Ankaraja trazon politikën e Kosovës. Erdogan falënderon Thaçin dhe kërcënon ashpër Haradinajn

689
Erdogan falënderon Thaçin, kërcënon Haradinajn
Presidenti turk ndërhyn ashpër në politikën e Kosovës pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe kreut të shërbimit sekret
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, falënderoi dje presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sulmoi sërish kryeministrin Ramush Haradinaj për qëndrimin ndaj operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq, që Ankaraja i akuzon për mbështetje të komplotit për grusht shteti. Duke folur në kongresin e partisë së tij në Hatay në juglindje të Turqisë, presidenti turk ishte i prerë në fjalët e përdorura. “Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘turp’. Sepse largimi nga detyra i kreut të zbulimit dhe ministrit të Brendshëm, të cilët na i dorëzuan anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Sepse ata e bënë detyrën e tyre”, citon presidentin turk agjencia turke e lajmeve “Anadolu”. Gjithashtu, të shtunën presidenti turk në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi në Stamboll tha ishte “i mërzitur” nga vendimi i kryeministrit për shkarkimet. “Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”, tha ai. Megjithatë kryeministri i Kosovës nuk ka reaguar ndaj sulmit të presidentit turk. Ndërsa kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se është befasuar me deklarimet e presidentit turk ndaj kryeministrit Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Kosovës po trajtojnë në hollësi operacionin. “Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar”, u shpreh Veseli. Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan”, pronë e klerikut turk Fetullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Taip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, dhe një mjek, u deportuan në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve. Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi.
Sigal