Analistët “kryqëzojnë” emisarët e PE-së

489
Sigal

Forum/ Lubonja, Mustafaj, Çavo, Nzarko dhe Shkullaku: Eurodeputetët kanë interesa korruptive, Shqipëria drejt autokracisë, është koha për qeveri transitore. Prof. FUGA: Votojmë si në ferr, aspak si në demokraci

Analistët: Eurodeputetët kanë interesa korruptive, Shqipëria drejt autokracisë

Lubonja: Ndërkombëtarët kanë humbur besimin e shqiptarëve

Analisti Fatos Lubonja, mbrëmë ka komentuar deklaratat e 7 eurodeputetëve që vizituan vendin tonë dy ditët e fundit.

Sipas analistit, Shqipëria ka bërë hapa para, por kjo nuk është e vërtetë, sepse ndodhemi pranë autokracisë. Ky është një moment i rëndësishëm në jetën e vendit. Jemi në një udhëkryq, ose do t’i hapim rrugën një regjimi autokrat dhe opozita do dalë jashtë loje, ose opozita mund të kthejë shpresën për të ndërtuar një qeverisje që i shërben njerëzve. Bashkë me këtë moment, do të ishte dëshira ime, që shqiptarët të emancipohen edhe ndaj ndërkombëtarokracisë. Politikanët shqiptarë, kanë gjetur gjithmonë legjitimitetin tek të huajt, fillimisht Bashkimi Sovjetik, Kina, pastaj SHBA. Edhe opozita duhet të kuptojë se ka përpara një mision historik.

A është në nivel opozita, nuk e di, por kjo është e para gjë që them si njeri që di diçka nga historia e Shqipërisë dhe kam ndjekur këtë kalvarin e ndërkombëtarëve. Konflikti që duhet të kemi me ndërkombëtarët, të cilët erdhën është ky: Ata thonë jeni afër duke u integruar, por mos bëni këtë, se prish negociatat. Unë mendoj se nuk kemi bërë fare hapa para, por po shkojmë drejt një autokracie, në formën më abuzive që kemi parë. Po qe se këta do ishin objektivë dhe nuk do kishin interesa të tjera, që nga interesat korruptive deri tek ato gjeopolitike, ata duhet të thoshin se kjo është një situatë që nuk duhet pranuar”, deklaroi Lubonja.

 

Analisti i majtë kundër Ramës: Duhet qeveri transitore

Analisti Mentor Nazarko tha se eurodeputetët që erdhën në Shqipëri nuk janë hallka më e lartë e Bashkimit Evropian. Ky vend varet nga BE-ja për shumë aspekte për ekonominë, emigrantët, politikën. Nuk mund të sillemi si ai Haxhi Qamili. Jam dakord me opozitën kur thotë se duhet të luftojmë krimin. Jam dakord që të ketë qeveri pajtimi ose tranzitore për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri.”- deklaroi Nazarko.

 

Prof. Dr. Zamira Çavo: Shqipërinë nuk e bëjnë ata që kanë vjedhur këtë popull

 

Vendin e bëjnë njerëz me ide, me integritet dhe profesionalizëm. Vendin nuk e bëjnë “vogëlushë” që meritën e vetme kanë se njohin ministrat, nuk e bëjnë as ata që e kanë vjedhur këtë popull deri në xhepin e fundit, e as demagogët. Për sa kohë që të parët nuk gjejnë vend dhe të dytët bëjnë ligjet, vendi do behet, por jo për NE, për ATA!

Analisti tallet live me Spiropalin: Do merremi me ‘Skënderbeun’ kur të ndodhë përplasja civile

Analisti Armand Shkullaku thumboi live ministren Spiropali, për etiketimet që ajo bën ndaj kryeministrit Edi Rama. Shkullaku: “Kur të ndodhë përplasja sociale, pastaj do ta lejmë opozitën dhe do merremi me Skënderbeun. Kjo mazhorancë duhet të kuptojë që kjo opozitë përfaqëson 30 për qind të shqiptarëve. Nëse kjo opozitë krijon frymë do të thotë që kjo qeveri nuk vazhdon më”.

Ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj: Ndërkombëtarët i bëjnë presion gjithnjë opozitës

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dje, deklaroi se ndërkombëtarët zgjedhin të bëjnë gjënë më të lehtë, t’i bëjnë presion palës më të dobët, në këtë rast opozitës. Besnik Mustafaj: Gjithmonë është më e lehtë t’i bësh presion opozitës, këtë rrugë zgjedhin ndërkombëtarët, më të lehtën, por edhe për faktin se është opozita ajo që ka braktisur parlamentin. Nuk ka ndonjë surprizë në sjelljen e tyre. Nga opozita kërkohet një gjë esenciale, durimi. Nuk duhet aspak nervozizëm me ndërkombëtarët, pra duhet të jenë të durueshëm. Të bëjnë atë që s’e kanë bërë më parë, shpjegimin me argumente të vendimit të tyre. Pra, të tregojnë me fakte, se masa ekstreme e marrë prej tyre nuk është kapricio. Vendimi për çeljen e negociatave merret nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Deklarata për gotën që shihet herë gjysmë plot dhe herë gjysmë bosh tregon se ky vendim do jetë negativ edhe në qershor, çfarëdo që të bëjë Shqipëria.

Votojmë si në ferr! Aspak si në një demokraci

Akademik Artan Fuga

Në periudhën para dhe përgjatë-elektorale “qeveri” duhej të ishte Komisioni Qendror Zgjedhor. Vendi ka nevojë urgjente për një reformë elektorale të thellë dhe të drejtë. Është ajo që përcakton elitat që ushtrojnë pushtetin apo edhe gjyqësorin. Si shumicën në Kuvend ashtu edhe opozitën me deputetët e saj. Një ligj i ri elektoral, i drejtë, si në Evropë, është gjëja që na duhet si shqiptarë. Sepse kemi 30 vjet që nuk votojmë si në Evropë pavarësisht se kush i ka fituar zgjedhjet. Votojmë si në ferr. Pak më mirë se në periudhën komuniste, por aspak si në një demokraci. Jemi bërë për turp! Ligji elektoral në Shqipëri veç deputetëve që janë seriozë, por të nënshtruar, prodhon me shumicë deputetë dhe këshilltarë të inkriminuar, servilë, të korruptuar, dhe pa asnjë nivel kulturor, që nuk dinë të bëjnë një analizë të thjeshtë, pale të bëjnë një ligj. Turp! Ka në politikën shqiptare politikanë, deputetë, pushtetarë që kanë zënë vend prej tridhjetë a njëzet vjetësh dhe nuk ikin prej andej, për qamet. Janë ndryshuar elitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, në Itali, në Francë, në Greqi, në Serbi, në Maqedoni, në Poloni, në Rumani, kurse kushdo që vjen atje, kur është fjala për të takuar homologë shqiptarë gjen të njëjtët njerëz. Na duhet e drejta e votës për të zgjedhur përfaqësuesit tanë, sepse si këshilltarët ashtu edhe deputetët i vendosin në listë kryetarët e partive. Ne kemi një demokraci të kryetarëve të partive dhe jo të qytetarëve. Nuk kemi të drejtë vote. Pikë. Jemi skllevër. Çfarë pune ka qeveria, e korruptuar ose jo, e djathtë ose e majtë, militante apo teknike me zgjedhjet? Mjaft me këto komisione elektorale të mbushura me militantë partiakë. Na duhet tjetër gjë. Një komision qendror elektoral dhe zgjatime të tij të paanshme, fuqiplota, të rrepta dhe të drejta me të gjithë kandidatët. Vetëm kur administrata publike do ta shohë veten të pa influencuar në sigurinë e saj në punë, vetëm atëherë do të shpresojmë, jo vetëm për një nëpunës profesionist dhe cilësor, por edhe që nuk do të mund të kthehej në repart militant për të shkatërruar procesin zgjedhor.

Nuk e doni apo kërkoni këtë reformë? Si në Evropë? Atëherë bëjuni gati që në çdo katër ose tetë vjet t’i zgjidhni çështjet me gaz lotsjellës, me ujë fshikullues, me shashka dhe me bomba Molotov.