Albin Kurti: Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës

500
Sigal

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, njëherësh dhe kryetar i partisë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesin e dialogut Prishtinë-Beograd do ta fillojë së pari nga integrimi i qytetarëve serbë të Kosovës, ndërsa më pas do të rishikojë 33 marrëveshjet e nënshkruara që nga fillimi i dialogut dhe do të formojë ekipin negociues, përfshirë edhe opozitën.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Kurti grumbulloi 25,49 për qind të votave ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 24,83 për qind të votave. Këto dy parti politike pritet që të formojnë qeverinë e re të vendit, të kryesuar nga Kurti.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Kurti flet për bisedimet për formimin e qeverisë, marrëdhëniet me fqinjët, procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe për marrëdhëniet me Turqinë dhe ndikimin e arkivave të këtij vendi në zbardhjen e historisë së Kosovës.

Sa i përket qeverisë së re dhe ndarjes së pushtetit me LDK-në, Kurti thekson se ende nuk është vendosur cili subjekt sa ministri do të udhëheq, por shton se do të reduktojnë numrin e ministrive, pasi sipas tij, numri i tanishëm i tyre është i panevojshëm.

“U dakorduam që t’i zvoglojmë ministritë nga 21 sa kanë qenë në keqqeverisjen e kaluar, t’i sjellim diku në 12. Por, edhe të mos jenë më shumë se një e treta e zëvendësministrave nga keqqeverisja e kaluar dy vjeçare, të mos jenë rreth 80 prej tyre, por një e treta e asaj çfarë kishim. Gjithashtu u dakorduam që 30 për qind edhe të ministrave dhe të zëvendsministrave të jenë gra në kuadër të përpjekjeve tona për barazi gjinore”, tha Kurti, duke komentuar takimin e djeshëm me LDK-në.

“Lista Serbe nuk është e preferuara e komunitetit serb në Kosovë, por parti nga Beogradi”

Sa i përket partisë fituese në komunitetin serb të Kosovës, Listës Serbe, Kurti thotë se kjo parti nuk është e preferuara e komunitetit serb në Kosovë, por është parti e krijuar nga Beogradi. Ai thotë se do të kërkojë përfaqësues tjerë nga ky komunitet për të bashkëpunuar.

“Para se të arrijmë tek Lista Serbe, ne kemi serbët e tjerë që janë politikanë, përfaqësues, të cilët e pranojnë pavarësinë e Kosovës, e njohin republikën tonë dhe e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Prandaj nuk mund të shkojmë te Lista Serbe pa takuar e kontaktuar e bashkëpunuar me këta serbë që janë autentik në përfaqësim dhe jashtë diktatit të Beogradit në veprim”, tha Kurti për AA, i cili shtoi se do të flasin me deputetët e Listës Serbe sepse ata do të jenë në Kuvend, megjithëse këtë fakt ai e quan fatkeqësi.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, Kurti thotë se kjo ide nuk ka vdekur ende, por me ardhjen e tij në qeveri kjo ide nuk do të mbijetojë.
“Më duhet të pranoj se ideja për shkëmbim territorial nuk ka vdekur ende. Meqenëse edhe presidenti i Kosovës, edhe presidenti i Serbisë, e preferojnë atë.

Por me qeverinë e re, përveçse projekti i dështuar të vuloset si i dështuar, edhe ideja e tillë po ashtu vdes. Ato janë solucione të shekullit të 19-të, ne jemi në shekullin 21 dhe duhet që sa më parë të zhvillohemi ekonomikisht, të kemi shtet të së drejtës, të kemi luftim të korrupsionit dhe sa më parë të anëtarësohemi në BE, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thekson Kurti.

Me gjithë kundërshtimin që ka për idenë e shkëmbimit të territoreve, Kurti thotë se ai do ta udhëheqë dialogun me Serbinë dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), por shton se pjesë e ekipit negociator do të jetë edhe opozita e ardhshme e vendit.

“Me mua si kryeministër i Kosovës do të fillojmë qysh në javën e parë dialogun me serbët e Kosovës nga poshtë lartë, për zhvillim, për integrim shoqëror. Kjo është një gjë tjetër, e pranoj. Por, do ta fillojmë sepse asnjë kryeministër deri më sot nuk e ka bërë këtë”, thotë ai, duke shtuar se pas kësaj do ta bëjë bilancin e 33 marrëveshjeve të deritanishme që janë nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë përgjatë dialogut gjashtëvjeçar 2011-2017 në Bruksel, për të parë se sa janë zbatuar këto marrëveshje dhe cili ka qenë ndikimi i tyre.

Ndërsa tek pas këtij procesi, Kurti thotë se do të përgatiten për dialogun me Serbinë, me parime të qarta dhe ekip negociator të Kosovës me platformë dhe kërkesa ndaj Serbisë.

“Unë nuk do të lejoj arrogancë qeveritare ndaj partive opozitare dhe gjithashtu nuk do të lejojë që Serbia të na futet si pykë në skenën politike kosovare dhe të na ndajë e të na përçajë.

Ne duhet të jemi bashkë kundruall Serbisë dhe marrëveshja që do të vijë një ditë me Serbinë do ta përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndryshimin e kushtetutës së Serbisë dhe suksesionin e pasurisë e reparacionit të luftës, të jetë e tillë që siç e përshkrova e ndryshon pakrahasimisht më shumë Serbinë sesa Kosovën. Për marrëveshje duhet të ndryshojë Serbia dhe jo Kosova”, deklaron Kurti për Aanadolu Agency (AA).

Duke folur për marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti thotë se ato nuk mund të krahasohen me marrëdhëniet me shtetet tjera fqinje. Kurti tha se ndryshe do të jenë marrëdhëniet me një “Serbi që e ka shpallur veten armik të pavarësisë së Kosovës dhe popullit shqiptar”.

“Dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës”

I pyetur se a do t’i bashkëngjitet të ashtuquajturës “Shengeni i vogël”, që u iniciua në takimin e fundit në Novi Sad midis kryeministrit shqiptar, Edi Rama, atij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, Kurti u përgjigj se nuk i kundërshton iniciativat rajonale dhe se Kosova nuk duhet të përjashtohet nga iniciativa të tilla.
Duke theksuar se duhet të takohet me kryeministrin Rama që të informohet rreth idesë, planit dhe mënyrës së kësaj iniciative, Kurti thotë se, “Unë dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës. Kjo është tejet e rëndësishme”.

Siç thotë Kurti, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe që ka nevojë për liberalizim e tyre.

“E përmendi këtë sepse kanë thënë se do të formojnë një mini Shengen ballkanik kur në fakt këto tre vende tashmë e kanë liberalizimin e vizave. Poenta është si ta marrë Kosova, jo këta që tashmë e kanë ta krijojnë mini Shengenin ballkanik.

Nuk i kundërshtoj në parim iniciativat rajonale, por Kosova duhet të jetë aty e respektuar dhe aktive. Për të arritur aty, unë edhe do ta ngre këtë çështje në takimin e parë që do ta kem me kryeministrin e Shqipërsië, z. Edi Ramën”, deklaroi Kurti.

I ashtuquajturi “Shengeni i vogël” synon lehtësimin e kufijve midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke mundësuar lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Novi Sad nënshkruan një marrëveshje mbi këtë çështje dhe u bënë thirrje Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi t’i bashkëngjiten “Shengenit të vogël” në Ballkan.
“Arkivat e Stambollit të rëndësishëm për të kundërshtuar pretendimet e Serbisë në Kosovë”

Sipas Kurtit, arkivat nga Perandoria Osmane që ndodhen në Stamboll, kanë një rëndësi të madhe për mitin e Serbisë. Ai thekson se rreth 15 për qind e arkivave në Stamboll, që kanë të bëjnë me viset ku jetojnë shqiptarët dhe që në Perandorinë Osmane kanë qenë vilajete, ende nuk janë hapur.

Siç thotë Kurti, nevojitet një numër i konsiderueshëm i osmanologëve dhe historianëve që të hulumtojnë në këto arkiva, të gjeturat dhe studimet e të cilëve do të jenë të rëndësishme për të kundërshtuar pretendimet e Serbisë në Kosovë.

“Në arkivat e Stambollit ndodhet një pjesë e konsiderueshme ende e pa zbuluar e të vërtetës së vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, ku dëshmohet dhe tregohet se shqiptarët kanë qenë edhe me prani të popullsisë, edhe me kulturën dhe veprimtarinë e tyre gjithmonë popullsi dërrmuese jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe rrotull këtyre dy vendeve”, shpjegon Kurti për AA.

Sipas tij, nuk mjafton vetëm pavarësia e Kosovës, por nevojitet edhe dekolonizimi, që siç thotë ai, “në zemër e ka historinë e vërtetë të popullit autokton i cili nuk ka reshtur asnjëherë kryengritjet, por të cilit i është imponuar e vërteta e pushtetit të huaj”.

“Besoj se Serbia e ka një trajektore fatkeqe e tragjike, e cila ka qenë tejet e dhimbshme për neve dhe që kalon prej mitit në gjenocid. Në mënyrë që të mos kemi më kurrë gjenocid duhet ta çmontojmë mitin dhe miti çmontohet me histori të vërtetë, ku pjesë shumë e rëndësishme janë arkivat e Stambollit”, thotë Kurti.

“Pesë milionë shqiptarët në Turqi, urë lidhëse midis Kosovës dhe Turqisë”

Duke folur për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë, Kurti duke u bazuar në qasjen e Turqisë ndaj vendit të tij shpreh bindje se marrëdhëniet midis dy vendeve mund të thellohen dhe zgjerohen edhe më shumë.

“Ne i kemi rreth pesë milionë shqiptarë në Turqi dhe mendoj se ata mund të jenë një urë e fuqishme për bashkëpunim ekonomik midis Kosovës dhe Turqisë, si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë të mbrojtjes, besoj se nuk janë shfrytëzuar mundësitë për bashkëpunimin midis dy vendeve tona mike”, deklaron Kurti.

Ai po ashtu kujtoi se Turqia është ndër vendet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe se aeroplanët e Turqisë e kanë bombarduar Serbinë në pranverën e vitit 1999 në kuadër të ndërhyrjes së NATO kundër “Jugosllavisë së Millosheviçit që po kryente masakra e po ushtronte gjenocid mbi popullin e pambrojtur civil e shqiptar në Kosovë”.

“Çmimi Nobel për Letërsi për Peter Handke, nuk është mirë për shoqërinë dhe letërsinë”

Laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 është zgjedhur shkrimtari austriak Peter Handke, i cili është eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve si dhe mbështetës i pasionuar i Millosheviçit dhe luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Sipas Kurtit, përzgjedhja e tij për këtë çmimi është “e çuditshme”.

“Është me të vërtetë e çuditshme që vlerësimi i Komitetit të Nobelit të ketë kaq pak konsiderata etike atëherë kur shpërblen laureatët për letërsi. Besoj që ai është një person i cili e ka dashur Millosheviçin shumë më tepër sesa populli serb. Prandaj nuk mendoj se është mirë as për shoqërinë, por as për letërsinë që fitues të jetë një shkrimtar si Petar Handke”, shprehet Kurti për AA.

Sipas tij, përzgjedhja e këtij emri është një zhvillim fatkeq për çmimin dhe për mesazhin që duhet të jepte një çmim kaq prestigjioz./Anadolu Agency