Ambasadori italian, Alberto Cuttillo: “Duhet reformë efikase në drejtësi”

494
Në daljen e tij të parë publike Ambasadori i ri Italian në vendin tonë Alberto Cutillo kërkon nga Shqipëria që të ndërmarrë një reformë efikase në drejtësi. Gjatë prezantimit të projektit SIGNA MARIS “Promovime kulturore, natyrore dhe turizëm”, Cuttillo u shpreh se Italia do të mbështesë rrugën e Shqipërisë drejt Europës.
“Pak ditë më parë është prezantuar raporti i komisionit Europian mbi progresin që Shqipëria ka bërë. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për reformat. Reforma në drejtësi është elementi më i rëndësishëm i progress-raportit dhe nga Shqipëria pritet një reformë efikase në këtë sektor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim rrugën e Shqipërisë për në Evropë,” është shprehur Cutillo.
Ambasadori Italian foli edhe për përshtypjet e para që i ka lënë Shqipëria, ku veçoi restorantet, mikëpritjen dhe kulturën tonë. Ndërkohë Ministri i Buqësisë Edmond Panariti tha se Shqipëria dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyera në çdo fushë.
“Ajo që unë shikoj me kënaqësi është që ka një dinamizëm të madh midis Italisë dhe Shqipërisë për sa i përket projekteve të përbashkëta apo edhe iniciativave nga ana e bizneseve të dy palëve. Sidoqoftë një dinamizëm i tillë ka nevojë që të analizohet edhe pikërisht iniciativa të tilla pro signa që promovojnë midis dy vendeve hapësirat që ekzistojnë në fushën e turizmit, në fushën e kulturës dhe të bujqësisë janë një instrument i duhur,” tha Panariti.
Ambasadori i ri italian në vendin tonë theksoi së puna e tij do të përqëndrohet në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Të ftuar në këtë aktivitet ishin edhe zevendësministri i Ekonomisë Ervin Mete dhe përfaqësues të institucioneve italiane në vendin tonë. 
Sigal