“Aludimi i Bashës për komplot ndërkombëtarësh”, si përgjigjet i dërguari i Merkel

413
Kreu i opozitës Lulzim Basha, disa herë nga çadra e opozitës e vendosur prej 18 shkurtit pranë Kryeministrisë, ka hedhur akuza për ndërkombëtarët, sa i takon përfshirjes së tyre në situatën politike në Shqipëri. I pyetur për këto qëndrime të kryedemokratit, ministri i Jashtëm gjerman, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun Ditmir Bushati, thotë se diçka e tillë është absurde.

Sigmar Gabriel tha se BE ka interes që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e integrimin europian, dhe të realizojë reformën në drejtësi.

“Me gjithë respektin, do them se në momentin që vjen në rajon, kupton se kur nuk gjendet një lloj zgjidhje, shpiken këto teoritë e komplotit. Çdo qytetar në Shqipëri mund të pyesë pse duhet që komuniteti ndërkombëtar të ketë interes për të ndryshuar ligjet dhe Kushtetutën këtu në Shqipëri, çfarë interesi do të kishte një ndërkombëtar të ndalonte luftën ndaj korrupsion, apo të bllokojnë procesin për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ka paragjykime ndaj Shqipërisë, dhe ajo që opozita po bën këtu forcon mendimet e shumë njerëzve jashtë Shqipërisë.

Kush bllokon reformën në drejtësi i bën dëm vendit dhe shqiptarëve, dhe këshilla ime do të ishte të gjendet mënyra për të lënë bojkotin dhe për të gjetur zgjidhje për reformën. Kush dëshiron të shkojë i sigurt drejt BE, duhet të punojë si vend në forcimin e Parlamentit, zbatimit të Kushtetutës e me radhë. Janë qytetarët e një vendi ata që vendosin për të ardhmen. Minimi apo sabotimi i shtetit ligjor nuk është në interesin e BE apo ndërkombëtarëve”, tha i dërguari i Merkel në Tiranë.
Sigal