Akuzat e PD për vizitën e Papës KM: Procedurat sipas ligjit, si Bashkia

450
Sigal

Kryeministria i është përgjigjur sërish akuzave të PD-së, në lidhje me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri. Ndërsa opozita akuzoi sot përsëri vëllain e ministrit Erjon Veliaj, në reagimin e Kryeministrisë theksohet se PD vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut.
Në reagimin e Kryeministrisë gjithashtu theksohet se është ndjekur e njëjta procedurë si të gjitha institucionet e përfshira në vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, përfshirë këtu Bashkinë e Tiranës.

Reagimi i Kryeministrisë

Është për të ardhur keq që Partia Demokratike vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut. Asnjë fakt, asnjë seriozitet, madje asnjë përpjekje për t’a kamufluar shpifjen e vrazhdë të radhës, po vetëm përsëritja e një recitimi banal para kamerave.

Nëse pushtetarët e deridjeshëm nuk dinë të lexojnë as ligjet që kanë bërë vetë dhe jo më praktikat zyrtare për të cilat flasin pa lidhje, ky nuk është as faji i qeverisë së re dhe as telashi që meriton populli shqiptar, të cilin PD e ka lënë pa opozitë. Por të akuzosh pa fakte edhe në këtë rast kaq të veçantë dhe të përfshish organizimin më të bukur që shteti shqiptar ka bërë ndonjëherë në njëzet vjet me rastin e pritjes së Atit të Shenjtë, është më shumë se sa e padenjë qoftë edhe për Partinë Demokratike që nocionin e dinjitetit e ka gjithsesi tepër të mjegullt.

Duke qenë se qeveria e re transparencën përpara publikut e ka detyrim të patjetërsueshëm, është e udhës të sqarohet njëherë e mirë sa më poshtë:

Procedura krejt e ligjshme e ndjekur nga Autoriteti Kontraktor, në këtë rast Ministria e Kulturës, bazohet në gërmen “c” të pikës 2 të nenit 33, të ligjit numër 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar.

Ky ligj parashikon pikërisht rastet kur Institucioni Publik gjendet në kushte të nevojës ekstreme dhe e ka të pamundur të ndjekë procedurën normale të prokurimit.

Në rastin në fjalë, duke qenë se programi i vizitës së Atit të Shenjtë dhe të gjithë elementet e dekorit e të protokollit iu komunikuan zyrtarisht qeverisë shqiptare në datën 11 Gusht 2014, Autoriteti Kontraktor ishte në kushtet e nevojës ekstreme për shkak të mospasjes së kohës së mjaftueshme për të zhvilluar procedurën normale të prokurimit.

Theksojmë se e njëjta procedurë është ndjekur nga të gjitha institucionet e përfshira në vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, përfshirë këtu Bashkinë e Tiranës.

Propozimi për të ndjekur këtë procedurë është bërë nga Komisioni Shtetëror për vizitën e Atit të Shenjtë, komision ku u përfaqësuan të gjitha institucionet më të larta shtetërore, përfshirë dhe institucionin e Presidentit të Republikës, partitë parlamentare dhe Bashkinë e Tiranës, të cilët kanë shprehur dakordësinë e plotë me këto procedura në çdo mbledhje dhe për çka është dokumentuar çdo element.