Ambasadorja gjermane: “Drafti Zgjedhor nuk u përgatit nga ekspertët gjermanë”

521
Sigal

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz nxjerr blof bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore që e paraqitën projektligjin të hartuar në bashkëpunim me ekspertë të qeverisë gjermane. Edhe Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt u shpreh se akoma nuk kanë dhënë mendim për këtë draft.

Ekspertët gjermanë u shitën si autorë të ndryshimeve të Kosit Zgjedhor, nga Partia Socialiste dhe bashkëkryetari i reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi. Por Ambasada e Gjermanisë e hedh poshtë këtë, duke zbuluar se janë PS dhe PD, (nënkupto Komisioni i Reformës Zgjedhore) që e kanë përgatitur draftin me ekspertët e tyre. “Ambasada Gjermane dhe organizatat gjermane këtu, kanë kontribuar dhe kanë vendosur që të mbështesin këtë draft-rezolutë. Kjo draft-rezolutë, e cila është përgatitur nga ana e Komisionit të ligjeve. Duhet të theksojmë se këto përgatitje nuk janë bërë nga ana e ekspertëve gjermanë, por nga ekspertë të zgjedhur nga të dyja palët e interesuara”, deklaroi Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz. Del në dritë sërish problemi i ekspertëve të huaj që gjatë një viti janë përdorur si garniturë nga ky komision, por në fakt ekspertiza e tyre nuk iu hyn në punë për manipulimet që bëjnë dy partitë e vjetra, mjeshtre të “reformave zgjedhore”. Edhe ambasadori i OSBE-së e ka zhveshur draftin e prezantuar në mënyrë të njëanshme nga PS, duke u shprehur se për rekomandimet e OSBE-ODIHR-it do të shprehen pasi të shohin një draft të Reformës Zgjedhore, duke nënkuptuar se nuk kanë dhënë akoma mendimin e tyre. Pra, bie alibia se drafti është konsultuar me zyrën e OSBE-së. “Para së gjithash do të doja të theksoja që draft ligji, që rekomandimet e OSCE/ODHIR, janë duke u diskutuar në tryezë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Këto janë rekomandime të cilat ne i kemi kërkuar për shumë vite. Ne jemi duke i parë shumë seriozisht këtë çështje me shumë kujdes, së bashku me kolegët tanë ngas ODHIR dhe gjithashtu do të dërgojmë disa rekomandime dhe komente, për sa i përket këtyre çështjeve, sa më shpejt që të jetë e mundur. Komenti i parë që mund të them tani, tregon se disa nga çështjet e sqaruara këtu dhe të shtjelluara, janë një zgjidhje e mirë, por nuk do të thotë që janë zgjidhjet më të mira. Mirëpresim vënien në tryezë të një drafti për ndryshime në Kodin Zgjedhor”, deklaroi Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.

Kryetari i KQZ-së së Moldavisë, ekspert i komisionit

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor në Moldavi, është një nga ekspertët që ka punuar me Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe prezantohej si ekspert i Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Evropës. Jo më larg se disa muaj më parë ai u kritikua për probleme me zgjedhjet në vendin e tij, KQZ vlerësohej si një organ i ndikuar nga politika. Por Z. Kakaviatos, nuk pranoi të komentonte mbi ecurinë e reformës dhe punën e bërë deri tani nga Iurie Ciocan. Ai tha se, “Unë nuk mund të bëjë deklarata tani”. Për sa i përket, prezencës së Iurie Ciocan, në krye të reformës në Shqipëri, Kakavitos tha se, “Personalisht nuk e njoh si person, por ndoshta mund të jetë i rekrutuar si ekspert nga ana e institucioneve të tjera, të cilat merren me vëzhgimin e proceseve elektorale”, përfundoi deklaratën e tij Panos Kakavitos. Në komunikimin e tij ai theksoi se z. Ciocan ka marrë pjesë në ekspertiza dhe workshope të ndryshme për çështje të reformës elektorale, por nuk mund të deklarojë se nga kush është thirrur si ekspert. Të njëjtën gjë deklaroi edhe Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, ku në një komunikim me mediat, emrin e Ciocan, e përmendi si një ekspert të OSBE-së dhe disa institucioneve të tjera. Mbështetur në faktet e mësipërme, mund të thuhet se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka marrë ekspertë vetëm për dekor, me të cilët diskutoi çështje të tilla si votimi i emigrantëve dhe numërimi elektronik i votave, por si përfund nuk i aplikoi në ndryshimet e propozuara për Kodin Zgjedhor.

Apeli i ndërkombëtarëve

Opozita nuk ishte në mbledhjen e Komsionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke bojkotuar punimet, megjithëse përfaqësohet në këtë strukturë në nivelin e bashkëkryetarit. Thirrje për pjesëmarrje të opozitës ka bërë ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz, e cila u shpreh se palët duhet të heqin dorë nga bllokimi. Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i OSCE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt. Ai vlerësoi vënien në tryezë të një drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se praktikat më të mira ndërkombëtare për reforma të tilla kërkojnë që ajo të miratohet 6 muaj përpara zgjedhjeve.

Luigi Soreca

Partitë të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore, të mbyllet në kohë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca thekson se reforma zgjedhore është kyçe për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai u bëri thirrje partive politike të bashkëpunojnë në këtë drejtim, duke theksuar se ndryshimet ligjore të bëhen në kohë përpara zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Luigi Soreca: “Reforma zgjedhore është kyç për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç edhe u theksua në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian qershorin e kaluar. Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it. Në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc është bërë një punë shumë e mirë për reformën zgjedhore. Këto përpjekje duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndryshime në ligjin zgjedhor, të miratuara në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019”.

Shultz: Reforma elektorale, kusht kryesor i BE-së për hapjen e negociatave

Fjala e plotë e Ambasadores së Gjermanisë, Susane Shultz, mbajtur në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore: “Faleminderit shumë, gjithashtu për organizimin e këtij takimi sot. Unë mendoj se është shumë pozitive që ju na keni prezantuar me dokumentin e përgatitur, edhe pse nuk kam qenë në gjendje ta lexojë të tërë. Ne do ta studiojmë atë, por nuk jam në një pozicion për të komentuar deri në detaje. Dua të marr këtë mundësi për të thënë se sa shumë e rëndësishme është për Ambasadën Gjermane, Bundestagun Gjerman dhe Bashkimin Evropian, që Shqipëria më në fund të përmbushë të tëra rekomandimet e OSCE/ODHIR, rekomandime të cilat datojnë që nga viti 2013, dhe këto rekomandime janë kërkuar që të zbatohen vit mbas viti. Kjo gjë është bërë më shumë prezente gjatë periudhave të zgjedhjeve. Dua të theksoj se mbas çdo përpjekje që janë kërkuar për këto rekomandime që të plotësohen, gjithmonë kanë dalë probleme të reja. Këtu ka ndikuar edhe funksionimi i dobët i Parlamentit të Shqipërisë. Gjithmonë ka dalë diçka e cila nuk ka funksionuar. Ne presim që të gjithë grupet parlamentare, duke përfshirë edhe opozitën të heqin dorë nga qëndrimi bllokues dhe të kthehen në Parlament për të vijuar menjëherë me reformën zgjedhore dhe për ta bërë atë të zbatueshme deri në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ambasada Gjermane dhe organizatat gjermane këtu, kanë kontribuar dhe kanë vendosur që të mbështesin këtë draft rezolutë, kjo draft rezolutë e cila është përgatitur nga ana e Komisionit të ligjeve. Duhet të theksojmë se këto përgatitje nuk janë bërë nga ana e ekspertëve gjermane, por nga ekspertë të zgjedhur nga të dyja palët e interesuara. Dua të ju kujtoj juve gjithashtu se, reforma elektorale është përmendur në rekomandimin kryesor dhe në konkluzionin e saj, të përgatitur nga ana e Bashkimit Evropian. Këtë fakt e theksoi edhe Këshilli i Bashkimit Evropian, qershorin e kaluar. Bashkimi Evropian i kushton shumë rëndësi rekomandimeve të OSCE/ODHIR, për Shqipërinë. Në përputhje me këto çështje dhe rekomandime, të cilat shpreson që vitin e ardhshëm të plotësohen, në mënyrë që të hapen negociatat me Bashkimin Evropian. Unë e theksoj se është shumë e rëndësishme që Shqipëria, do t’i plotësojë këto rekomandime dhe do të jetë në kohë për të pritur zgjedhjet e ardhshme elektorale. Në bazë të kalendarit, këto rekomandime duhet të plotësohen deri në fund të këtij viti. Kjo është arsyeja pse unë mendoj që të gjitha fraksionet politike duke përfshirë edhe opozitën, të vijnë në parlament dhe të vazhdojnë punën, jo vetëm, por edhe për të përfunduar me sukses reformën elektorale”.

Kujtim Gjuzi: Keni dy vjet që e mbani fshehur draftin

Kujtim Gjuzi, Kryetar i Partisë Konservatore të Shqipërisë thekson se reforma zgjedhore është me vonesë.  “Bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore i nderuar kryetar unë mendoj se jeni me vonesë. Keni dy vite që mbani të fshehur në sirtarët e Parlamentit një projekt draft të dërguar nga grupimi i partive politike jo parlamentare”, tha Gjuzi. Më tej ai shtoi: “Pyetja e parë për ju është: pse nuk është parashtruar ky projekt draft në këtë projekt që ju e paraqisni dhe këtu ju nuk keni asnjë ndryshim. Ju thoni, se do të bëjmë ndryshim në komisionin zonal dhe në atë të numërimit, por harroni që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i politizuar. Kemi 27 vite që ju durojmë dhe zgjedhjet në këtë vend grabiten, vidhen dhe trysnohen”. Sipas Gjuzit, ky projekt draft nuk është asgjë tjetër, veçse retushim. “Në takimin për diskutimin e amendimeve të paraqitura nga ekspertët e maxhorancës për kodin zgjedhor të pranishëm ishin përfaqësues të partive politike joparlamentare dhe të shoqërisë civile, të cilat shprehën kërkesat e tyre në raport me kodin zgjedhor ku prioritet kishte depolitizimi i administratës zgjedhore”, deklaroi Gjuzi.

OSBE

Bernd Borchardt: 6 muaj para zgjedhjeve të mbyllet Reforma

“Faleminderit shumë për këtë mundësi, për të folur këtu dhe për të bërë disa komente. Para së gjithash do të doja të theksoja që draft ligji, që rekomandimet e OSCE/ODHIR, janë duke u diskutuar në tryezë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Këto janë rekomandime të cilat ne i kemi kërkuar për shumë vite. Ne jemi duke i parë shumë seriozisht këtë çështje me shumë kujdes, së bashku me kolegët tanë ngas ODHIR dhe gjithashtu do të dërgojmë disa rekomandime dhe komente, për sa i përket këtyre çështjeve, sa më shpejt që të jetë e mundur. Komenti i parë që mund të them tani, tregon se disa nga çështjet e sqaruara këtu dhe të shtjelluara, janë një zgjidhje e mirë por nuk do të thotë që janë zgjidhjet më të mira. Mirëpresim vënien në tryezë të një drafti për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mirëpresim gjithashtu paraqitjen me një ndjesi urgjence të këtij drafti nga Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Praktikat më të mira ndërkombëtare për reformë zgjedhore kërkojnë që këto reforma të miratohen të paktën gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. I nxisim të gjithë aktorët politikë të përfshihen në dialog konstruktiv në lidhje me këtë draft. Mund të gjenden edhe mënyra të tjera për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe sugjerime të detajuara nga aktorë të tjerë politikë do të ishin ndihmë për nisjen e një dialogu domethënës. Në të njëjtën kohë kjo është edhe një çështje e dialogut politik. Forcat politike duhet të vendosin se cila është zgjidhja më e mirë. Ajo që duhet shmangur është agjenda e përjashtimit e cila qëndron edhe për interesat e Shqipërisë. Kjo është një çështje që unë e dua, por që e do edhe OSCE/ODHIR në të njëjtën kohë. Duke thënë këtë unë mund të inkurajoj gjithashtu zhvillimin e një dialogu konstruktiv për këto rekomandime. Nuk ka shumë kohë të mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme, pra ka një afat prej afro 6 muajsh. Pra, sensi i urgjencës është shumë i rëndësishëm, për këtë çështje. Komentet dhe informacionet e dhëna nga ana e Kryetarit të komisionit, janë shumë të mirëpritura nga ne. Në përgjithësi ne e kemi përkthyer këtë dokument por do të jemi edhe në komunikimi direkt me institucionet ndërkombëtare. Për sa i përket përfshirjes sonë në zgjedhjet elektorale të vitit të ardhshëm, ligji e përcakton qartë, këtë gjë. Të gjitha detajet e kësaj çështje mund të gjenden edhe në faqen e internetit të kësaj organizate. Për sa i përket ligjit mbi informacionin e rremë, kjo është diçka që të fut në një hulli tjetër”.

Ilir Rusmajli: Ja si do të depolitizohen komisionet

Për ekspertin Ilir Rusmajli, i zgjedhur nga PS, ky është momenti për të pasur një reformë zgjedhore historike. Rusmajli theksoi se ky është një moment historik që Shqipëria të ketë një reformë zgjedhore siç duhet. Ilir Rusmajli tha se “Procedura e ndjekur nga komisioni ad-hoc dhe mendimet dhe mendimet e mbledhura japin pa frikë mundësinë për një reformë historike të kuadrit ligjor për zgjedhjet. Është mëkat ta humbim këtë mundësi. Kemi propozuar një model të depolitizimit të komisioneve në nivelin e KZAZ-së dhe në nivelin e parë që është KQV-ja. E kemi diskutuar gjerësisht në komision këtë çështje dhe të gjithë kemi rënë dakord që të shkojmë drejt depolitizimit të këtyre komisioneve, duke rritur masën e anëtarëve të komisioneve përkatëse. Modeli që kemi kërkuar është pikërisht ky, që në Shqipëri të krijohet një grup administratorësh e certifikuar nga komisioni dhe që ato të jenë më të pakët në numër dhe së dyti të përcaktuara me short nga të certifikuar dhe të krijuar në regjistrat e KQZ-ve. Blloku i dytë që kemi diskutuar lidhet me financimin e fushatave apo partive politike në fushatë zgjedhore. Kemi future dy elementë të rëndësishëm për të balancuar barazinë gjinore. E para; nëse partia politike nuk e përmbush 30% të listave të gjinisë tjetër, nuk ka më vendosje gjobe, por do ti refuzohet lista nga KQZ për zgjedhjet”.