Albert Brojka/“Lulzim Basha është kryetari i duhur, në kohën e duhur, në PD”

463
Sigal

Sfida kryesore e Lul Bashës është të mbajë PD-në të bashkuar

Përse Lulzim Basha është lideri i duhur në PD?  Cila është sfida e parë që duhet të realizojë kryetari i ri i PD-së? Çfarë identiteti të ri do t’i japë PD-së, Lulzim Basha? Dhe cili do të jetë kursi i ri i politikës së PD-së, me Lul Bashën Kryetar? Këtyre pyetjeve, u përgjigjet  në intervistën për “Telegraf”, Albert Brojka, dikur një nga drejtuesit kryesorë të PD-së, tashmë një anëtar i thjeshtë i saj, që kurrë nuk u largua nga partia e tij.

 

-Zoti  Brojka, vetë procesi i zhvilluar për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, çfarë nxori në pah?

Zgjedhja e kryetarit (të PD-së) me parimin “1 anëtar, një votë” është një nga parimet themelore të partive popullore  europiane, kërkesë, që ky grupim politik i djathtë europian, ia ka kërkuar PD-së me kohë dhe është mangësi e PD-së që nuk e zbatoi më përpara. Që e zbatoi tani, PD-ja bëri shumë mirë, sepse çdo anëtari të partisë, i jap një armë, i jep një objektiv. E motivon më shumë edhe militantizmin e secilit anëtar  në parti. I jep diçka në dorë që ai të japë kontributin për partinë. Do të ishte mirë që jo vetëm kryesia që e mori një vendim të tillë, por edhe në statutin e partisë, të jetë e sanksionuar dhe t’i lërë kryetarit të zgjedhur, jo më shumë se 2 mandate.

– Mangësitë e procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri, ishin spontane, apo të qëllimshme?

– Ishte kohë e shkurtër dhe mënyra e organizimit, patjetër që do kishte mangësi. Por kurrsesi nuk mund të thuhet që ato ishin të qëllimshme. Por vetë rezultati 80%-20% bind këdo, që rezultati është i ligjshëm dhe Lulzim Basha është plotësisht i ligjshëm, Kryetari i PD-së, pasi ai u zgjodh nga një proces plotësisht demokratik.

– Çfarë premton për vetë PD-në, ky proces i zgjedhjes së kryetarit të PD-së?

Për PD-në vetë procesi i zhvilluar me parimin “1 anëtar, 1 votë” është një risi, zgjeron shumë bazën demokratike të partisë. Kjo bën, që jo vetëm anëtarët, por edhe dashamirësit tashmë të kenë një zë, të dëgjohen në parti. Kjo do të bëjë që të zgjerojë shumë edhe vetë influencën e partisë te intelektualët, sepse ata do ta ndjejnë që do të kenë një rol real.  Do të ishte mirë, që mënyra sesi i zgjodh kryetari i partisë, të zgjerohet edhe në qarqe, edhe në rrethe. Edhe kryetarët e degëve të zgjidhen sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Tani ka edhe më kohë, që ky organizim të bëhet sa më i mirë. Të eliminohen mangësitë e pajisjes me tesera.

– Dita e re në PD, me  kryetarin e ri, i zgjedhur demokratikisht nga anëtarët, si duhet të fillojë?

– Mendoj se sfida e parë e zotit Basha, do të jetë organizimi i vetë partisë, duke ndjerë këtë domosdoshmëri nga vetë mangësitë që dolën gjatë procesit. Zoti Basha duhet të dijë cila është anëtarësia e PD-së. Duhet organizuar partia, jo vetëm për anëtarësinë e saj, por edhe struktura e saj, në bazë qarqesh, qytetesh, komunash. Duhet të mësojë si funksionon vetë partia, a diskutohen në bazë problemet? Si merren vendimet atje në bazë? Çdo anëtar duhet të luajë rolin e tij, në çdo strukturë të partisë ku merr pjesë. Të tërë forumet që dihet, të ngrihen tani, të votohen në mënyrë demokratike me votim të fshehtë, me propozimet që mundësisht të vijnë nga baza. Në këtë mënyrë, partia do të thithë jo vetëm militantë, por edhe njerëz të thjeshtë, edhe intelektualë dhe teknokratë, që mund të jenë larguar, të cilët, pavarësisht se nuk e kanë teserën e partisë, janë afër partisë shpirtërisht.

Ju duke qenë se jeni më afër bazës së partisë, vetë procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PD-së, si është ndjerë në strukturat e bazës?

– Baza e PD-së është mësuar “keq”. Është mësuar gjithmonë me urdhër nga lart, propozimet vinin gjithnjë nga lart e baza duhet të ngrinte gjithnjë dorën. Vetë parimi “1 anëtar, 1 votë” tani, u tregoi anëtarëve që ata do të kenë rolin e tyre në vendimmarrje. Kështu baza e partisë u fut në punë. Anëtarit të partisë i dhe një motiv dhe nuk e konsideron thjesht një numër. Anëtari me të drejtën në vendimmarrje, do të shprehet edhe si punon njëri dhe tjetri, dhe kur i jep mundësinë që nga 4-5 kandidatura të përzgjedhë, kështu do të marrë frymë i lirë dhe do të ketë hapësirë demokratike e gjithë partia.

– Mendoni se këtej e tutje do të çlirohen ato valvula të një fryme më demokratike brenda partisë?

– Pikërisht, do të çlirohet energjia pozitive e demokracisë brenda vetë PD-së.

– Ku e mbështetni këtë optimizëm?

– Edhe unë jam një anëtar i PD-së dhe mund të kem 4-5 vjet që nuk kam shkuar në mbledhje, sepse e shikoja që mbledhja është rutinë. Më kërkohej vetëm të ngrija dorën dhe nuk më kërkohej mendim. E ndjeja veten si një ushtar. Po të më jepet mundësia që të shpreh mendimin tim, të më jepet mundësia që edhe unë të votoj për drejtuesin e degës, po të më jepet mundësia që të jap mendim për një çështje kardinale, në mënyrë të të bërit opozitë, do të shkoja me shumë dëshirë. Jo vetëm kaq, por do të tërhiqja edhe të tjerë. Po qe se unë, si anëtar i thjeshtë vlerësohem, unë do të shkoj në parti.

– Keni përshtypjen që nga ky proces zgjedhor, pati edhe të pakënaqur? Dhe a mund të largohen këta në FRD?

Natyrisht, ne jemi njerëz dhe ndoshta edhe për arsye personale dhe kur zgjidhet dikush, ata të krahut tjetër mbeten të pakënaqur. Por në një parti demokratike, njëri do të fitojë. Çelësi i të ardhmes të PD-së është që, pavarësisht nga pakënaqësitë e ndryshme, ne të jemi bashkë. Sfida kryesore e Lul Bashës është të mbajë PD-në të bashkuar. Pavarësisht, të kënaqur, të pakënaqur, të larguar. Pavarësisht që humbi Olldashi, tani nuk duhet të përçahen. Olldashi duhet ta falenderonte kundërshtarin dhe të vërë gjithë energjitë e veta në funksion të PD-së. Apo Patozi, në asnjë mënyrë nuk duhet të influencojnë në përçarjen e PD-së. Pavarësisht nga divergjencat që mund të kemi me njëri-tjetrin, nga mendimet ndryshe, nga pozicionet individuale që mund të kemi, t’i lëmë të gjitha mënjanë. PD-ja ka nevojë për të gjithë, ka nevojë për kontributin e gjithsecilit. Ka nevojë edhe për ata që janë larguar dikur. Le t’i krahasojmë alternativat, pavarësisht se janë të kundërta. Le t’i votojmë me votë të fshehtë dhe le të fitojë më e mira.  Ka nevojë edhe për Bamir Topin.

–  Dikur Topi ka deklaruar që mund të afrohet në PD, vetëm kur të largohet Berisha e “berishizmi”. Mendoni se tani është momenti i rikthimit të Topit në PD?

– Unë zotin Basha e shikoj si një lider të hapur, të sinqertë dhe mjaft elastik dhe të moderuar. Basha është në largpamësinë e duhur që PD-ja ka nevojë për të gjithë. Dhe besoj, se është në strategjinë e tij, që t’i bashkojë të gjithë në PD. Bile i them edhe Bashës. Të mos harrojë Olldashin. Të mos harrojë Patozin. Të bëjë përpjekje që të afrojë Bamirin dhe të larguarit e tjerë. Kam bindjen se Lul Basha është një nga ata që mund ta bëjë këtë, në të mirën e PD-së. Lul Basha nuk është i ekstremeve. Ka frymën e një lideri europian.

– A është momenti që edhe disa parti të djathta mund të shkrihen në PD?

– Shumë parti të djathta janë kontigjent i PD-së. Për një arsye apo tjetër, ata dikur janë shkëputur. Imagjino të jenë të gjithë bashkë. Në fund të fundit, në zgjedhje PD-ja i afroi. Do të jetë për të gjithë më mirë, nëse bashkohen në PD. Ashtu siç janë, ato i kanë prishur punë PD-së. Bamiri nuk mori asnjë deputet, por i mori PD-së 29.000 vota, i mori 2 deputetë. Përçarja ndikoi vetëm për keq.

Mendoni se, me ardhjen e Bashës në krye të PD-së, do të ndryshojë edhe produkti i të bërit politikë, i cili është bazuar mbi konfliktuatitetin shterp?

– Mendoj se Basha mund ta arrijë. Basha e ka treguar se është i aftë që të bëjë politikë të kompromiseve. Basha e ka treguar që afron bashkëpunim edhe me kundërshtarin. Basha nuk di të bëjë gabimet e Ramës, të një opozite destruktive. Basha do të ndërtojë një opozitë konstruktive, një opozitë që do të afrojë alternativën sesi bëhet më mirë.

Basha do të afrojë te PD-ja politikën  e tolerancës

 – A është Lulzim Basha udhëheqësi i duhur në momentin e duhur te PD-ja dhe përse?

– Në qoftë se PD-së i duhet organizimi, i duhet një alternativë e re, që të vijë pas 4 vjetësh në pushtet, atëherë, një lider që di ta organizojë partinë, që di ta zgjerojë bazën, që di të thithë militantët e intelektualët, që di të bashkojë shumë grupe që mund të kenë dalë nga PD-ja, që di të sjellë një alternativë për të ardhur në pushtet, në çështjen e punësimit apo investimeve e të politikës së Jashtme, etj, Lul Basha i ka provuar këto të gjitha. Ka kaluar në këto sfida dhe ka qenë i suksesshëm. Drejtimin e Shqipërisë drejt Europës, ai e ka të qartë. Kam përshtypjen që Basha ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur në PD.

– Çfarë identiteti mund t’i afrojë Basha PD-së? Apo duhet të ruajë këtë identitet të deritanishëm të partisë?

– Basha duhet t’i japë PD-së, fytyrën e tij. Në kuptimin e një djali i simpatik, të një politikani të hapur, të pëlqyeshëm për komunitetin ndërkombëtar, identitetin e një partie të moderuar, jo agresive, tolerante, konstruktive. Kam përshtypjen se edhe paraqitja edhe performimi i Bashës, është ajo linjë që duhet të marrë PD-ja për të ardhur në pushtet. Pikërisht, atë eksperiencë të tij, atë mënyrë të tij për të vepruar, si i trajton gjërat, mënyra e tij si e trajton opozitën, mënyra e tij sesi e organizon partinë, këtë sens, nëse e fut edhe në drejtimin e PD-së, do të jetë i suksesshëm.