Aleksandër Biberaj për përgjimet : Rama i çoi mesazh SPAK-ut të mos hetojë!

62
Sigal

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, i ftuar në një intervistë foli për përgjimet e antimafias italiane.

Ai tha se është fatkeqësi që ato dalin, ndërsa shtoi se kryeministri Rama me deklaratën e tij të sotme i dërgoi mesazh SPAK-ut të mos e hetojë çështjen.

“Është fatkeqësi që dalin fakte, argumente për përfshirje dhe lidhje të qeverisë me këto përgjime, aq më tepër kur ato vijnë nga një vend i BE.

Fatkeqësisht nuk kemi sistem drejtësie. Kryeministri doli në një prononcim si një fajtor tha se nuk është i gatshëm për hetime, i dha mesazh SPAK të mos e hetojë çështjen. Nuk kemi respektim të demokracisë dhe ndarje të pushteteve”,- tha ai.

Biberaj u ndal më pas tek puna që PD po bën në bazë për përgatitjen e zgjedhjeve. Ai tha se programi politik do të jetë shumë shpejt gati për publikun, ndërsa sloganet e PD do jenë disa.

“Do kemi disa slogane, por një kryesor që mund të jetë “Korrupsion zero”. Shumë shpejt do bëhet publik edhe programi politik i PD. Do jetë shumë ambicioz dhe realist. Beteja politike pritet të jetë egër dhe e ashpër. Nga 26 prilli do ketë përballje me drejtësinë për ata që e kanë shkeluar atë para 25 prillit.

Fillimisht dhe urgjentisht ne duhet t’i bindim shqiptarët se ne do të rimëkëmbim ekonominë e rrënuar me qëllim që të rrisim mirëqenien e qytetarëve nëpërmjet motivimit të bizneseve dhe nxitjes së prodhimit vendës.

Rishikimi i politikave fiskale që konsiston në uljen e taksave, aplikimi i modelit të taksës së sheshtë 9%, si dhe rregullimi i akcizave doganore që motivojnë zhvillimin ekonomik vendës do të përbëjnë prioritete të padiskutueshme. Rritja progresive si dhe indeksimi i pagave dhe pensioneve, si dhe rikthimi i shpërblimeve të dy pagave në vit do të jenë motivuese për administratën publike si dhe punonjësit e korporatave dhe ata të sektorit privat. Urgjentisht duhet rikthyer pluralizmi politik, funksionimi i demokracisë, shteti i së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve, si dhe kontrolli i qeverisjes”,- vijoi Biberaj.