Sigal

Vazhdon protesta e e aktivistëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Edhe pse u votua projekt-ligji me 75 voto pro, për prishjen dhe ndërtimin e kullave në këtë godinë, aktivistët janë të vendosur, se nuk do ta lejojnë prishjen e tij.

Regjisori Budina nxjerr zbuluar Ruçin: Nuk e mbajti fjalën e dhënë

Një prej aktivistëve më aktivë në këtë çështje është edhe regjisori Robert Budina. Ditën e djeshme Budina akuzoi kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili sipas tij nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë. “Para se të hidhej ky projekt-ligj, ne u takuam me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin, i cili na inkurajoi, për iniciativën tonë dhe tha se do të bënte ç’mos që të bindë qeverinë që të tërhiqej nga ky projekt-ligj. Jo vetëm që nuk u bë, por sot ai as nuk e ktheu procedurën, me këtë mashtrim që u bë më votën, por e kaloi si një gjë teknike. Dhe unë këtu dyshoi në sinqeritetin e tij dhe më vjen shumë keq, sepse aty për aty e besova”, tha regjisori.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit letër Metës: Mos e dekretoni ligjin!

Disa organizata të Shoqërisë Civile i kanë kërkuar presidentit të Republikës, Ilir Meta që mos e dekretojë ligjin për teatrin, duke i kërkuar takim kreut të shtetit. Në një letër drejtuar Metës, ata janë përpjekur të argumentojnë arsyet pse ata mendojnë se ky ligj nuk duhet të marrë firmën e presidentit. Përfaqësues nga shoqëria civile evidentojnë se ligji i miratuar me votat e mazhorancës shkon kundër parimeve kushtetuese dhe morale. Ata argumentojnë se godina e teatrit kombëtar si një objekt gati 1 shekullor i ka mbijetuar luftërave botërore, çka e bën atë një përfaqësues të drejtpërdrejtë të trashëgimisë kulturore dhe kombëtare. Sipas tyre ligji shkel parimin kushtetues të barazisë para ligjit si dhe me këtë ligj shkelet parimi i sanksionuar në nenin 4 pika 1 e Kushtetutës.

Deputeti Alibeaj: I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë, të mos heshtë

PD-ja e ka cilësuar si skemë të pastër mafioze asgjësimin e Gjykatës Kushtetuese, si pjesë e planit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e 6 kullave.

Ka qenë deputeti demokrat, Alibeaj, që në një deklaratë për mediat nga selia blu ka thënë se e gjithë skema ka qenë e paramenduar. Pas nxjerrjes jashtë loje të Kushtetueses, Rama i lejon vetes të miratojë projektligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe grabitjen e 8500 metrave tokë publike për t’ua dhënë ato kompanisë që do ndërtojë 6 kullat, 3 prej të cilave në tokën e teatrit. Kështu deklaron deputeti Enkelejd Alibeaj: “Nëse ka një tregues që provon sesa mafioz është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të 6 kullave nga Edi Rama, ky tregues është mungesa e Gjykatës Kushtetuese! Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe që pretendon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, është një vend ku Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit sipas një skeme të qartë mafioze, të drejtuar nga kryeministri i vendit. Skema mafioze, nëpërmjet të cilës Edi Rama asgjësoi Gjykatën Kushtetuese dhe, më pas, miratoi me urgjencë ligjin antikushtetues të Teatrit ka vetëm një qëllim: pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës nëpërmjet: Shembjes së Teatrit Kombëtar, Grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike dhe Kërcënimit të pronarëve privatë për ta shitur tokën me çmimin qesharak të përcaktuar, sërish në mënyrë antikushtetuese, nga kryemafiozi i qeverisë. I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë, që ka, gjithashtu, përgjegjësi pse vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, të mos heshtë! Të mos heshtë, njësoj si për drogën! Të mos heshtë njësoj si për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese, por të reagojë për të ndaluar grabitjen e pasurisë publike dhe private nga kryeministri barbar dhe i korruptuar që drejton sot Shqipërinë.