Alarmi amerikan: Ja kush janë deputetët e inkriminuar në Parlament!

628
Partitë më të mëdha kanë disa deputetë, të lidhur me krimin e organizuar. Megjithëse duhet kohë për të provuar këto lidhje, burimet tona konfidenciale raportojnë se, në Kuvendin e ri kanë hyrë disa trafikantë droge dhe pastrues parash
Në momentin kur në Kuvendin e Shqipërisë, në media dhe në opinionin publik shqiptar, po diskutohet e debatohet gjerësisht për dekriminalizimin, po ju sjellim sot një kabllogram të disa kohëve më parë të ambasadës amerikane në Tiranë (13 gusht 2009) dërguar Departamentit amerikan të Shtetit. Bëhet fjalë për kabllogramet e shërbimit diplomatik amerikan në vendin tonë që, ashtu si edhe në shumë ambasada të tjera, përfunduan në faqen e famshme “WikiLeaks”, të cilat janë kryesisht dokumente sekrete, një punë e përditshme dhe rutinë që kryejnë diplomatët amerikanë me zyrën e tyre qendrore në kuadër të ruajtjes të paqes dhe sigurisë në vendin e tyre, por edhe në shkallë botërore. Duhet thënë se Departamenti amerikan i Shtetit, pas publikimit të këtyre kabllogramëve, ka thënë se ato nuk duhen marrë në konsideratë dhe se nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet mes SHBA dhe vendeve mike apo aleate. 
Kabllogrami i datës 13 gusht 2009
Në kabllogramin e datës 13.08.2009, të titulluar “Kriminelët bëjnë ligjin, në Kuvendin shqiptar”, flitet për zgjedhjet e përgjithshme të atij viti: “Megjithë qetësinë relative të ditës së zgjedhjeve, ajo që na ka tërhequr vëmendjen, janë të dhënat se, njerëz të lidhur me krimin e organizuar, kanë marrë pjesë direkt, apo janë përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Partitë më të mëdha kanë disa deputetë, të lidhur me krimin e organizuar. Megjithëse duhet kohë për të provuar këto lidhje, burimet tona konfidenciale raportojnë se, në Kuvendin e ri kanë hyrë disa trafikantë droge dhe pastrues parash. Gjatë fushatës zgjedhore, një politikan, Aleks Keka, kreu lokal i Partisë Kristian Demokrate, në veri të Shqipërisë, u vra nga një bombë në makinë. Keka ishte i dyshuar për përfshirje në trafikun e armëve dhe narkotikëve. Më tej kabllogrami i ish-ambasadorit amerikan John Withers, veçon emrat e disa prej deputetëve të lidhur me krimin e organizuar:
1. Tom Doshi: Një deputet nga Shkodra, emër i përmendur edhe në raportin e të Drejtave të Njeriut, për sulmin fizik ndaj një gazetari, në Hotel “Sheraton”, ka qenë një ndër figurat kyçe të financimit të fushatës së Partisë Socialiste. Ai njihet ndryshe edhe si deputeti më i pasur, me një pasuri të deklaruar, rreth 15 milionë dollarë, por gjithashtu i dyshuar për trafikim narkotikësh. Doshi ka qenë deputet i PD-së në parlamentin e kaluar, por ndërroi krah, pak përpara zgjedhjeve.
2. Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në, në Durrës. Koka është një anëtar, ndoshta i familjes më të famshme të krimit të organizuar, në Shqipëri, që ka lidhje me narkotrafikun, trafiqet njerëzore dhe aktivitete të tjera të paligjshme.”
3. Sokol Olldashi: Olldashi është ministri aktual i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, dhe deputet i qarkut të Fierit. Ai dyshohet për kontrabandim droge dhe mallrash të tjerë. Rrethanat kanë evidentuar lidhjet e Olldashit me Fatmir Kajollin në Fier, me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në skemën e lirimit të të burgosurve, për të vepruar ditën e zgjedhjeve”.
4. Lulzim Basha: Sipas burimeve nga Partia Socialiste, Ministri i Jashtëm Basha, që është deputet i Elbasanit, është përfshirë në lehtësimin e lirimit nga burgu të një krimineli të famshëm në Elbasan, për ta mbështetur në zgjedhje. Të afërm të kriminelit kishin premtuar se, do të ‘organizonin’ popullin e Elbasanit për të mbështetur Bashën. Krimineli në fjalë është liruar më 29 qershor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. 
5. Paulin Stërkaj: Deputeti 48 vjeçar i Partisë Demokratike, në Shkodër, është ish-mundës profesionist, me pak apo aspak edukim formal. Sterkaj ka qenë më parë në kampin socialist dhe ka qenë i akuzuar nga një ish-shok se ka vrarë një politikan në Shkodër, vite më parë. Sterkaj ka pranuar se ka interesa biznesi me naftën, ndërtimin dhe restaurantet, por shumë pak dihet për veprimtarinë e tij”. 
6. Gramoz Ruçi: Deputet i Partisë Socialiste dhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj force. Ai ka lidhje të gjata e të qëndrueshme me trafikantë të narkotikëve dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar të hyjë në SHBA që prej vitit 2005”.
Kabllogrami përmban disa komente të ambasadorit Withers, sipas të cilit “edhe në raportin e ODHIR-it është nënvizuar se parlamenti i ri përmban biznesmenë deputetë, që janë shumë të dyshuar, se kanë lidhje me krimin e organizuar. Këta individë kanë tashmë imunitet ligjor dhe janë përgjegjës për hartimin e ligjislacionit shqiptar, që do ta çojë vendin drejt integrimeve euro-atlantike. Por, ulja në karriket e deputetit të të dyshuarve si kriminelë, do të turbullojë dhe nuk do t’i bëjë mirë zhvillimeve demokratike të vendit. Tashmë është e qartë se, të gjitha partitë kanë deputetë, të lidhur me krimin e organizuar dhe kanë pranuar para nga organizata kriminale. Ky është një fenomen turbullues, që ne dhe komuniteti ndërkombëtar do ta adresojmë në të ardhmen. Pika e parë e rëndësishme është se, ka deputetë që kanë deklaruar se, të zgjedhurit nga kjo klasë, nuk përfaqësojnë shqiptarët, por një pyetje mbetet, se sa gjatë do të duhet për t’i lëvizur këta “rrufianë” nga pushteti. Para së gjithash, paratë janë ushqimi i politikës dhe në vende të varfëra, ku nuk ka transparencë të fondeve për partitë, kriminelët e kanë të lehtë të depërtojnë, duke u bërë burim i fondeve të fushatës”.
Sigal