Analizë nga Prof. Dr. Arben Malaj: Politika e jashtme si prioritet dhe përgjegjësi kombëtare. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk na ndihmojnë

425
Sigal

Prof. Dr. Arben Malaj Lektor i Integrimit Evropian.

Eri Sulo B. A Marrëdhënie Ndërkombëtare & Diplomaci

 

“Nëse jemi të fortë, forca jonë flet vetë.

Nëse jemi të dobët, fjalët s’na ndihmojnë”

John F. Kennedy

 

Politika e jashtme ka mision edhe ruajtjen e partneriteteve strategjike dhe krijimin e aleancave për prioritetet kombëtare apo situata specifike. Në historinë tonë kombëtare të vështirë ka disa momente kritike deri në vënien në dyshim të ekzistencës së shtetit shqiptare. Jemi ndeshur shpesh në pengesa dhe vet-pengesa në ngritjen, konsolidimin dhe funksionimin e kulturës tonë shtete-formuese, ne funksionimin e shtetit ligjore dhe në konsolidimin e një demokracie funksionale. Dobësitë e trashëguara në kulturën shtet-formuese, direkt dhe indirekt pengojnë apo vështirësojnë realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme. Në këtë ambient politik me jo pak kriza në vendin tonë, zhvillimet e ashpra gjeopolitike në Ballkan, dhe përballë sfidave integruese të së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, politika e jashtme bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Disa elemente apo momente konkrete bazuar edhe në zhvillimet konkrete dhe kritike në rajonin tonë, në Shqipëri dhe sidomos për shqiptarët, ku politika e jashtme e vendit tonë duhet të bëhet më produktive, po i ndajmë me ju, jo si gjetje apo konkluzione por “Foods for thoughts” rreth këtyre sfidave

1- Maksimizimin i përqendrimit dhe i produktivitetit të politikës sonë të jashtme për të eliminuar vonesat e mëtejshme në procesin e integrimit evropian, ku hapi i parë është zgjidhja e krizës aktuale politike në vendin tonë.

2- Reduktimi i protagonizmit personal të liderëve politikë shqiptarë në debatet e brendshme të Kosovës, lidhur me opsionet alternative me politikat tregtare apo gjetjen e një zgjidhje alternative me (mos) ndryshim të kufijve për njohjen reciproke dhe përfitimi i statusit të vendit anëtar të Kombeve të Bashkuara. Kosova duhet të konsolidohet si shtet i pavarur. Çdo protagonizëm personal apo partiak nga liderët e Shqipërisë në zhvillimet e brendshme vetëm e dëmton Kosovën.

3-Politikanët shqiptarë direkt ose indirekt nuk duhet t’i hedhin benzinë zjarrit të debateve të brendshme në Kosovë “Pro Thaçit dhe Kundër Haradinajt” apo “Pro Haradinajt dhe Kundër Thaçit”..

4- MEJP duhet të synojë dhe arrijë bashkëpunim maksimal me partnerët strategjikë të Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Hapi i dytë – unifikimi i qëndrimit brenda politikës shqiptare për mbështetjen e Kosovës në sfidat e saj jo të lehta. Kjo zakonisht konfirmohet me një rezolutë të Parlamentit e cila mbështetet nga të gjitha forcat politike.

E treta – është identifikimi jo vetëm i partnerëve strategjikë, por edhe i personaliteteve me profil të lartë ndërkombëtar, që mund të bëhen promovuesit e zgjidhjes win – win për të dalë nga kjo krizë bllokuese dhe me pasoja për të ardhmen e Kosovës.

4- MEPJ duhet të maksimizojë eficiencën e shërbimit diplomatik për ta promovuar sa më mirë ekonominë e vendit të tyre, të tërheqin sa më shumë investitorë. Ndjesitë personale, respekti reciprok i diplomatëve nga investitorë potencialë veprojnë me shpejtë dhe me mirë sesa promovimet me konferenca qeveritare.

5- Shoqata e Konsujve të Nderit përfaqëson një kanal premtues, të shpejtë dhe efikas, mjaft produktiv për të promovuar rajonet, ku veprojnë dhe Shqipërinë në tërësi në vendet që ata përfaqësojnë. Shoqata e konsujve të Nderit është një “second opinion”, një burim alternativ konkret dhe më i sinqertë për të identifikuar problemet reale të investitorëve të huaj. Shoqata e Konsujve të Nderit mund të ketë kontribute të vlefshme në ndërtimin dhe implementimin e një strategjie kombëtare afatmesme të një diplomacie ekonomike efikase në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar.

6- MEPJ duhet të qeveriset duke angazhuar investimet afatgjata në kapitalin human të diplomacisë shqiptare duke u konsultuar me ish ministrat e jashtëm gjatë tranzicionit, pavarësisht qeverive që ata kanë shërbyer, sepse politika e jashtme është element strategjik kombëtar dhe nuk duhet të dëmtohet nga rotacionet politike dhe aq më pak ndryshimin e ministrave gjatë të njëjtës maxhorancë

7- MEPJ duket të ketë një strategji promovuese të shqiptarëve të talentuar në institucionet ndërkombëtare në nivel rajonal, evropian, dhe global si OKB, FMN, BB, OBT etj. E para, sepse sot kemi mjaft individë që meritojnë të promovohen për shkak të Meritave të tyre, por edhe pse ne kemi një nivel të ulët përfaqësimi në këto institucione

8- Çdo ministër apo edhe zv.ministër mund të lërë gjurmë në sfidat e një vendi apo në historinë e sfidave të ministrisë që drejton pavarësisht nëse qëndron gjatë apo pak kohë në atë post aq të rëndësishëm, duke përcaktuar një prioritet konkret dhe duke investuar në rritjen e kapaciteteve diplomatike të vendit të tij duke i vlerësuar, mbështetur dhe inspiruar diplomatët dhe çdo qelizë që përgatit vendimmarrjen apo implementon suksesshëm prioritetet politike të ministrisë .

9- Një ministër apo zv.ministër i jashtëm duhet të jetë sa me pak partiak në thelbin e angazhimit të tij dhe jo vetëm në debatet publike. Profili i lartë dhe prioriteti kombëtar që ai drejton e detyron atë të jetë një zbutës i krizave politike, një prodhues konsensusi, kompromisi dhe zgjidhjeje kjo sepse vetëm me këtë profil dhe autoritet ndikues në zhvillimet politike të vendit të tij ai mund të fitoj respektin e kolegëve ndërkombëtar, pa të cilin ai do të jetë një statistikë takimesh, por jo histori kontributesh. Nëse një drejtues ministër apo zv ministër nuk e njeh dhe nuk e respekton ndarjen e thellë midis nivelit politik me atë administrativ, kjo cenon rëndë profilin e tij dhe për më keq redukton detyrimin e tij kombëtarë që të përmbush mandatin e të për hartimin dhe implementimin e politikave evropiane dhe politikën e huaj të shtetit shqiptarë. Misioni i vështirë por pa të cilin nuk ka sukses politika jonë e jashtme dhe që mund të bëhet më e vështirë ruajtja dhe konsolidimi i partnerëve strategjik dhe i aleancave mbështetëse për çdo prioritet kombëtarë ku përfshihet Kosova, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo në botë ku shteti amë mbetet shpresa e tyre më e madhe.

10- Diplomacia është art dhe synon zgjidhje edhe atje ku ajo duket se nuk ekziston. Diplomacia e një vendi të vogël duhet të mos vrapojë të shfaqet e fortë, kur e vetme nuk është e fortë, por të identifikojë dhe konsolidojë partnerët strategjikë dhe personalitet ndërkombëtare që kanë ndikime pozitive në vendim-marrjet e rëndësishme në zhvillimet gjeopolitike nga të cilat shqiptarët nuk duhet të kenë të njëjtat kërcënime mbi të cilat kanë fituar.