Anëtarësia ndodhet në ‘Foltore’/ Klevis Balliu: Sali Berisha magnet i demokratëve

250
Sigal

Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu e quan “Foltoren” e liderit historik të demokratëve, Sali Berisha me anëtarësinë në bazë, si nismë e cila do t’i rikthejë sovranitetin PD-së dhe demokratëve. “Berisha është magnet për demokratët”, thotë Balliu duke komentuar entuziazmin e takimeve të Berishës, ndërsa i kujton Bashës se baza e PD është në “Foltore” me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe po diskuton për të ardhmen e demokratëve, por edhe për të ardhmen e vendit, pasi siç shtoi ai, “qytetarët sot janë jetimë në duart e Edi Ramës i cili drejton një qeveri kriminale”.

 “Si mundet të akuzojë anëtarësinë Lulzim Basha? Lulzim Basha duhet t’i bëjë opozitë Edi Ramës, jo anëtarëve të PD. Sot anëtarët e PD janë në sheshe, në foltoren e Sali Berishës. Sali Berisha është magnet për demokratët. Lulzim Basha rri në kafe, por anëtarësia e PD është në sheshe, është në “Foltore” duke diskutuar”, u shpreh Balliu.

Vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, thotë Balliu, është një vendim i pavlerë, pasi vendimet në parti i marrin forumet dhe jo kryetari. Vendimi i Bashës, tha Balliu, ka për qëllim të fshijë kujtesën politike të PD.

“Vendimi i Bashës për Dr.Berishën, çfarë bën në thelb. Fshinë kujtesën politike. Një parti pa kujtesë politike shkatërrohet, fshihet totalisht. Ti kur fshin kujtesën politike, fshin meritokracinë. Aty janë katapultuar njerëz, ti mund të kesh miq sa të duash, por ajo parti nuk është për miqtë, ajo është partia e qytetarëve shqiptarë, e anëtarëve të PD. Turpmë të madh për një lider se të ofendojë me gjuhën e kundërshtarit të vet politik, anëtarët e partisë së vet, nuk ka dhe nuk mund të ketë”, tha ai.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD, vijon Balliu duke iu referuar statutit të PD, mblidhet me kërkesë të 1500 anëtarëve demokratë. Ai shton se PD duhet të ketë në statutin e saj lejimin e referendumeve.

“Kryetari aktual i PD është i painformuar për statutin, ose bën sikur s’di. Nuk ka tagrin të përjashtojë. Sali Berisha nuk është i përjashtuar, as ka masë disiplinore, është anëtar i PD. Të vetmit që nuk e njohin është Parlamenti i Edi Ramës dhe Lulzim Basha. Kryetari i partisë nuk ka tagër të përjashtojë askënd. Kjo është tagër e Kryesisë, forumeve, Këshillit Kombëtar dhe për këtë duhen mbledhur këto forume se në të kundërt për çfarë i kemi këto forume. Kuvendi mblidhet me 1500 firma sipas statutit. Lidhur me mënyrën se si mblidhet Kuvendi, pas marrjes së të ¼ të anëtarëve, thirret Këshilli Kombëtar dhe i dorëzohet kryetarit të Këshillit Kombëtar që është z.Paloka dhe aty bëhen propozime qoftë për ndryshimin e statutit, qoftë për futjen e pikës së referendumit të cilën ne gjatë opozitës ua premtuam shqiptarëve që do të bëjmë një qeveri edhe me referendume ku do të marrin pjesë shoqëria. Tjetër u premtojmë shqiptarëve dhe tjetër sillemi në parti. Këta e kanë hequr referendumin. Sot këto gjëra po kërkohen. Unë nuk e kuptoj si mund të ketë probleme një Parti Demokratike, një parti që ka sjellë votën e lirë në Shqipëri, një parti e cila ka gjithë jetën dhe luftën thelbësore që ka me pushtetin kriminal të Edi Ramës, është ajo për votën e lirë, atëherë si mundet që kjo parti të mos pranojë votën e lirë brenda saj, brenda strukturave të veta? Kjo është absurde dhe e palejueshme. Këtu nuk ka nevojë për luftë, as për gjithë ato debate, por po kërkohet të merret një vendim për liderin e demokratëve”, deklaroi më tej, Klevis Balliu.