Andrea Çupa: Pa kufizimin e pushtetit të Kryeministrit, nuk ka balancim të pushteteve dhe qeverisje demokratike

872
Sigal

Kriza politike aktuale në Shqipëri do të zgjidhet me ndërmjetësimin e SHBA dhe BE siç ndodh zakonisht

Pa kufizim të pushtetit të kryeministrit, nuk ka balancë të pushteteve, nuk ka qeverisje demokratike!

ANDREA ÇUPA

Ndër vite radhazi janë bërë pa mbarim denoncime për gjendjen; provat dhe faktet të pafund të së keqes, duke bërë qaramanin kemi shpresuar se i paprekshmi, do të zgjidhë gjendjen, do të reformojë sistemin?! Pyetja shtrohet: A ka rrugëzgjidhje kjo gjendje? A ka forca progresive që mund të reformojë sistemin dhe do të sjellin në proces ndryshimin progresiv. A është e interesuar klasa politike për ndryshimin e sistemit etj., etj? Për të reformuar dhe ndryshuar një sistem të dështuar duhet të bazohemi tek ligjet dhe ligjësitë e zhvillimit në natyrë, në shoqëri dhe në mendim njerëzor, në parimet demokratike të provuara, në filozofinë e suksesit. Mungon një platformë zhvillimi, që të vlerësojë gjendjen dhe të nxjerr shkaqet e vërteta, ligjësitë dhe parimet ku të mbështetet kjo platformë, objektivat strategjik, strategjinë (vizionin) në funksion të objektivave (qëllimit) që duhet të arrihet; prioritetin kryesor, prioritetet e rëndësishme, si dhe projekti apo plani i detajuar për afro 200 fusha dhe nënfusha të zhvillimit të vendit, që duket se kanë dështuar. Kriza aktuale politike, kushtetuese, institucionale dhe e vlerave përbëhet nga dy anë. Njëra përfaqëson rrezikun dhe tjetra mundësinë për zgjidhje dhe ndryshimin. Zgjidhja e saj nga kjo klasë politike me sa duket do të jetë misioni i pamundur. Besoj, se ajo do të zgjidhet vetëm nga mbështetja dhe monitorimi i SHBA dhe BE. Po cilat janë shkaqet e gjendjes së krijuar që kanë sjellë dështimin e sistemit? Shteti ligjor i së drejtës që shpresonim, ka përfunduar në sistemin e Partisë Shtet?! Në ekonominë e rrënuar, në papunësinë, emigrimin masiv?! Korrupsioni gjigant dhe ai i vogël masiv! Oligarkia! Malinja në Pallatin e Drejtësisë, në Sarajet e qeverisë, në Selinë e Parlamentit! Krimi i organizuar i lidhur me politikën! Shndërrimi i ligjeve dhe vendimeve të Gjykatave në instrumente grabitjeje! Siguria kombëtare e cenuar, mungesa e sigurisë së jetës, lirisë dhe pronës! Dështimi i demokracisë politike, ekonomike dhe sociale! Partitë Politike funksionojnë me metoda totalitare, ku nuk bëhen zgjedhje, nuk funksionon mendimi ndryshe në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës së RSH! Pushteti i pakufizuar i Kryetarit të partisë ka pastruar kundërshtarët që mendonin ndryshe për 30 vjet!

A janë pastruar sojsëzët dhe kanë mbetur sojlinjtë?! Apo…

Pushteti i pakufizuar i Kryeministrit, njëherazi, ai dhe Kryetar Partie, ka marrë kontrollin e katër pushteteve, ka rrëmbyer sovranitetin e popullit, ka prishur balancën e pushteteve – baza e qeverisjes demokratike. Ky është një nga shkaqet me kryesore në mos me kryesori i dështimit të sistemit, i kësaj gjendjeje të krijuar. Ky vend po shkatërrohet hap pas hapi nga dhuna dhe krimi i organizuar, korrupsioni dhe mjerimi, nga pushteti i pakufizuar i kryeministrit (pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute) dhe po kalbet nga indiferentizmi intelektual, indiferentizmi i ekspertëve të fushave të ndryshme! Gjendja aktuale është e përfshirë nga propaganda dhe demagogjia, e pasur nga një gjendje anarkie dhe kaosi me element totalitar në veprim dhe autokracia.

Alternativa Reformimit të Sistemit

Demokracia si koncept dhe si forme qeverisjeje bazohet në disa parime kryesore: Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Sistemi i pushtetit përfaqësues. Kufizimi i pushteteve, ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve ( legjislativ ekzekutiv dhe gjyqësor). E drejta e përgjithshme e votës etj. Duke u bazuar në ligjin e ndërveprimit reciprok të parimeve, faktorëve dhe elementëve që veprojnë në shoqëri dhe prioriteti i tyre ndaj njeri tjetrit, do të kuptojmë saktë, që këto parime ndërthuren dhe bashkëveprojnë me njëri tjetrin. Nuk mjaftojnë vetëm zgjedhjet e lira, ku bazohet qeverisja demokratike, por duhet edhe parimi i kufizimit të pushtetit, parimi i ndarjes dhe balancimit real të të tre pushteteve (ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor). Për 30 vjet nuk kanë funksionuar mjaftueshëm zgjedhjet dhe vota e lirë, pasi ato janë vjedhur, manipuluar për shkakun kryesor të pushtetit të pakufizuar të Kryeministrit, për rrjedhojë ndarja e pushteteve ka qenë fiktive dhe, balanca e tyre ku bazohet qeverisja RSH, ka qenë inekzistente. Duke kufizuar pushtetin e Kryeministrit me dy mandate katër vjeçare, do të mund të sigurohej balancimi real i të tre pushteteve, do të vendosim bazën kushtetuese të qeverisjes demokratike, do t’i prisnim litarët sundimit të një personi, të shefit të ekzekutivit. Po kush e kundërshton dhe, absolutisht nuk e do që parimin e kufizimit të pushtetit të Kryeministrit e të Kryetarit të Partisë me dy mandate 4 vjeçare? Nuk e kanë dashur dhe nuk e duan, Kryetarët e Partive politike, Shefat e ekzekutivit, grupet e jes-menëve të ngjitur si gërthelle rreth tyre, analistë dhe media në llogore, turma e militantëve me opinione të sugjestionuara, që nuk i formojnë ato me anë të arsyes, etj. Arsyet?! Duhen pyetur ata! Një nga parimet themelore të demokracisë që dallon dhe ndan sistemin demokratik nga sistemi totalitar, diktatorial, autokratik, sistemin e shtetit ligjor të së drejtës , nga sistemi i Partisë Shtet, është parimi i kufizimit të pushtetit, i përcaktuar në Kushtetutën e R.SH. (përveç funksionit të kryeministrit!?). Arsyetimi racional të çon në përfundimin se: kufizimi i pushtetit , të kryeministrit, vetëm me dy mandate 4-vjeçare do të sillte në proces ndarjen reale dhe balancimin e vërtet të të tre pushteteve, dhe në bashkëveprim me parimin e sovranitetit, do të sigurohej sistemi i qeverisjes demokratike, aq shumë i munguar. Më tej, le t’i referohemi edhe demokracisë amerikane, për të argumentuar domosdoshmërinë e zbatimit e të parimit të kufizimit të pushtetit të shefit të ekzekutivit. George Washingtoni (1789-1797) vendosi në Kongresin e SHBA në Kushtetutë, me votën e lirë, kufizimin e pushtetit të Presidentit me dy mandate 4 vjeçare. Me sa di, G. Washingtonit, kur i është kërkuar që të kandidonte për mandatin e tretë për President të SHBA, Ai është shprehur: “Nëse do merrja mandatin e tretë të Presidentit të SHBA-së, unë do të kthehesha në një diktator.” Që nga ajo kohë në Kushtetutën e SHBA-së është vendosur që: Presidenti i SHBA-së (shefi ekzekutivit) të ketë vetëm dy mandate presidenciale nga 4 vjet dhe, të ketë mbushur moshën 40 vjeç. Neni i kufizimit të pushtetit në Kushtetutën e SHBA-së është një nga gurët e themelit të demokracisë amerikane. Atëherë, përse kryeministrat shqiptarë duhet të vijojnë të ndjekin modelin e pushtetit të pakufizuar të Putinit?! Përse duhet të ndjekin modelin e pushtetit absolut të Erdoganit?! Argumenti i tretë, i fundit nga radha por jo i fundit nga rëndësia për kufizimin e pushtetit. Duke u bazuar në parimet demokratike, implementimin e tyre në ligj dhe në Kushtetutë, do të mund të vendosim në proces teknologjinë moderne institucionale, procedurat, mekanizmat, ligjet dhe, do të mund të pengonin, frenonin, minimizonin dhe rregullonim që, qëllimi dhe pasionet e papërmbajtshme për lavdi (pushtet) dhe pasuri, të mos realizoheshin në rrugë e mënyra të paligjshme, siç ndodh rëndom tek ne, do të pengonim në maksimumin e mundshëm të mbërritjes së padrejtësisë. Bundestagu gjerman i ka vendosur Shqipërisë nëntë kushte për çeljen e negociatave pas 18 Tetorit 2019. Këto kushte provojnë edhe një here gjendjen e krijuar dhe dështimin e sistemit. Nëntë kushte janë një bazë për reformimin e sistemit për ndryshim , për përgatitjen e një platformë të gjerë, transparente ku të përfshihen të gjithë aktorët politikë dhe jo politikë.