Akuzat për vëllain e Xhafajt, Nishani: Pisllëkun e oborrit Rama kërkon t’ja pastrojnë gjitonët

466
Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar lidhur me artikujt e huaj kushtuar shqiptarëve, ku thuhet se këta të fundit janë përfshirë në veprimtari kriminale si dhe për akuzat që opozita ka publikuar për vëllain e Xhafajt. Përmes një statusi në ‘Facebook’ Nishani, duke marrë edhe spunto nga një artikull i ‘The Times’ se shqiptarët kontrollin tregun e kokainës, ish-kreu i shtetit tha se kjo është një kohë diskretituese për shqiptarët. Ai tha se shqiptarët nuk janë ‘delja e zezë’.
“Ka shumë arsye pse u katandis Shqipëria jonë kështu. Më e fundmja, na tregoj se edhe vëllai i Ministrit të Brendshëm është një i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për organizim dhe trafikim të drogave të forta në rrjetin Amerikë Latine-Evropë. Natyrisht që Fatmir Xhafa nuk mund të bëhet përgjegjës për veprimtarinë kriminale të vëllait të tij madhor. Por, Ministër i Brendshëm nuk mund të jetë askush që moralin, integritetin, besueshmërinë ja ka kompromentuar rëndë vëllai, subjekt i verifikuar i krimit të organizuar. Politika, shteti, institucioni më sëpari e mbi gjithshka kanë moralin.”, shkruan Nishani.
Mes të tjerash Nishani komenton edhe akuzat se Xhafaj ka ndryshuar ligjin për ekstradimet.
“Shumë prej nesh i mbajmë mend mirë 104 amendimet urgjente të Fatmirit në ndryshime të befta të paketës së reformës në drejtësi hartuar nga ekspertët ndërkombëtar që i ndryshoj maxhoranca në fundin e legjislaturës së kaluar duke i bërë edhe një dhuratë të çmuar vëllait trafikant të dënuar”, shkruan Nishani.
REAGIMI I XHAFAJT
Pas shkrimeve shumë shqetësuese në mediat në Gjermani, Francë, Itali dhe Spanjë mbi veprimtarinë kriminale në rritje të grupeve të trafikut të drogës, dje ishte prestigjozja britanike “The Times”, që përfshihej në këtë shqetësim.
“Shqiptarët që kontrollojnë tregtinë me kokainë të pastër kanë rritur praninë e tyre në Britani me rreth 60% në tre vitet e fundit, duke ushqyer një rritje të krimit të dhunshëm”, shkruhet në nisje të shkrimit të “The Times”.
Kjo është situata më e vështirë dhe më diskretituese për ne shqiptarët që nga koha e modelit stalinist të vendit.
Natyrisht që qytetarët shqiptarë nuk janë “delja e zezë”, por imazhin tonë e kanë dëmtuar shumë grupet e krimit që vetëm shtohen.
Grupet kriminale shqiptare nuk janë të vetmit në tregun e narkotrafikut, por ata po forcohen dhe shtohen.
A mund të luftohet dhe të mundet veprimtaria e tyre kriminale ?
Padyshim që po.
Por përveçse vullnetit, profesionalizmit, kurajos dhe bashkëpunimit duhet të marrë zgjidhje arsyeja kyçe e rritjes së tyre, e forcimit të tyre dhe agresivitetit të shtuar të tyre.
Pavarësisht se veprimtaria kryesore operacionale e tyre është në Evropë, sekreti i tyre është në Shqipëri.
Pikërisht në Shqipëri është arsyeja që ato shtohen, forcohen dhe bëhen gjithnjë e më agresive.
Në Shqipëri qëndron arsyeja pse ata po veçohen në rrezikshmërinë e tyre krahasuar me të tjerët.
Sepse në Shqipëri qëndrojnë “kokat” e tyre që menaxhojnë gjithshka pa u prekur.
Sepse në Shqipëri ata pastrojnë “rehat” fare paratë e krimit, i shtojnë ato duke i përzjerë me paranë publike, i bëjnë gati dhe rihedhin në tregun kriminal.
E nisën me kanabisin, e shndërruan në heroinë e kokainë dhe po vijuan kështu do mund të trafikojnë çdo gjë të mundëshme sado e rrezikshme që të jetë ajo globalisht.
Në Shqipëri ata gjejnë të garantuar vehten e tyre, veprimtarinë e tyre, pasurinë ricikluese të tyre.
Në Shqipëri ata prodhojnë pushtet politik dhe korracojnë me të trampolinën e vidhisjes së krimit mbi Evropë.
Në këtë ambient, padyshim, që shumë të rinj do të rendnin ti përkushtoheshin trafikut të drogës se sa punës dhe shkollimit.
Ka shumë arsye pse u katandis Shqipëria jonë kështu.
Më e fundmja, na tregoj se edhe vëllai i Ministrit të Brendshëm është një i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për organizim dhe trafikim të drogave të forta në rrjetin Amerikë Latine-Evropë.
Natyrisht që Fatmir Xhafa nuk mund të bëhet përgjegjës për veprimtarinë kriminale të vëllait të tij madhor.
Por, Ministër i Brendshëm nuk mund të jetë askush që moralin, integritetin, besueshmërinë ja ka kompromentuar rëndë vëllai, subjekt i verifikuar i krimit të organizuar.
Politika, shteti, institucioni më sëpari e mbi gjithshka kanë moralin.
A ka përfituar financiarisht Ministri i Brendshëm nga veprimtaria kriminale e vëllait të tij në trafikun ndërkombëtar te narkotikëve ?
Këtë do ta zbulonte vetëm vetingu i pasurive të vëna nga Fatmir Xhafa që nga viti 2002, ashtu sic përcakton Ligji Antimafia në Shqipëri.
Por atë vetim nuk mund ta bëj dot Fatmiri, ministër dhe Edi Rama, Kryeministër.
Ministri del i përfshirë tashmë edhe në fallcifikimin e ndryshimeve të Kodit Penal në interes të mosekstradimit të trafikantit vëlla të dënuar në Itali.
Shumë prej nesh i mbajmë mend mirë 104 amendimet urgjente të Fatmirit në ndryshime të befta të paketës së reformës në drejtësi hartuar nga ekspertët ndërkombëtar që i ndryshoj maxhoranca në fundin e legjislaturës së kaluar duke i bërë edhe një dhuratë të çmuar vëllait trafikant të dënuar.
Kjo nuk është më një përgjegjësi morale por vepër që duhet hetuar.
Por kjo vepër e Fatmirit kryetar nuk hetohet dot me Xhafajn ministër dhe nga Kryeministri prokuror.
Nuk ka shembull në Evropë kur një ministër i brendshëm del kaq i përfshirë dhe avokatinë publike, institucionale dhe politike ja bën vetë Kryeministri.
Nuk ka shembull të tillë në Evropë kur një kryeministër, pisllëkun e oborrit të shtëpisë kërkon tja pastrojnë gjitonët e mëhallës.
Tentativa e shëmtuar e Kryeministrit për të keqpërdorur emrin e Ambasadorit të SHBA dhe atij të BE për ti ikur diskretitimit dhe përgjegjësisë së rëndë publike është akoma dhe më e turpshme se sa papërgjegjshmëria e tij për ti ngjitur Shqipërisë vula turpi cdo ditë nga mëngjezi në darkë.
Se kur flasin e kur veprojnë, se si flasin e si veprojnë qeveritë e SHBA dhe vendeve të BE nuk varet aspak nga Kryeministri i Shqipërisë. Atë e dinë dhe e vendosin vetëm ata.
Në SHBA dhe vendet e BE nuk ka patur kurrë dhe nuk do të ketë kurrë ministër, vëllai i të cilit del se është i dënuar si trafikant kokaine dhe heroine.
E vetmja gjë e sigurtë përballë këtij kazusi që kërkon të ngrejë si tymnajë Kryeministri shqiptar është fakti se qeveritë e SHBA dhe vendeve të BE janë miq të palëkundur të qytetarëve të thjeshtë dhe të ndershëm shqiptar dhe kundërshtarë të palëkundur të pushtetarëve të inkriminuar.
Të huajt nuk tregojnë me gisht e me fyerje “shihni Shqipërinë” ! Jo.
Ata thonë me mllef “shihni kush qeveris në Shqipëri” !!!
Sulmi politik ndaj faktorit ndërkombëtar gjoja në mbrojtje të dinjitetit kombëtar është shenja e tronditjes së thellë të pushtetimit arrogant dhe të korruptuar që nuk ka asnjë lidhje me kulturën dhe civilizimin evropian e perëndimor që shqiptarët kërkojnë të kultivojnë.
Ndaj dhe shqetësimi në rritje për krimin e organizuar shqiptar në Evropë duhet adresuar dhe zgjidhur këtu, në Shqipëri. Përgjegjësia e kësaj zgjidhje sot është e shqiptarëve.
Pasoja e moszgjidhjes së saj do të jetë po e shqiptarëve.
Ky është e mund të jetë vetëm një proçes që nis politikisht e bitiset institucionalisht.
Një proçes që opozita duhet ta udhëheq pa bërë prapa.
Opozita tani ka përgjegjësinë e ngritjes së dialogut të madh me shqiptarët.
Në çdo qytet, fshat, lagje e rrugicë. Dialogut që të sjellë ndryshimin e atij shqetësimi të madh që kanë sot qytetarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë etj.
Jo ndaj shqiptarëve.
Por nga krimi i organizuar shqiptar.
Shqiptarët duhet ta zgjidhin atë !
Sigal