniciative që ka probleme të mëdha me liritë dhe të drejtat, ai mund të njolloste kritikët e saj. Dufin e zbrasi sot në Parlament, duke shigjetuar si mbrojtës të krimit Opozitën, Presidentin dhe këdo tjetër të rreshtuar kundër tij. Nervoz, i papërmbajtshëm dhe brenda rolit të tij, Kryeministri shpalosi sërisht demagogjinë e tij në stilin “gjithë fajin e kanë ata që nuk kanë asgjë në dorë”.

Gjuha e përdorur, jashtë etikës, me tone kërcënuese dhe ofendime, tregon humbjen e qetësisë së liderit dukshmërisht i çarmatosur nga argumentat dhe tezat që nuk bindin me as të tijët. Rama është kapur shumë herë në flagrancë me krimin, të cilin e toleroi, e favorizoi, e kandidoi në poste të rëndësishme, e përdori si makineri elektorale, bëri pazare dhe ndau tortën e pushtetit. Në momentin që kjo u bë teza kryesore e opozitës duke e konsideruar si narko-shtet, atëhere ai shpiku Anti-KÇK-në, për tu treguar shqiptarëve se nuk është i tillë, por e gjithë kjo u kuptua si një flluckë demagogjike.

E pra, Anti-KÇK-ja është lavatriçja që nuk e lan dot Ramën dhe Rilindjen! Duke mos u larë dot, ai bën atë që di më mirë: shpik armiqtë e shtetit ligjor! Teatraliteti dhe luajtja e rolit prej drejtuesi të përgjegjshëm nuk i shkojnë më. Madje duartrokitjet i mbetën vetëm Spiropalit, e vetmja që ngatërron Hamzain me Skëndërbeun. Më kot rreket i ngrati të përdorë foltoren e Kuvendit si armë propagande, sepse njerëzit kur e shohin kujtojnë me radhë tërë personazhet e botës së nëndheshme dhe të krimit të përzier me të, pa të cilët ai as nuk bën dot dhe as nuk mundet ti flakë. Thjesht, sepse është peng i tyre.

Atë që nuk e shkatërron dot, më mirë duaje. Kjo është historia e Ramës dhe e krimit. Ai që në fillim e pa këtë si një mundësi fito-fito, por kur e kuptoi se shqiptarët mund të mos ia falnin këtë gjë, u tha se “do të bëjmë sikur i luftojmë”. KM-ja është kaq i pafytyrë sa që kur kritikët e tij nuk kanë asgjë në dorë, ai sërisht drejton gishtin mbi ta, edhe kur i ka të gjitha vetë, prapë e pengon dikush…sepse populli duhet ta dijë se nuk është se s’do ai, por i krijohen pengesa. Çfarë anomalie logjike, çfarë konstruksioni primitiv?!
Mendja nuk ja përtyp dot humbjen e pushtetit dhe i krijon fantazma që i vërtiten ngado rreth e rrotull.
Mos ja vini re, se është në zor të madh!