Aleatët e PD-së, kundër votimit të detyrueshëm

495
Votimi i detyrueshëm kundërshtohet edhe nga aleatët e Partisë Demokratike. Në një intervistë për “Channel One”, Artur Roshi, kryetar i Partisë Balli Kombëtar, deklaron se ky propozim do të dëmtonte edhe vetë PD-në. Roshi tha se një ide e tillë është rikthim drejt shtetit të të fortëve. “Unë nuk e vlerësoj si një propozim pozitiv dhe besoj se nuk do të gjejë terren për t’u zbatuar e përkrahur nga qytetarët. Bërja e një ligji të tillë besoj se ka të bëjë me zëvendësimin e lirisë me forcën. Është forca e shtetit që detyron qytetarët që të shkojnë të votojnë. Më pas deklarohen njerëzit që nuk kanë votuar”, thotë ai. Roshi shkon edhe më tej, ku thotë se llogari të tilla politike mund të jenë edhe shkak për një humbje më të thellë të Partisë Demokratike, pasi nëse një propozim i tillë vendoset në Kushtetutë, ai shkel të drejtat e njeriut. “Është liria ajo që mund të çojë qytetarët të votojnë. Politika shqiptare është duke lënguar, pasi nuk po i përmbahet parimeve, por interesave të momentit. Unë them se Partia Demokratike duhet të dalë nga kjo lëngatë. Këto eksperimente negative që kanë mohuar lirinë dhe të drejtat e njeriut nuk duhet të funksionojnë dhe nuk duhet të bëhen promotorë. Ky propozim nuk qëndron, as mbi filozofi politike as mbi të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Do të japë një efekt negativ dhe them se do ta fusë në një rreth vicioz dhe do garantojë një humbje më të madhe dhe të sigurt të së djathtës”, thotë ai.

Pak ditë më parë nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho propozoi që pjesë e aksionit opozitar për reformën zgjedhore të jetë dhe detyrimi me ligj për të votuar. Por Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton vetëm si të drejtë dhe jo detyrim pjesëmarrjen në zgjedhje.
Sigal