Ambasada amerikane në Tiranë: SHBA-të mirëpresin vendimin e PS-së për të përjashtuar z. Tom Doshi,

570
Sigal

Gazeta “Telegraf” ka ndjekur orë pas ore ngjarjet e djeshme, të ndodhura në selinë e PS-së dhe në grupin parlamentar të PS-së

Përjashtohet deputeti Tom Doshi nga PS-ja, ambasada amerikane përshëndet publikisht këtë vendim, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale

Jakup B. GJOÇA

Dje u zhvillua edhe epilogu i konfliktit të hapur publik midis deputetit Tom Doshi dhe kryeministrit Edi Rama. Grupi parlamentar i PS-së, si çdo të hënë, edhe dje u mblodh, por agjenda politike u fokusua vetëm në zgjidhjen e konfliktit të hapur qysh nga java e kaluar, në mbledhjen paraardhëse të grupit parlamentar të PS-së, ku deputeti Tom Doshi hapur, kërkoi takim me kryeministrin, pasi, deri tani qeveria nuk ka mbajtur asnjë premtim për zonën e tij elektorale. Ai takim i kërkuar deputetit Doshi me kryeministrin nuk erdhi kurrë, ndaj deputeti Doshi, e ktheu seancën plenare në një ring politik ndaj kryeministrit Rama. Dhe sikur ringu në sallën e Kuvendit të ishte tepër i ngushtë për deputetin Doshi, për mosmjaftueshmëri hapësire për goditje të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit, Tom Doshi  doli në mjedisin e hapur të Parlamentit dhe gazetarëve ku deklaroi atë që nuk mundi t’ia thoshte përballë kryeministrit. Që, nëse ai hap gojën “do të ndodhë tërmet në këmbët e kryeministrit”. As kumbaria e deputetit Koço Kokëdhima, i cili ndërmjetësoi te deputeti Doshi, që të ulte tonet e deklarimeve dhe të kishin një paqe, qoftë edhe fiktive. Mirëpo, paqja nuk u bë urë që të gjenin mirëkuptimin Doshi dhe Rama, si dikur, miq të vjetër. As takimi Doshi-Tahiri, që u zhvillua të premten, nuk mund të ulte tonet e akuzave të ndërsjella. Ndaj, dje, në grupin parlamentar, deputeti Doshi akuzoi hapur Ramën se donte që ta vriste. Ky pohim ishte sipari i fundit që u luajt në konfliktin Doshi-Rama. Doshi iku nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, duke mos dashur të dëgjojë vendimin e kryeministrit, që e kishte (para)ditur që më parë. Kryetari i PS-së, njëkohësisht edhe kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur në grupin parlamentar të PS-së, merr vendimin që deputeti Tom Doshi të prishë kontratën e bashkëpunimit me PS-në, në mënyrë të tillë që të ketë mundësinë që të  jetë i lirë e të shkojë në prokurori dhe të denoncojë akuzat e tij ndaj kujtdo që deri tani akuzon publikisht. Nëse ky vendim ishte i ditur, pasi shumë deputetë edhe më parë ishin shprehur publikisht, që deputeti Doshi me akuzat që tha publikisht, nuk mund të jetë më pjesë e PS-së, ajo që erdhi e papritur për shqiptarët ishte deklarata publike e Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila u bë vetëm pak minuta pasi u bë publike edhe vendimi i kryeministrit Rama për të përjashtuar deputetin Tom Doshi nga PS-ja. Ambasada Amerikane në Tiranë, mbështet vendimin e PS-së, për të përjashtuar nga grupi parlamentar dhe nga partia Tom Doshin, pasi, siç thuhet në deklaratë, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale”.

Orë pas ore, zhvillimet në Grupin Parlamentar të PS-së

 Dhjetëra truproja kanë marrë përsipër të ruajnë Tom Doshin

Dje, para se të  fillonte mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, deputeti Tom Doshi është parë duke pirë kafe me miq në Sheraton dhe pastaj, pak orë se të fillonte mbledhja e PS-së, të dalë nga hotel Sheraton, por ajo që bëri përshtypje, është se ai është i mbrojtur me dhjetëra truproje. Sipas të thënave të deputetit Doshi, ai është kërcënuar me jetë pak ditë më parë dhe sipas tij, killera profesionistë janë paguar për ta vrarë nga Meta dhe Tahiri. I pyetur nëse ndihet i ngarkuar,  Doshi është shprehur se ndihet i qetë dhe pa tension përpara mbledhjes, duke thënë se asgjë nuk do ndodhë. Ai ka thënë se do të shprehet pas mbledhjes së grupit, ndërsa është duke e pritur me qetësi.

Ora 12:00 Tahiri takon Ruçin e deputetë të PS në kryesinë e Kuvendit

Pak para se të nisë mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, e planifikuar për në orën 13:00, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Kryetari i Grupit Parlamentar Gramoz Ruçi dhe nënkryetari Taulant Balla janë parë bashkë në Kryesinë e Kuvendit. Takimi ka zgjatur rreth 20 minuta. Gjithashtu, ministri Tahiri ka pasur takime intensive edhe  me deputetë të tjerë socialistë. Mbledhja, e cila prej disa ditësh është paralajmëruar se do të mblidhet të hënën, do të jetë një nga më të rëndësishmet që kur e majta ka ardhur në pushtet, pasi do të vendoset për fatin e një deputeti brenda grupit parlamentar të PS.

Ora 12:55 Rama në selinë e PS-së. Rama buzëqesh kur pyetet: A ndiheni i shantazhuar?

Kryeministri Edi Rama është parë të hyjë në selinë e PS-së, duke refuzuar të komentojë lidhur me mbledhjen ndërsa pyetjes nëse ndihet i shantazhuar nga deklaratat e Tom Doshit, Rama ka buzëqeshur.

Ora 13:00 “Deputeti Kokëdhima deklaron për gazetarët: “Nuk bëhet fjalë për prerje kokash”. Kurse deputeti socialist Subashi u deklaron me ironi mediave: Keni 3 ditë që shihni filxhan”.

Mbërritja e Tom Doshit në selinë PS-së

Ora 13:20 Deputeti i Shkodrës Tom Doshi mbërrin në selinë e PS-së për të marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar, e cila sot drejtohet nga vetë kryeministri Rama. “Nuk jam i shqetësuar për vendimin e grupit” u ka thënë ai gazetarëve të mbledhur para selisë së PS-së.

Tom Doshi mbërriti disa minuta më vonë nga ora 13:00, kur ishte planifikuar të niste mbledhja me dyer të mbyllura.

Ora 13:49 Deklarata e plotë e Tom Doshit, menjëherë sapo doli nga selia e PS-së

Tom Doshi lë selinë PS-së, ende pa dëgjuar fjalën e Edi Ramës në grupin parlamentar të PS-së dhe duke dalë jashtë selisë rozë, që ndoshta është hera e fundit që e viziton, (të paktën sat ë jetë kryetar i PS-së Edi Rama), deklaron: “Nuk prita votimin, por dihet se kur vendos kryetari, ata të tjerët nuk kanë faj. Ia bëra të qartë se kush është pas tij dhe për çfarë e bën ai këtë punë. Rama sot ka një tutor, që quhet Ilir Meta, i  cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasin mua dhe Mhill Fufin. Ka 5 muaj që ia kam bërë të qartë edhe vetë Ilirit, kryeprokurorit, Edi Ramës, kryeprokurorit të Krimeve të Rënda. Kam informuar senatin amerikan për këtë punë. Ia bëra të qarta Edi Ramës edhe për 21 janarin dhe për të gjitha gjërat.

Gazetari: Çfarë provash keni?

Tom Doshi: Prova është, se personi që ka marrë përsipër të kryejë këtë akt është takuar edhe me ministrin Tahiri.

Gazetari: Dispononi ndonjë video?

Tom Doshi: Patjetër të gjitha i disponojmë

Gazetari: Cila do të jetë e ardhmja juaj

Tom Doshi: Nuk dal prej politikës. Ia bëra të qartë edhe Edi Ramës. Nuk shkoj tek asnjë parti tjetër. Po qe nevoja jam në gjendje të krijoj një parti të re dhe do të dal me 60 kandidatë në të gjithë Shqipërinë.

Ora 14:12 Burime nga mbledhja e Grupit të PS-së: Përjashtohet Tom Doshi 

“Deputeti i Shkodrës nuk priti votimin, por u largua. Ndërkohë, në atë mbledhje të grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Rama  ka thënë se nuk mund të ketë më bashkëjetesë mes Tom Doshit me PS-në, duke mos e hedhur fare në votim, por e përjashton automatikisht”.

Ora 14:40 Deputeti Koço Kokëdhima komenton: Tom Doshi nuk la hapësirë diskutimi

Deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima, i cili të enjten u përpoq që të gjente një urë mirëkuptimi dhe paqeje me Tom Doshin, duke dalë nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, deklaroi se vendimi i përjashtimit të Tom Doshit nga PS-ja ishte e vetmja mundësi, pasi ishte vetë Tom Doshi që nuk la asnjë hapësirë diskutimi.

14:50 Rama publikon fjalimin në fb:Tom Doshi cenoi rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie

Kryeministri Rama, menjëherë pasi mbaroi mbledhja e grupit parlamentar të PS-së dhe lajmi u përhap se PS-ja ndoqi deputetin Tom Doshi nga radhët e saj, kryeministri Rama, publikoi në rrjetin e vet social, fjalimin e plotë që mbajti në këtë mbledhje, për të bërë publike edhe shkaqet e këtij vendimi të marrë ndaj deputetit Doshi.

Ora 15:00 Nga selia PS se nuk ka pasur asnjë votim për përjashtimin e deputetit shkodran.

Dy deputetët e vetëm që kundërshtuan përjashtimin e Tom Doshit ishin Fatmir Xhafaj dhe Ben Blushi

 Dialogu Tom Doshi- Rama në grupin parlamentar të PS-së

Tom Doshi: Je peng i Ilir Metës. Është kthyer Ilir Meta në tutorin tënd. T’i kam thënë rastet, kur kanë dashur të më vrasin mua dhe Fufin, por ti s’ke reaguar.

(Edi Rama nuk thotë asnjë fjalë)

Tom Doshi: Ti je mosmirënjohës, je bukëshkelur, je qenia më e keqe që unë kam njohur. Më ka thënë Blushi para ca vitesh, si ka mundësi që ti e beson atë, por unë të besova. Mos mendo që me deputetët që ke atje, (Paulin Sterkaj, Mimoza Havizi, Namik Kopliku) mund të hysh në Shkodër, se në 2005 dhe 2009, këta bënin peticione për të të rrëzuar ty.

Tom Doshi braktis mbledhjen.

Fatmir Xhafaj: Tani kjo është mbledhja më e rëndë që kam kaluar ndonjëherë, por duhet të na shërbejë si një moment reflektimi për problematikat. Të mblidhemi në qarqe me ministrat e deputetët, se janë këta të fundit që mbledhin votat. Dhe nuk përkthehet marrja e votave në mbështetje. Është moment reflektimi që të flasim. Këto mbledhje të grupit parlamentar të shërbejnë jo vetëm për rendin e ditës së kuvendit, por edhe si reflektim për situatën që është krijuar.

Edi Rama (flet për reformat dhe për Tomën): Ju e patë që është një problem personal dhe jo një problem partie. Por unë nuk kam marrëdhënie interesi me asnjë prej jush këtu dhe asnjë tjetër jashtë sallës. Të gjithë duhet të reflektojmë. Po të mos kemi unitet s’mund të ecim përpara, ja si për shembull, reforma e arsimit të lartë.

Ben Blushi: S’do flisja por më ngacmoi Rama që foli për reformat. Sa për debatin me Tomën s’mund të na besh pjesë në këtë punë.Nuk mund ta mbajmë ne përgjegjësinë për qeverisjen. Përgjegjësia është e jotja si kryeministër. Ti e ke marrë përsipër. Ne e shohim gjysmë bosh sepse të gjithë gotën po e pi ti”.

Edi Rama: Jo, nuk është kështu.

Ben Blushi: Jo, kështu është se s’mund të mbaj unë përgjegjësi njëlloj si ty. Asnjë në grup nuk ka marrëdhënie me Tomën, siç i ke ti. Është një marrëdhënie mes shokësh, që kishit marrë peng partinë. Sot s’do ta llogarisësh për këtë pjesë dhe kjo është për fajin tënd.

Edi Rama: Se kam marrë peng partinë.

Ben Blushi: E ke marrë peng partinë, se ke një vit e gjysmë që nuk bën zgjedhje, sepse je i vetmi kryetar partie që qeveris pa mandat.

Edi Rama: Zgjedhjet i bëra në 23 qershor.

Ben Blushi: Jo, jo, s’po bën zgjedhje, se ke frikë të votohesh nga baza dhe të marrësh vota.

Edi Rama: Ti të kesh turp!

Ben Blushi: As mos më thuaj kështu, se s’kam pse të kem turp. Nëse do të vazhdojë kjo mbledhje, duhet ta tërheqësh këtë, që sapo the. Kjo është marrëdhënia jote me Tomën. Para disa vitesh i the atij të më kërcënonte mua.

(Kërkon fjalën deputeti Koço Kokëdhima)

Ben Blushi: Jepja fjalën këtij priftit.

Gramoz Ruçi: S’ke pse ofendon deputetët kështu.

Ben Blushi: Nuk thashë ndonjë gjë të keqe. Nuk e ofendova.

Gramoz Ruçi: Mirë është ta mbyllim këtë mbledhje dhe të reflektojmë për ato që u thanë këtu.

 Ben Blushi debaton  ashpër me Ramën në mbledhjen e grupit parlamentar

Një debat i ashpër është zhvilluar brenda mbledhjes së grupit parlamentar mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PS Ben Blushi, i cili gjithashtu kohët e fundit është shfaqur kritik me kryeministrin. Deklaratat dhe sherri mes tyre ka ndodhur pasi Tom Doshi ka dalë nga mbledhja. Situata mes Blushit dhe Ramës ka qenë e tensionuar dhe me tone të larta.

Prokuroria e Përgjithshme, nuk ka asnjë lloj komenti

Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë lloj komenti në lidhje me akuzat e deputetit Tom Doshi, se kanë dashur ta vrasin persona të porositur nga Rama dhe Meta. I pyetur nëse do të reagojë tashmë prokuroria, Albi Serani, këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, nuk bën asnjë koment lidhur me çështjen. Tom Doshi deklaroi dje se ka vënë në dijeni, përveç Ramës dhe Metës, edhe prokurorin e Përgjithshëm, në lidhje me tentativën për ta vrarë, madje sipas tij, personi që do ta vriste ka takuar edhe Sajmir Tahirin. “Nuk kam asnjë lloj komenti”, tha këshilltari i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani.

 Kryeministri pas mbledhjes në PS, thërret urgjentisht ministrin Tahiri

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur pak çaste më vonë, pasi mbaroi mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, në selinë e kryeministrisë, për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama. Siç mëson gazeta “Telegraf” ministri Tahiri ka qenë më parë në Kryesinë e Kuvendit, por nuk dihet ende nëse atje ka zhvilluar takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta. Situata në PS është rënduar pas përjashtimit të deputetit Tom Doshi nga grupi parlamentar. Doshi ka deklaruar për mediat se ministri Tahiri ishte takuar gjithashtu me personin e urdhëruar për vrasjen e tij. Duket se kjo situatë ka detyruar Ramën që të thërrasë në takim urgjent Tahirin.

Ben Blushi: I vë një damkë të madhe PS-së, Rama ka përgjegjësinë e vet

Deputeti Ben Blushi, i cili replikoi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, sapo doli nga kjo mbledhje, ishte i vetmi deputet që u prononcua përpara mediave te porta e selisë të PS-së, duke pohuar që ky konflikt me këtë rrjedhë ngjarjeje që mori, me gjithë këto që u thanë, janë një turp i madh për PS-në dhe se edhe kryeministri Rama ka përgjegjësinë e vet, sepse duhej që të qeveriste më mirë. Ja prononcimi i deputetit Ben Blushi: “E thashë dhe në mbledhje, është historia e dy shokëve të ngushtë, që u zunë për arsye që s’duan të na i thonë dhe as duam t’i marrim vesh. Fatkeqësisht, një histori miqësia disavjeçare që u prish për motive që nuk dua t’i di, por që për fat të keq nuk janë politike, po i vë një damkë të madhe PS-së dhe sigurisht Edi Rama duhet ta administronte këtë gjë prej shumë kohës, të qeveriste më mirë, ka përgjegjësinë e vet, sado që jam dakord me faktin që kjo bashkëjetesë në këto kushte ishte e pamundur. Por prapë them se ishte miqësia e dy shokëve të ngushtë, që u zonë për arsye që nuk i di”.

Topalli: Nuk keni parë asgjë akoma

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar në Facebook pas situatës së rënduar që është krijuar tek maxhoranca. Topalli shprehet në profilin e saj se “mafia është heshtja”, duke përdorur edhe një frazë të kryeministrit Edi Rama në Kuvend, se “nuk keni parë asgjë akoma”. “Mafia është heshtja! Nuk keni parë asgjë akoma”, ishte reagimi i shkurtër i Topallit.

Edi Rama: Ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me PS-në dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij

Do të kisha dashur të mos vinte nevoja për t’i thënë këtij grupi fjalët që sot është e domosdoshme të thuhen. Sa më qartë. Unë jam krenar për gjithë çfarë kemi bërë në këtë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë. Jam krenar që sot, shumica dërrmuese e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në drejtimin në duhur. Një sërë anketash të rezervuara, flasin për një kthim të fortë të besimit të humbur tek shteti për vite të tëra. Ashtu siç flasin për një pritshmëri shumë të lartë ndaj nesh. Çka nga njëra anë, do të thotë se një vit e gjysmë pasi kemi marrë detyrën, pritshmëria e 23 qershorit nuk ka rënë falë punës që kemi bërë. Por nga ana tjetër, do të thotë po ashtu se njerëzit presin nga ne shumë më tepër se ç’është bërë deri më sot. Unë këtë e di fort mirë, qeveria dhe grupi ynë parlamentar duhet ta dinë këtë po kaq mirë. Duhet ta dimë këtë edhe më mirë, kur rrezikojmë të biem pre e vetëkënaqësisë apo, po njësoj, e pakënaqësisë. Dhe së bashku, duhet të sfidojmë çdo ditë vetveten, për të mos rënë në kurthin e pakënaqësive personale apo të ngurrimit përballë pengesave të përditshme, që dalin në rrugën tonë aspak të lehtë të reformave. Jam krenar për faktin se kemi çelur, me vendosmëri shtetndërtuese, një kantier reformash rrënjësore që shtrihet në çdo sektor; nga organizimi territorial-administrativ tek siguria e drejtësia; nga administrimi fiskal tek pensionet dhe ndihma ekonomike; nga energjia tek arsimi e shëndetësia; nga mjedisi i biznesit tek prona, bujqësia, industria minerare e me radhë – s’ka asnjë sektor të pa përfshirë në kantierin e reformave. Kemi ndërmarrë reforma jetike për Shqipërinë që duam të bëjmë; reforma të shtyra pafundësisht në kohë me vite të tëra duke krijuar varfëri, papunësi, injorancë, korrupsion dhe, në tërësi, prapambetje të madhe të Shqipërisë. Të tjerët përpara nesh, për vite të tëra, zgjodhën të konsumohen nga pushteti duke zvarritur reformat. Ne kemi zgjedhur ta konsumojmë pushtetin për të bërë reformat. Nëse sot ka pak diskutim të mundshëm për faktin se pas shumë kohësh, Shqipëria vlerësohet prej aleatëve tanë strategjikë, në Bruksel e në Uashington, si një vend ku ka rilindur shpresa e modernizimit të mëtejshëm, kjo lidhet drejtpërdrejtë me atmosferën pozitive që ka krijuar kantieri ynë i reformave. Prandaj e morëm edhe statusin e vendit kandidat. Prandaj shihemi dhe trajtohemi sot me respekt nga të tjerët. Prandaj kemi fituar një peshë të re në rajon. Nëse institucionet ndërkombëtare, flasin pas shumë vitesh me tone optimiste për Shqipërinë në aspektin financiar, ekonomik apo politik, ky është rezultat i drejtpërdrejtë i impaktit të kantierit të reformave tona. Këtë impakt e tregojnë edhe shifrat që kanë nisur të flasin për rritje të ekonomisë, punësimit dhe konsumit. Ashtu sikundër po flasin për rënie të qëndrueshme të krimit dhe informalitetit. As e kemi marrë pushtetin në kohë të mira për ekonominë, përkundrazi, dhe as po qeverisim në kohë të mira për ekonominë. Por konteksti krejt i pafavorshëm i ekonomisë, nuk na ka penguar të kthejmë timonin në drejtimin e duhur dhe të marrim rezultate inkurajuese në rrugën tonë. Nëse njerëzit e këtij vendi, i kanë mbështetur në shumicë dërrmuese edhe operacionet më të vështira që diktohen nga reformat, kjo do të thotë se shqiptarët e ndjejnë fare mirë që nuk ka më kohë për të vrarë. As nuk ka më kohë për t’u qarë. Dhe aq më pak ka kohë për t’u ruajtur nga kostot e reformave. Kjo është koha për të operuar thellë, pavarësisht dhimbjeve që prodhon operacioni dhe sidomos, pa frikën e konsumimit të pushtetit. Dua t’jua përsëris sot me forcë: Ne nuk kemi fituar për të ndenjur në pushtet me çdo kusht, po për ta ndryshuar kushtet e vendit duke i lëvizur të gjithë ujërat e ndenjur. Askush nga ne nuk ka mandat për të vajtuar dhimbjet e reformave apo për t’u ankuar për shpejtësinë e për thellësinë e tyre. Ne nuk jemi në qeveri për t’u matur me hijen e çdo dite, po për t’u matur me rezultatet që do të marrim nga reformat në vitin 2017. Sigurisht, deri në 2017-ën jemi objektivisht larg rezultateve që nuk ka dyshim se do të na japë ky kantier i hapur reformash. Duhet një mendjelehtësi shembullore për të kërkuar që çka po mbjellim sot, ta korrim po sot. Apo për çka nuk po e korrim që sot t’ia vëmë fajin asaj që po mbjellim. Ashtu siç duhet një cinizëm i spikatur për t’u bërë zëdhënës i pakënaqësive të natyrshme, duke i veshur vetes, Partisë Socialiste, apo konkretisht qeverisë, përgjegjësi që s’janë tonat për prapambetjen e krijuar në vite të gjata pseudoreformash. Unë e di që mendjelehtësia apo cinizmi në gjykimet e ditës ndaj një force në pushtet, janë të vjetra sa vetë interesat që i ushqejnë, d.m.th. sa vetë jeta politike. Asnjë mrekulli nuk i shëron. Por le t’ia lemë opozitës të metën organike të të qenit edhe mendjelehtë edhe cinike, dhe le të kujtohemi çdo ditë se kjo është koha jonë për të qeverisur, me pasion e këmbëngulje, Shqipërinë e njëmijë e një problemeve. Për ne kjo është koha e detyrës kombëtare për të udhëhequr me largpamësi dhe vendosmëri. Për një forcë qeverisëse reformiste si e jona, është e papranueshme të turbullohet nga çfarëdo forme e shprehjes së dhimbjeve që shkaktojnë reformat. Do të ishte njësoj si një trupë mjekësh të humbte toruan dhe radhën e punëve, gjatë një operacioni shpëtimi të një jete. Ne duhet të ecim çdo ditë përpara pa e humbur fokusin nga pika ku duam të mbërrijmë përmes operacionit. Pa u lëkundur as nga pasiguria që nxisin pakicat e zhurmshme politike apo sociale, dhe as nga pakënaqësia e natyrshme që lind hera – herës brenda secilit prej nesh, për arsye nga më të ndryshmet. Dhe pa harruar se të gjithë janë të nevojshëm, po e domosdoshme është vetëm linja që ka përcaktuar populli shqiptar në 23 qershor. Linja e Rilindjes Shqiptare. Linja e reformizmit rrënjësor dhe e modernizimit me çdo kusht të shtetit tonë. Linja e ndarjes së prerë me filozofinë qeverisëse të njëzet viteve, “tërhiqe mos e këput”. Çka kemi bërë në këtë një vit e gjysmë, e kemi bërë bashkë. Askush nga ne nuk është i pagabueshëm. Aq më pak janë të pagabueshëm ministrat, të cilët për shkak të detyrës kanë më shumë ngarkesë për të mbajtur dhe vendime për të marrë. Edhe më pak akoma, jam i pagabueshëm unë për vetë peshën e pazakonshme të detyrës së kryeministrit. Por jam sinqerisht krenar për punën e ministrave gjatë këtij një viti e gjysmë, pavarësisht se puna më e madhe mbetet ende për t’u bërë dhe ka pa pikë dyshimi, një sërë aspektesh të punës së tyre që duhen përmirësuar në vijimësi. E di fort mirë se shumëkush këtu ka rezerva të ndryshme, për gjëra nga më të ndryshmet, të cilat lidhen me punën e qeverisë, me ministra apo me drejtues të tjerë. Rezerva kam edhe unë vetë, edhe për vetë punën time apo të shumëkujt këtu, qoftë ministër qoftë deputet. Madje dua t’jua them hapur se nuk besoj që po të bënim një debat vetëkritik, ka ndonjë më vetëkritik sesa unë në këtë sallë për çfarë duhet të bëjmë më mirë. Por po ashtu, jam i sigurt se nëse do t’iu bënim një vlerësim këtyre rezervave tona, disa do të qëndronin e disa jo. Siç jam po ashtu i bindur se rezervat e arsyeshme, të mbledhura të gjitha së bashku, nuk do ta zbehnin dot vlerën e punës së madhe që kemi bërë – në kushtet skandaloze ku e kemi marrë detyrën dhe situatën dramatike ku e lanë vendin kundërshtarët tanë. E theksova vlerën e kësaj pune, sepse për mua aq sa është e natyrshme të kemi rezerva nga më të ndryshmet, aq është e pavolitshme t’i bëjmë rezervat brumë të komunikimit tonë dhe po aq është e papranueshme t’i lejojmë vetes cenimin e qëllimshëm të vlerës së punës së bërë. Unë vetë nuk jam bërë kryeministër për t’u konsumuar nga pushteti duke shtyrë sa më shumë qëndrimin në karrige përmes gjysmë punësh e gjysmë vendimesh, po për ta konsumuar pushtetin natyrshëm duke bërë reforma reale, operacione të thella, punë të vështira. Qeveria jonë është krijuar po për këtë qëllim, si një skuadër që çon përpara reformat, jo si një seleksion individësh që punojnë secili në hesap të vet sipas traditës. Por kjo vlen padyshim për të gjithë grupin parlamentar, të cilin e kam parë qysh në ditën e parë të lindjes së tij, si fuqinë mbështetëse të reformave tona rrënjësore. Këtë një vit e gjysmë grupi parlamentar, përmes komisioneve, ka bërë vazhdimisht kritikën konstruktive të projekteve të qeverisë. Ka pasur edhe debate të nxehta për çështje të caktuara mes komisioneve dhe ministrave. Asnjëherë nuk kam kërkuar që një praktikë e tillë të zbehet, përkundrazi. I kam kërkuar dhe do t’i kërkoj me këmbëngulje ministrave të ndërtojnë një urë solide komunikimi me komisionet përkatëse, ku të ketë informim të vazhdueshëm si edhe ballafaqim çdo çështje apo pikë me debat. Madje përtej kësaj praktike debati kolegjial mes qeverisë dhe grupit në procesin e ligjvënies, kam pranuar si pjesë të natyrshme të bashkëjetesës sonë edhe qëndrime publike deputetësh mbi çështje apo ide me të cilat s’jam gjëkundi dakord. Edhe pse qëndrime të kësaj natyre në rastin më të mirë e shpërqendrojnë vëmendjen e publikut dhe në rastin më të keq, fatkeqësisht, u bëjnë pa dashje jehonë nga brenda spekulimeve të kundërshtarit ndaj nesh, mbeten gjithsesi shprehje e gabueshmërisë së secilit prej nesh. Si të tilla mund të jenë të diskutueshme në përmbajtje, të kritikueshme në metodë, po jo të dënueshme. Por jam tejet i keqardhur që nuk mund të them dot të njëjtën gjë, kur qëndrimi i një deputeti bie ndesh me normat më elementare të kontratës së bashkëjetesës sonë dhe kështu bëhet një qëndrim i dënueshëm. Secili prej nesh ka një kontratë bashkëjetese me këtë parti dhe me këtë grup. Padyshim me secilin dhe secilën prej jush, mua më lidh përveç punës edhe një marrëdhënie njerëzore e veçantë. Me uljet e ngritjet e natyrshme të temperaturës si në çdo rreth të ngushtë shoqëror. Por ashtu sikundër mosmarrëveshjet personale mes njëri – tjetrit nuk mund të jenë kurrë për mua, udhërrëfyes në qëndrimet e mia si kryeministër e kryetar partie ndaj çdokujt prej jush, unë nuk kam asnjë mundësi të mbështes apo lejoj në heshtje shkeljen, nga cilido këtu, të normave bazë të kontratës së bashkëjetesës sonë në këtë grup. Sepse me këtë grup janë të lidhur sot fatet e vendit tonë, përpara të cilave fati i interesave sado legjitime të secilit prej nesh s’ka asnjë peshë. Në këtë grup, gjithkush mund të thotë atë që mendon për qeverinë. Por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë. Në këtë grup gjithkush mund të shprehet lirisht për çdo ministër apo drejtues të lartë institucioni. Por askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cenojë të drejtën e dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetëror. Në këtë grup gjithkush mund të ngrejë shqetësimin e korrupsionit dhe mund të flasë hapur, për çdo rast apo fakt konkret korrupsioni, me emër e mbiemër. Por askush nuk mund të ngrihet si i shqetësuar për korrupsionin, që t’i japë vetes rastin të flasë mbarë e mbrapsht për qeverinë, ministrat ose drejtuesit e institucioneve të shtetit. Në këtë grup gjithkush mund të flasë për çdo pakënaqësi që ka, lidhur me sa po i mbajmë apo nuk po i mbajmë premtimet ndaj elektoratit. Por askush nuk mund të shpërdorojë besimin e elektoratit për të cenuar qeverinë ose cilindo ministër apo zyrtar të shtetit, me shprehje ekstreme pakënaqësirash krejt personale. Në këtë grup gjithkush mund të jetë vetvetja, por askush nuk mund t’i imponojë këtij grupi daljen nga vetja. Për të gjitha ato që në këtë grup janë të papranueshme, unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar.  Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht personin dhe dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cenuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie. Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare.

Ambasada amerikane në Tiranë: Doshi pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale

U.S. Embassy-Tirana

Deklaratë e Ambasadës së SHBA

Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.

U.S. Embassy Statement

The United States ëelcomes the decision of the Socialist Party of Albania to expel Mr. Tom Doshi, ëho is alleged to be involved in criminal activities. The United States takes seriously the threat of crime and corruption to free and democratic societies. Ëe encourage all political parties in Albania to remove individuals involved in criminal or corrupt activities. Ëe strongly support the ëork of the Parliament to develop legislation in açordance ëith the Resolution of December 24, 2014. Furthermore, ëe call upon the Prosecutor General of Albania to investigate and prosecute criminals and corrupt officials at all levels.

Delegacioni i BE-së në Tiranë: Mbështesim hapat për dekriminalizimin e Parlamentit

Edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ka vlerësuar hapat e qeverisë për ndëshkimin e elementëve me veprimtari kriminale që janë deputetë apo funksionarë të lartë shtetërorë. “Mbështesim hapat për dekriminalizimin e Parlamentit. Mbështesim luftën kundër krimit të organizuar dh korrupsionit. I japim rëndësi të lartë zbatimit të shtetit ligjor. Shteti ligjor është përparësi kyçe për Shqipërinë”.

 Spartak Braho: Doshi kishte informuar se kunati i Berishës,Agim Rama kishte ofruar 500.000 euro për ta vrarë me qëllim destabilizimin e vendit

Me cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi, se ai kishte pasur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit, duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta. Pasi u informova nga z. Meta për këtë çështje, u thirr Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të cilët u vunë në dijeni për informacionin dhe bisedën e bërë nga z. Doshi dhe meqenëse kjo u vlerësua si një çështje që kishte të bënte jo vetëm me një akt kriminal, që po përgatitej, por edhe me shqetësimin se po vihej në rrezik jeta e deputetëve të mësipërm, ju kërkua atyre të zbardhej menjëherë kjo çështje si edhe të viheshin në mbrojtje të dy deputetët që pretendohej se ishin të rrezikuar për jetën.  Sot, pa komentuar deklaratat e ndryshme të deputetit Doshi të bëra në kohë të ndryshme sipas rrethanave dhe situatave politike, si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoj që faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video e gjithçka tjetër, të cila në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria, së bashku me personat e tjerë të implikuar në këtë çështje t’i denoncojë, duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre, për t’i zbardhur së më parë. Ndërkohë, i kërkoj përsëri Policisë së Shtetit të vijojë marrjen në mbrojtje të dy deputetëve Doshi e Fufi të kërcënuar për jetën, sipas z. Doshi.  Ky është një informim paraprak në respekt të opinionit publik dhe medias, pasi ne jemi këtu për të punuar në vazhdimësi së bashku.

Deklarata e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha: I kërkoj Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen të akuzave

Në një deklaratë për mediat Lulzim Basha ka akuzuar krerët kryesorë si të implikuar, madje duke i quajtur personazhe mafiozë. “Jam sonte në këtë komunikim jo të zakonshëm, në ditën kur të gjithë shqiptarët pa përjashtim kanë parë dhe kanë dëgjuar se deri ku shkon inkriminimi i qeverisë, i maxhorancës, i dyshes Rama-Meta. Krim, vrasje, shantazh, dhe në këtë teatër mafioz, personazhet janë Edi Rama, Saimir Tahiri, dhe deputetët e tyre deri dje më të besuarit, sot të kthyer në shënjestra. Tronditja është evidente për çfarë dëgjuam e po dëgjojmë, për çfarë kemi mësuar e po mësojmë. Indinjata gjithashtu. Një histori me vrasës me pagesë që nuk zhvillohet në kthinat dhe bodrumet e errëta të mafies, por në  pallatet kryesore të politikës shqiptare, në kupolën e dyshes politike që qeveris Shqipërinë. Kjo ka ndodhur, ky është realiteti. Ne kemi paralajmëruar që herët se aleanca me krimin, do të sjellë krime, asgjë tjetër. I kërkoj Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbardhjen pa humbur kohë të akuzave të bëra publike. Akuza bëhet edhe më tronditëse, kur deputeti i maxhorancës thotë se prej 5 muajsh ka vënë në dijeni kryeministrin e vendit për planin e kryeparlamentarit për vrasjen e dy deputetëve. Më e pakta, kemi sot një kryeministër dëshmitar në krim. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh? Kjo kronikë e paralajmëruar, është pasojë e paktit kriminal të  denoncuar nga ne që në ditët e para të krijimit të kësaj aleance mafioze. Për këtë arsye, kjo është një çështje që u përket të gjithë shqiptarëve. Është një çështje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me këtë rast falënderoj dhe përshëndes qëndrimet e partnerëve tanë, SHBA dhe BE, në mbështetje të procesit të dekriminalizimit.

Sali Berisha: Akuzat e Doshit, një ogur i zi për stabilitetin e vendit

“Të dashur miq, akuzat se Edi Rama planifikuan vrasjen e dy deputetëve të parlamentit shqiptar, janë akuzat më të rënda publike në tërë historinë e pluralizmit shqiptar. Doshi njoftoi para mediave se për akuzën e tij, më e rënda 25 vitet e fundit, disponon fakte të cilat ai i ka paraqitur brenda dhe jashtë vendit. Personalisht kam dëgjuar dhe denoncuar në Parlament për përpjekje të drejtuesve të maxhorancës për eliminim të eksponentëve të saj. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe çdo përpjekje për të eliminuar fizikisht deputetët e Parlamentit, pavarësisht nga spektri i tyre politik, theksoj me këtë rast se sipas këtyre akuzave klika në pushtet projekton destabilizimin e Shqipërisë! I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të hetojë me përparësi, guxim dhe përgjegjësi të larte akuzat e rënda për vrasje politike me pagesë nga kreu i parlamentit, me porosi ose miratim të kreut të qeverisë dhe të vendos para ligjit çdo person të implikuar në skenarë kriminale. Ju bëj thirrje qytetarëve të vendit të ngrihemi fuqishëm për të shpëtuar vendin nga klika e vrasësve në krye të pushtetit!!”.

Cilat janë të vërtetat e pathëna dhe droni i akuzave të Tom Doshit

Të mërkurën e javës së kaluar, deputeti Tom Doshi, në grupin parlamentar të PS-së, në mungesë të kryeministrit, kritikoi qeverisjen e Ramës, se nuk ka bërë asgjë, dhe nuk ka mbajtur premtimet që i ka bërë elektoratit të tij dhe kërkoi që të takohej me atë. Kur, deputeti Doshi, pa që kryeministri nuk kishte kohë që ta priste, të enjten lëshoi si rrufe në qiellin e pastër akuzat ndaj vetë kryeministrit, se po të hapte gojën ai, do të tronditej gjithë maxhoranca, duke lënë hapur nënkuptime se kishte prova dhe materiale ndaj kryeministrit Rama, që po t’i bënte ai publike, do të ndodhte hataja e madhe. Kaq i vendosur ishte deputeti Doshi, për hatanë, që e priste kryeministrin e tij, sa, edhe u betua publikisht, se tani e tutje, është në luftë të hapur me vetë kryeministrin Rama. Këto bubullima akuze të deputetit Doshi ndaj kryeministrit të tij, deri dje miku më i ngushtë personal i tij, u dëgjuan deri të dielën. Sepse të hënën, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku deputeti Doshi u ndodh ballë për ballë me kryeministrin Rama, papritur akuzat ndaj kryetarit të tij Ramës, u harruan.  Që diçka do të mbetej nga akuzat, Doshi montoi të tjera akuza, i bëri dron, dhe me telekomandë i  adresua te ….Meta. Doshi që ditën e parë u qa se kryeministri i tij kishte harruar elektoratin e tij, pa i bërë asnjë investim, papritur, si ta kishte pickuar arrëza, apo kështu e këshilluan “miqtë”, që e nxitën, tha se Meta ishte ai, dhe jo më Rama, që kishte paguar killer për ta vrarë atë fizikisht, së bashku me një deputet të PD-së. Për ta bërë të besueshëm këtë akuzë, ky deputeti i PD-së, na qënka ai që ishte përzier  në  një sherr banal zgjedhor në Lezhë. Tom Doshi, duke u këshilluar me miqtë e rinj, veshi kostumin e akuzave të  Dritan Priftit, për të prodhuar të njëjtën skenar akuzash me vidio.  Doshi, këtë herë,   për t’u treguar më i besueshëm, se vetë Prifti, premtoi se ka vidio me  minutazh më të gjatë se vidioja e Priftit, për t’u bërë më i besueshëm, që Meta, kishte paguar killer për kokën e tij.  A mundet kaq lehtë, një tërmet në këmbët e Ramës, të tronditë këmbët e Metës, vetëm mendësia e Tom Doshit, mund ta shpjegojë. Ose, Doshi, në inat e zëmërim, ka përzyer skenarët që i kanë dhënë. Ata, që në 2010-tën kërkuan dorëheqjen e Metës nga zv/kryeministër, në shpifjen e një vidioje, për abuzime parash, kur vetë kishin zhvatur miliona euro, kësaj here, ndoshta po me  të njëjtin skenar politik,  po me vidion e Doshit, të një minutazhi më të gjatë, rikërkojnë dorëheqjen e Ilir Metës nga kryesia e Kuvendit të Shqipërisë. Jemi në pritje të vidios që na premton Tom Doshi, për të mësuar killerët e kokës së tij. Veçse, një gjë është e sigurtë. 500.000 eurotë  killerit, të premtuar për kokën e Tom Doshit, në vlerë monetare, duken të zhvlerësuara, krahasuar me kontributin e madh që ka dhënë në PS deputeti Tom Doshi.