Alfred Moisiu: Rama kishte të drejtë në Beograd, kur foli për Kosovën

434
Sigal

Ish-Presidenti i Republikës, në intervistë për “KosovaPress”

 

Ish- presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, mendon, se ato që tha dhe bëri kryeministri Edi Rama në Beograd, duhet t’i bëjë çdo lider i një rangu të tillë, i cili e ka për detyrë t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Deklaratat e tij, vijnë pas debateve të ashpra që janë hapur pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd. Moisiu në një intervistë për “KosovaPress” në Kosovë tha se ato që ka deklaruar kreu i Qeverisë shqiptare nuk krijojnë probleme. “Sipas asaj që gjykoj unë, ato që i tha Rama në Beograd nuk kanë asgjë dhe asnjë shprehje që të krijojnë probleme. Me sa mbaj mend unë, ai tha dy gjëra kryesore. E para, që njohja e pavarësisë së Kosovës edhe Serbinë e lehtëson, e ndihmon. Dhe e dyta, tha se Trepçën nuk mund ta sjellim në Beograd, Trepça është atje ku është. Unë mendoj që çdo shqiptar e ka për detyrë që të mbrojë të drejtat e bashkëkombësve, të bashkatdhetarëve të tij. Historia jonë, e shqiptarëve, ka qenë shumë e dhimbshme. Ne jemi dëmtuar dhe copëtuar nga të tjerët, ca me dashje ca pa dashje. Por ne të paktën do të bëjmë detyrën tonë. Nuk e arrijmë dot ta ribashkojmë vendin, për arsye që dihen, por disa drejtime mund të kryejmë, si në anën ekonomike, anën politike, anën kulturore. Këto gjëra ne duhet t’i bëjmë. Unë gjykoj që secili, sa herë që krijohet rasti dhe mundësia, duhet t’i dalë në mbrojtje njëri tjetrit”, tha ish presidenti i Shqipërisë. Moisiu tha, se edhe ai gjatë vizitave në Beograd, gjatë kohës sa ishte president i Shqipërisë, kishte folur pothuajse të njëjtat gjëra në përmbajtje. “Organizuam një takim në Serbi me të gjithë presidentët e rajonit. Në një konferencë shtypi në fund të takimit unë fola, jo si Rama, se është 10 vjet më përpara, por të njëjta gjëra mund të them në përmbajtje”, tha Moisiu. E për sa i përket diskutimeve të ditëve të fundit rreth raporteve Kosovë – Shqipëri, bashkimit apo jo të dy shteteve shqiptare, Alfred Moisiu tha, se bashkimi mes dy vendeve bëhet në shumë rrugë. Ndërsa kujton opinionin, se bashkimi i duhur ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka ecur si duhet. “Bashkimi bëhet në shumë rrugë. Aktualisht bashkimi ekonomik nuk ka ecur ashtu siç duhet, duhet ecur më mirë. Kalon kufirin shikon maunat në radhë të gjata në dy krahët e kufirit. Është një gjë që nuk ia vlen. Edhe dje kur kalova kufirin tre-katër vetura ishin edhe qëndroja aty në posten kufitare, në kohë më tepër se sa duhet… Unë mendoj që këtu duhet ecur. Nacionalizmat dhe shovinizmat janë penguese. Ato më shumë i vlejnë liderëve kryesorë në vende të caktuara, për të ruajtur pushtetin e tyre personal dhe klaneve të tyre”, thotë ai. Ish presidenti shqiptar, në deklarim për KosovaPress tha se ka kritika Bashkimin Evropian, i cili po përdor standarde të dyfishta kur është fjala për shqiptarët. E duke folur për zhvillimet politike në Kosovë, Moisiu kishte kritika për ngjarjet që muajve të fundit kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se edhe mënyra e kundërshtimit të gjërave ka kufirin e vet. Ndërsa pohoi se duhet t’i tregojmë botës se jemi popull i kulturuar dhe nuk zbresim nga mali. “Kosova ka problemet e veta. Kam kritikuar ngjarjet që kanë ndodhur në parlamentin e Kosovës. Jo që nuk duhet luftuar dhe duhet nguli këmbë për ato gjëra që  dikush i konsideron të drejta dhe nuk duhen shkelur. Kjo është e drejtë e çdo njeriu, e çdo populli e çdo partie. Por ama mënyra si kundërshton ka edhe kufijtë e vet. Në fund të fundit duhet ti tregojmë botës që jemi popull i kulturuar nuk zbresim nga mali… Jemi vendi që kemi harmoninë fetare të paimagjinueshme në çdo vend të botës. Shpesh herë më ka ndodhur që të takoj liderët e ndryshme thonë se gjithnjë ju kërkoni ju shqiptarët që të hyni në BE. Por çfarë do ti jepni Evropës juve. Zotëri ne i sjellim Evropës një gjë që ju nuk e keni tolerancën fetare”, tha Moisiu.