Ambasadori i Gjeorgjisë, George Janjghava i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit Meta

463
Sigal

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta  pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Gjeorgjisë, zoti George Janjghava.

Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe nënvizoi nevojën e konkretizimit dhe intensifikimit të tyre, në të gjitha nivelet dhe fushat me interes të ndërsjellë.

Duke vlerësuar hapësirat që ka krijuar lëvizja pa viza e qytetarëve në të dy vendet, Presidenti Meta, nënvizoi interesin për të nxitur në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe të shkëmbimeve kulturore.

Ndërsa, duke u ndalur në çështjet e sigurisë, Presidenti Meta shprehu mbështetjen për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe vlerësoi kontributin e saj në kuadër të operacioneve dhe misioneve të NATO-s, si dhe përparimin në kuadër të bashkëpunimit me Aleancën.