Aleancë edhe me djallin, për kulltukun e pushtetit

489
Sigal

PS-ja,  dhe PD-ja shpresojnë më shumë në aleancën me LSI-në, për të fituar zgjedhjet e 2013-s

“Nëse LSI-ja ikën nga pushteti dhe i bashkohet aksionit politik të opozitës, pse jo”- kjo është deklarata e Gramoz Ruçit, për mundësinë e një aleance parazgjedhore të 2013-s,  me LSI-në. Numri 2 i PS-së, Ruçi shprehu strategjinë politike të PS-së, lidhur me aleancat e mundshme parazgjedhore të 2013-s, ku PS-ja po kërkon rrugë, mundësi që të bashkojë edhe LSI-në në aleancën e saj. Madje, Ruçi, vë paraprakisht dy kushte LSI-së, për ta pranuar në aleancën e PS-së: E para, LSI-ja duhet të pranojë, që  bashkëqeverisja e saj me PD-në ka dështuar. Dhe e dyta, të largohet nga bashkëqeverisja. Thua, që politika të jetë katandisur në këtë shkallë naiviteti, sa LSI-ja- sipas Ruçit-, të pranojë vetëgjyqin e dështimit të saj politik, për hir të një ftese të PS-së, për aleancën e re? Ana tjetër e kësaj ftese politike të PS-së, ndaj LSI-së, është vetë PS-ja. PS-ja, edhe pse Ruçi nuk guxon ta thotë, duhet të bëjë autokritikën e vet politike, derisa publikisht, paraprakisht, me vetëdëshirë, kërkon, në aleancën e saj parazgjedhore, LSI-në. Duhet, që PS-ja të pranojë-sikurse i kërkon LSI-së ta pranojë dështimin e bashkëqeverisjes- që LSI-ja nuk është shkaku politik i organizimit të 21 janarit 2011. Dhe, po të pranojë, politikisht PS-ja që LSI-ja nuk është fajtore politike e demonstratës të 21 janarit 2011, atëherë, PS-ja duhet të harrojë edhe gjakun e 4  demonstruesve të vrarë. Nuk ka tjetër kauzë politike,  nuk ka rrugë të ndërmjetme, nuk ka ndershmëri politike, për të pranuar një ftesë elektorale PS-LSI, pa harruar, pa mohuar  paraprakisht 21 janarin 2011. Dhe përse e gjithë kjo “sakrificë” politike e kushtëzimit ta aleancës PS-LSI? Sigurisht, për hir të aksiomës politike “ Aleancë edhe me djallin, për të marrë pushtetin”. Interesat e kujt shpreh kjo aksiomë politike “ Aleancë edhe me djallin, për të marrë pushtetin”?  Me kë të drejtë morale, politike, qytetare, udhëheqësi i PS-së kërkon që të harrohet gjaku i 4 demonstruesve të 21 janarit 2011 për të arritur një marrëveshje parazgjedhore për të marrë me çdo çmim pushtetin? E ka pyetur udhëheqësi i PS-së, elektoratin socialist, nëse duhet mohuar, shkelur 21 janari, për të aleatuar me LSI-në, për të marrë me çdo çmim pushtetin? Ndryshe, si mund të kërkojë votëbesimin e qeverisjes?  Me ftesën për aleancë parazgjedhore PS-LSI, vetë Ruçi bëhet avokati politik i vetë Ilir Metës, edhe për akuzat që PS-ja i adresoi për videon Meta –Prifti! PS-ja, së pari, duhet të pranojë publikisht, të marrë mbrapsht të gjitha cilësimet që i adresoi Metës, si edhe të pranojë publikisht drejtësinë e vendimit të Gjykatës së Lartë, në lidhje me gjykimin e Metës. Apo Ruçi dhe Edi Rama i trajtojnë shqiptarët dhe, sidomos elektoratin socialist, të pamemorie politike? Cila parti politike, siç sillet Rama-Ruçi me LSI-në,  mund të bëjë të tilla akrobacira politike, për hir të një karrigeje të pushtetit?  Udhëheqësi i PS-së pretendon aleancë parazgjedhore edhe me djallin, për të marrë pushtetin, kur ndërkohë aleatët e tij të majtë, ata që deri tani ishin në krahun opozitar, po e braktisin.Milo, para disa ditësh, deklaroi që akoma pret PS-në, që të bisedojnë, pasi asgjë nuk dinë. PS-ja oponon qeverinë për korrupsion, kur ndërkohë lut LSI-në, që të aleatojë. PS-ja, do të aleatojë që të marrë pushtetin me pjesën e korruptuar të kësaj qeverie? Bashkëqeverisja PS-LSI do të jetë certifikata e besueshmërisë që ofron paraprakisht PS-ja elektoratit për një ndryshim?  Kjo, njëfarësoj, a nuk është një pranim  se nuk beson në fitore, në saj të një programi politik, por fitoren e kushtëzon vetëm në aleancë edhe me djallin, për të marrë pushtetin. PS-ja sot oponon kundër krimit të organizuar, dhe njëkohësisht, kërkon aleancë me LSI-në, bashkëfajtoren e qeverisjes së sotme, për të luftuar krimin e organizuar, në qeverisjen e re? Vetë Edi Rama i ka kritikuar, ironizuar AK-në dhe FRD-në, ndërsa Ruçi, kërkon aleancë parazgjedhore me ato, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin? Cili ka të drejtë? Rama, apo Ruçi? Apo, njëri i bie gozhdës, e tjetri patkoit, në PS? Apo, që të dy kanë të drejtë, miq edhe me djallin, vetëm e vetëm, të hanë mjaltin e pushtetit? Kjo është platforma e re politike “  Me një program të ri, me një lidership të ri”, me të cilën  Edi Rama hapi fushatën elektorale të 2013-s? Nga ana tjetër, LSI-ja është në pushtet. Përse duhet që të vetëpranojë dështimin e saj politik të bashkëqeverisjes, si kushtin që të pranohet nga PS-ja në një aleancë të re? Çfarë me shumë i ofron PS-ja, që  LSI-ja  të sakrifikojë pushtetin e sotëm? LSI-ja, kë dështim të bashkëqeverisjes të vetëpranojë- siç ia kërkon Ruçi- që të pranohet në aleancën e PS-së? Korrupsionin në privatizimin e koncensionet, në ministritë që ajo udhëheq? Dhe paradoksi politik-sipas Ruçit- është që një bashkëqeverisje e nesërme PS-LSI do të anulojë ( zotimi politik i Edi Ramës)  këto privatizimi e koncesione që kanë dhënë ministrat e LSI-? Berisha, për të ardhur në pushtët, pranoi bashkëqeverisjen me LSI-në, por do të bëjë edhe më shumë, për të mbajtur këtë  pushtet. Berisha toleron ndaj çdo fenomeni korruptiv, për të cilat akuzohet kaq shumë kjo bashkëqeverisje PD-LSI, po të mos harrojmë, që shumë nga këto akuza të opozitës për korrupsion, ndodhin në ministritë që ka LSI-ja. Berisha toleron kaq shumë edhe për mungesën e plotë të ilaçeve në spitale. Në Spitalin “Nënë Tereza” ka mbi 28 punonjës që kanë 4 muaj pa u paguar. Pyesim. 4 muaj, familjet e tyre nuk hanë? Nuk pinë? Nuk vishen? Përse nuk ankohen? Përse nuk kërkojnë një punë tjetër? Mos vallë- hamendje bëjmë- marrin ryshfet nga shërbimet që u bëjnë pacientëve, për të ushqyer familjen, derisa shteti nuk i paguan 4 muaj? Kjo a nuk është shprehja më e hapur e korrupsionit? Berisha e di, por toleron,  Aleancë edhe me djallin, për të mbajtur pushtetin”,  pra  aleancë edhe me LSI-në.  Një aleancë e mundshme PS- LSI mund të jetë alibia politike më e mirë që i ofrojnë Rama-Ruçi  qeverisjes BerishaNga ana tjetër, një aleancë e mundshme PS-LSI, do t’i japë alibi politike Berishës, që të thotë: Qeverisja ime, me largimin e LSI-së, u vetpastrua nga korrupsioni. Tani një qeverisje e PD-së pa LSI-në është e pastër, e ndershme nga korrupsioni. Kush mund t’i kundërvihet kësaj logjike politike të Berishës?

Thanë për “Telegraf”

Petro Koçi: “ Opozita të ndërtojë strategjinë për të fituar, pavarësisht nga qëndrimi i LSI-së. 21 janari nuk mund të harrohet dhe kjo në një aleancë të mundshme PS-LSI , në planin politik, përbën një problem. Por, nevoja për të rrëzuar këtë qeveri të keqe, ngjarjeve duhet t’u referohemi me një gjakftohtësi politike”.

Aleksandër Biberaj, drejtues i FRD-së; “ FRD-ja ka aksiomë politike të bëjë aleancë me qytetarin Nuk bëjmë aleancë, as me PD-në dhe as me PS-në.

Myslim Pashaj, sekretari i Përgjithshëm i AK-së: “ Ne jemi në ecjen tonë. Nuk e kemi perceptuar akoma aleancat e mundshme.  Dhe as kemi biseduar me asnjë forcë politike tjetër.”

Skënder Gjinushi, Kryetar i PSD-së për 21 janarin: “ Ajo (bashkë)qeverisje që gjuajti  me plumb kundër demostrueve  më 21 janar është diktaturë. 21 janari nuk mund të harrohet kurrë, nuk mund të mohohet kurrë”.

Kanë deklaruar:

Ilir Meta: “LSI-ja do të respektojë deri në fund marrëveshjen me PD-së për bashkëqeverisje”.

Paskal Milo: “ Akoma nuk kemi përpunuar strategjinë e aleancave. Presim PS-së. Në të kundërt, do të mendojmë për një grupim të tretë, jashtë aleancës me PS-në.”