Ambasada e SHBA: Nuk kemi gjë për të thënë për çështjen Tahiri!

353
Ambasadori amerikan Donald Lu ka reaguar për kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila kërkonte arrestimin e Saimir Tahirit si dhe rrëzimin e kësaj kërkese nga Kuvendi. Duke folur në konferencën ‘Lufta kundër korrupsionit në arsimin e lartë’, Lu tha se jemi duke parë se si po shkruhet historia dhe nuk i takon atij të shprehet nëse Tahiri është fajtor ose jo.
“Jeni duke parë se si po shkruhet historia. Në komunizëm dërgoheshin të pafajshëm në burgje. Ne kemi parë se në 27 vite shumë politikanë i kanë shpëtuar drejtësisë. Nuk më takon të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo jo” tha ai.
Ndër të tjera, ambasadori Lu tha se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe publiku duhet të dijë të vërtetën për cëshjen ‘Tahiri’.
“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe publiku duhet të dijë të vërtetën për çështjen ‘Tahiri’. Nëse është pa faj duhet ta dini, nëse ka faj duhet të përballet me drejtësinë”- tha ambasadori amerikan.
Pjesë nga fjala e Donald Lu:
Brezat e kaluar kanë dështuar, por ju do të keni sukses. Ju do mposhtni korrupsionin. Por së pari, më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar.
Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim.
Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë.
Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë.